OPINION – Idealistët…, kur Partia Demokratike nuk kishte lindur ende…

Nga Gelanda SHKURTAJ

Kapërcimi i murit të ambasadave të huaja u shoqërua me një frikë që nuk largohet lehtë nga kujtesa e kujtdo që e jetoi atë natë të gjatë. Në bulevardin e mbushur nga xhiroja e zakonshme e të rinjve tiranas, filluan të gurgullojnë zërat për diçka të çuditshme që po ndodhte, derisa tanket e gardës, ndodhur në skajin jugor të bllokut, po vërshonin nëpër rrugët e Tiranës së nxehtë në atë buzëmbrëmje, fillimkorriku ‘90. Zëra të mekur pëshpëritnin për hapje ambasadash, por shumëkush që kishte menduar edhe vdekjen, këtë nuk do mund ta besonte kurrë. Brezi i dytë i heronjve të demokracisë kishte çarë muret me gjemba për t’u larguar nga kampi i urisë.


U pasuan shumë përleshje, ndër të cilat të rinjtë që përballeshin me shkopinjtë e “sampistëve” ose skuadrat speciale të Policisë, këta me çdo mjet dhune e demokratët me asgjë përveç idealit kokëkrisur se më keq se aq, nuk ishte as vdekja. Era e ndryshimeve kishte ardhur, sistemi diktatorial po gëlonte në çapat e fundit. Shpresa ishte të largohej pa kthim, të paktën fizik.. Partia e Punës, besnike e paepur e dogmës marksiste se asgjë nuk shuhet, por transformohet në një formë tjetër të materies, tanimë u trupëzua diku plotësisht e diku tjetër më pak, në partitë kryesore që morën stafetat e politikës shqiptare.

Njëra syresh, me një bazë të gjerë elektorati të edukuar me libra si “Rreziku anglo-amerikan për Shqipërinë”, deklaroi hapur dhe me krenari se do të ishte bijë e denjë e mëmës që e lindi e, në fakt, nuk zhgënjeu për këtë. Tjetra syresh pat barrën e rëndë dhe primatin historik për të vendosur të ashtuquajturën demokraci, ku, përveç idealistëve brenda saj, pati edhe individë me mendësi të atyre që thjesht ndryshuan kostumet e kravatat e tanimë u vunë në krahë të Perëndimit, armiqve të betuar të së parës. Dëshmia më e qartë e kësaj ishte fryma antagoniste e krijuar midis saj dhe klasës së të persekutuarve politikë.

PRAGMATISTËT. MORALI I TYRE QUHET KARRIGE DHE KULETË

Koha rrodhi e paraja thonë bën çudira, një nga të cilat është “të shkuara e të harruara”, ose një tjetër që thotë “e hedh ujin përpjetë”. Partitë drejtuese ndanë pushtetet, paratë, karriget, ndërkohë që muret e ideologjive që i distanconin deri dje u rrëzuan me një të rënë të lapsit, derisa shkëmbyen edhe bazat e njëratjetrës. Kështu, trashëgimtarja testamentare e mëmës, tanimë Perëndimin e pranoi me një “mea culpa” dhe mori në gjirin e saj edhe ata që mëma i persekutoi dhe shkatërroi, por që lehtësisht hodhën të shkuarën pas krahëve.

Nuk thonë kot, jeta ecën përpara. Partia tjetër u tregua edhe më zemërgjerë se e para, ajo jo vetëm pranoi anëtarët e mëmës me teserë partie, por edhe bijtë e tyre, të cilët u shtirën flakadanë demokracie, por që kishin ngrënë diku një lugë gjellë nga çorba e bllokut. Pas dekadash me ecejake dhe shkëmbime, dy partitë politike kanë lënë një marzh të vogël ndryshimi me njëra-tjetrën. E para, me një elektorat stoik e të qëndrueshëm, që kurrë nuk kundërshton kauzën kushdo qoftë ajo. Por që lidershipi i kësaj partie, në një pikë të historisë postkomuniste, dha një leksion demokracie: një lider i cili me të gjithë pro-të dhe kundrat diti t’i thotë jo vazhdimit të politikëbërjes, kur kuptoi se ciklit të tij politik i erdhi fundi.

Një parti e majtë që u soll si liberal-demokrate. E dyta, me një elektorat të ndarë ndër vendit që në vitin e dytë të drejtimit iu nënshtrua një modeli autokracie, të rrënjosur deri në ditët e sotme dhe sidomos me një bazë të paqëndrueshme. Në itinerarin e gjatë, Partisë Demokratike, për një barrë të rëndë të historisë, i ka takuar dhe vazhdon t’i takojë sfida më e vështirë e drejtimit, pasi Shqipëria ka qenë dhe mbetet një vend kryesisht i majtë. Kjo parti vijon të mbetet peng e pushtetit absolut të një lideri historik, i cili e gjen mbështetjen te militantët demokratë, si dhe te të inflitruarit e ish-Sigurimit dhe hienat pragmatistë, të mbajtura me privilegje brenda saj. Madje, në debatin aktual brenda PD-së, përkrahja dhe për më tepër viktimizimi i liderit historik sot nga këta të fundit, të cilët deri dje nuk guxuan as të bëzajnë kundër formulës drejtuese të tij, është njolla më e madhe e turpit dhe shenja e hapur e një thike “para” shpine që ai vetë po merr.

KONSPIRACIONISTËT. TË NGRESH NJË CUNAMI NË NJË GOTË UJË

Këta kanë zbuluar gjithçka qëndron pas kësaj zallamahie që ka kapluar të djathtën shqiptare. Quhet konspiracion dhe zbuluesit mund të quhen pa frikë shpikësit e vitit 2021. Çfarë çudie! Të tilla në jetë të jetëve nuk kishin ndodhur kurrë, por vetëm tani dhe vetëm për Shqipërinë dhe vetëm për Partinë Demokratike (!).

Madje, madje, janë aq të bindur sa do shkojnë ta depozitojnë patentën e zbulimit në sistemin ndërkombëtar të njësive, bash si metri që mat gjatësinë apo ora që mat kohën (!). Ky faktor ka jetuar dhe do të vazhdojë të jetojë me llojin human dhe nuk ka ndodhur asnjë çudi e padëgjuar apo e pajetuar në paleolitin e vonshëm. Kulisat politikë dhe gjeopolitike, e djathta i ka provuar, jetuar, pranuar edhe kur ishin ndesh me interesat e vendit të saj dhe kurrë nuk doli të zbulonte konspiracionin, sepse ndofta ashtu i vinte për shtat. Politika në përgjithësi, nga koha e papirusit e deri më sot, ka njohur pak parime dhe shumë lojëra, të cilave i ka qëndruar, sepse ka pranuar të fitojë lojën dhe jo moralin. Quhet luftë për pushtet dhe lufta për pushtet zor se ka njohur parimoren brenda saj. Është kaq e thjeshtë, pasi kjo është historia e politikës! Vallë sot lufta brenda së djathtës po bëhet për parime? Përgjigjja është po aq e thjeshtë: pushtet! Madje, frika dhe kryeneçësia e moshumbjes së tij janë aq të fortë, edhe kur shpërfaqet në format më mediokre, siç është një “veçim taktik” nga një grup parlamentar, që nuk do të thotë as ndarje nga partia, as nga drejtimi, as nga elektorati.

Përpara se të shkohej te konspiracioni, kishte zgjidhje më të përshtatura pa çuar të djathtën në një vëllavrasje, e cila mungon pak që të evidentohet së fundmi. Shqipëria është vend i vogël dhe i ka ftuar partnerët strategjikë, të cilët kanë gjetur mikpritjen në çdo hallkë të qeverisjes dhe të politikës, në të mirë a në të keqe. Ata kanë vepruar gjithmonë me një modus operandi: të përkrahet partia në pushtet (!), kush e mohon këtë do të thotë se nuk do ta pranoj, tjetër gjë me sa duket, se “tërheqja e veshit” vjen më vonë. Mos ndofta sot kërkon sovranitet në punët e saj të brendshme ndaj partnerëve, përtej diskrecionit të këtyre të fundit? Tepër vonë dhe asnjë nuk ka të drejtë morale për ta bërë, pasi falë atyre partnerëve e djathta është mbajtur në këmbë dhe është rritur e konsoliduar në politikën e saj të brendshme dhe po ashtu në arenën ndërkombëtare. Politika shqiptare e tillë ka qenë tash e tridhjetë vjet, asgjë e re nuk ka ndodhur, edhe kur e djathta ishte protagoniste kryesore e shumë eventeve politike e subversioneve të brendshme. Mos ndofta ky quhet konspiracion në mendjen e zbuluesve të 2021?(!).

RRUGA E SË DJATHTËS. VËLLAVRASJE APO UNITET?

Hipotezat janë nga më të ndryshmet. Nuk ka dyshime dhe bazë ligjore për të kundërshtuar mbledhjen e Kuvendit Kombëtar, madje ndoshta duhet bërë një orë e më parë. Partia Demokratike duhet të mblidhet dhe zgjidhja tashmë mund të duket një retorikë të dyanshme:

E para: me shumë gjasë, lideri historik, me flamurin e luftës për parime dhe statut, do të marrë vetë drejtimin e Partisë ose do të emërojë një tjetër “të besuar”, kësaj radhe jo plëngprishës. Pyetja vjen: po pastaj çfarë do të ndodhë? Vallë të gjithë këta demokratë të inatosur deri në palcë me lidershipin aktual besojnë vërtet se ai rezistoi në krye të PD-së, gjithë këto vite opozitë, vetëm falë meritokracisë së tij? Kjo tingëllon sa qesharake, po aq absurde, edhe po aq intrigante. Kjo është absolutisht një histori e pabesueshme për këdo demokrat që bënte be e rrufe deri para 30 ditëve se “dualizmin” e drejtimit të PD-së e kishte gati besëtytni, përveçse bindje absolute. Më shumë se arsyetimi i mësipërm, qëndron fakti se tashmë lideri historik është në betejë individuale dhe duket se po përdor Partinë Demokratike si fushëbeteje, e pse jo, edhe mundësinë e marrjes së saj si një trofe, në luftën e tij personale me SHBA-të. Dhe ky është një fakt i qartë në dritën e diellit.

Mbajtja peng e partisë për konfliktet personale me partnerin e tij më të ngushtë në këto tridhjetë vjet do të çojë vetëm në një kaos dhe mjegull paqartësie. Amerika është e qartë dhe këmbëngulëse në kërkesat e saj, të cilat historia ka mësuar se ajo i ka çuar deri në fund. Përballja është personale dhe koha do të tregojë çdo gjë. Militantët e PD-së, diku naivë e diku pragmatiste, të lodhur nga ndenjja në opozitë për shumë vite, shikojnë te lideri historik të vetmen figurë, e cila mund të kërcënojë ekzistencën e partisë në pushtet.

E dyta: PD-ja vijon në misionin e saj opozitar, tanimë me një armë më tepër. Përkrahjen e partnerit të saj strategjik amerikan. E ardhmja e afërt do të tregojë këtë bashkërrugëtim, me synim ndryshimin sa më shpejtë të qeverisjes aktuale, vënies së drejtësisë dhe ardhjes në pushtet të Partisë Demokratike. Zgjedhja dhe zgjidhja i takon elektoratit të djathtë që do të duhet të vërë një balancë midis PD-së unitare që do të luftojë në një Parlament, me një strategji të qartë politike drejt zgjedhjeve të ardhshme apo një PD-je të ndarë, e cila mbahet peng nga kredoja dhe vetëbesimi i një lideri historik.