Sonte doktor Alimehmeti dhe deputeti Këlliçi dolën krah për krah para mediave për të thënë se për zgjedhjet e 14 majit 2023, PD- ja do të ndjekë shembullin e zgjedhjeve presidenciale në SHBA: Në fushatë do të jenë bashkë kandidat- kryetari dhe kandidat- nënkryetari përfaqësues të opozitës, Belind Këlliçi dhe Ilir Alimehmeti. Në fakt, nuk është tamam kështu dhe po ua shpjegojmë pse.
Primaret në SHBA për të caktuar përgjithësisht sfidantin e presidentit në detyrë nëse ai rikandidon, janë një garë e fortë, e ashpër që nis të paktën 2 vite nga data e zgjedhjeve me deklarimet zyrtare të kandidatëve. Gara brenda radhëve, qoftë në PD apo PR, është shumë e fortë, e drejtëpërdrejtë dhe pa kompromis. Kandidat zyrtar është ai që fiton më shumë gara në shtetet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Sigurisht, ka edhe tërheqje kur një kandidat pas disa raundeve, shikon që nuk ka mbështetje për të vijuar garën me shanse konkrete për të fituar.
Ai që shpallet kandidat zyrtar në fund të primareve, prezanton edhe zëvendëspresidentin e ardhshëm nëse futet në Shtëpinë e Bardhë. Pra, e prezanton pasi ka fituar primaret dhe jo detyrimisht, është një nga rivalët e tij të primareve. Madje, në pjesën dërrmuese të rasteve, nuk ndodhe kështu dhe me logjikë. Kandidati për president, sapo futet në garën e primareve, ka një ide të qartë të bashkëpunëtorëve nëse fiton, duke nisur nga zëvendëspresidenti. Ngjashmëria me rastin e primareve të PD- së, nuk qendron.
Në garë për Tiranën ishin 7 persona, dy prej të cilëve që dolën më të votuarit por nuk morën asnjëri mbi 50% të votave, duhej të shkonin në balotazh. Pra, primaret e 4 dhjetorit 2022, nuk prodhuan fitues. Të paktën sipas “rregullave të lojës” të vendosura nga vetë PD- ja. Është në të drejtën e tij që Alimehmeti të tërhiqet, madje pa dhënë asnjë shpjegim. Mund të tërhiqet edhe Këlliçi që doli i pari dhe natyrshëm gara duhet të vijojë. Në respekt të demokratëve të Tiranës por edhe “rregullave të lojës”.
Tërheqja nga gara e Alimehmetit nuk do të thotë se automatikisht Këlliçi është kandidat zyrtar. Ai që ka dalë i treti me vota me 4 dhjetor, ka të drejtën të jetë sfidant i Këlliçit në balotazh. E drejta e tij është jo vetëm morale por edhe bazuar në “rregullat e lojës” së primareve. Renditja e primareve është si më poshtë:
Belind Këlliçi – 4040 vota
Ilir Alimehmeti – 2196 vota
Gert Bogdani – 1819 vota
Julian Deda – 157 vota
Adriana Kalaja – 128 vota
Enkelejda Fejzo – 66 vota
Fatmir Merkoçi – 35 vota
Pra, duhet të ketë një balotazh mes Këlliçit dhe Bogdanit dhe pasuesve të tij në listë, nëse tërheqja kthehet në reaksion zinxhir, deri sa të mbarojnë të gjithë emrat. Gjithmonë, nëse duam të ndërtojmë primare të verteta që në hapat e parë, me rregulla që zbatohen dhe standarde të trumbetuara me bujë publike. Përndryshe, edhe primaret nuk janë asgjë tjetër veçse përzgjedhje preferenciale me fasadë demokratike.
Pavarësisht marrëveshjes publike Alimehmeti- Këlliçi, KOKOE e PD- së duhet të ndërhyjë. Vullneti i demokratëve, Statuti dhe rregulloret, kanë më shumë peshë e vlerë se marrëveshja mes dy njerëzve, qofshin ata edhe më të votuarit në fazën e parë të primareve të PD- së. Përgjegjësinë kryesore e ka Sali Berisha, sponsorizues i paepur i primareve dhe garantues i “rregullave të lojës”. Të paktë, pas Alimehmetit të dalin publikisht edhe 5 të tjetër për të deklaruar dorëheqjen. Edhe pse primaret do të hidheshin në erë përfundimisht. Në fakt, janë tronditur rëndë që sonte me marrëveshjen hipotetike- utopike të bashkëqeverisjes së Tiranës pasi të mundet Erion Veliaj, Edi Rama e PS- ja. PD- ja nuk ka arritur akoma të superojë modelin “Basha” të planeve “pa hanxhinë” e duke shkelur standarde të cilat vetë i krijon.
Marrëveshja Alimehmeti- Këlliçi është mes individësh, në shkelje të rregullave të primareve, për karriget e tyre të neserme, nëse demokratët e opozita, mund t’ua garantojnë ato me 14 maj 2022. Ata demokratë e opozitarë që sot nuk po pyeten për kandidatin që duan ta kenë për bashkinë Tiranë. /Nga Blerti DELIJA/