
Nuk kisha dëshirë të reagoja, në pritje të një reflektimi të natyrshëm, edhe pse të vonuar, për një nga emrat më të mëdhenj, më të pakontestueshëm dhe më kontribues jo vetëm për Shkodrën por edhe Shqipërinë e shqiptarët. Shpresoja që harresa e institucioneve, të riparohej me urgjencë deri në emërgjencë për…Luigj Gurakuqin.
Me 2 mars të këtij viti, u mbushën 100 vite nga vrasja e tij në Bari të Italisë. Prej shumë vitesh, ky qytet ka një pllakë përkujtimore për vrasjen e Gurakuqit, një rrugë e Barit, është emërtuar tashmë me emrin e tij. Në tabelën përkujtimore, e shqipëruar, lexohet: “Kujtojmë Luigj Gurakuqin, shkrimtar dhe patriot shqiptar, këtu i masakruar me 2 mars 1925”.
Në 100- vjetorin e vrasjes, Komuna e Barit në Itali, organizoi edhe aktivitet zyrtar, me pjesëmarrjen e kryetares së Kuvendit Elisa Spiropali, drejtues vendorë të bashkive në Shqipëri, personalitete etj. U nderua, ashtu si prej shumë e shumë vitesh, një shqiptar i shquar, i vlerësuar edhe përtej Adriatikut më shumë në vendlindjen e tij Shkodër, fatkeqësisht.
Sigurisht, mbase janë të shumtë ata që i frikësohen thashathemnajave për vrasjen e tij, motivet, autorin, porositësit e të tjera si këto. Por Luigj Gurakuqi, si rrallëkush, duhet të përkujtohet për jetën e tij, kontributin e pamohueshëm në të gjallë, ekzaktësisht siç e cilësoi Fan Noli në ikjen e tij, “vigan liberator”.
Ishte personi i dytë më i rëndësishëm, në aktin më të madh që ka ndërmarrë ndonjëherë ky komb, Shpalljen e Pavarësisë në 1912. Shkroi dhe lexoi personalisht Deklaratën e Pavarësisë, pjesën në gjuhën shqipe. Kaq do të ishte e mjaftueshme, por jo, ka edhe më. Shkolla e parë shqiptare që nxirrte mësues për një vend mbi 90% analfabet, Normalja e Elbasanit, pati drejtues pikërisht Gurakuqin e madh. Ishte deputet, ministër, shkrimtar dhe u vra me…300 lira në xhep në Bari.
Për çdo individ, në çdo etapë të historisë së Shqipërisë, ka dhe mund të gjenden dritëhije. Natyrisht, edhe për Luigj Gurakuqin, edhe pse peshorja e gjykimit duhet të anojë më shumë nga kontributet publike kombëtare. Përtej kësaj, besoj të gjithë e pranojmë, se në çdo etapë të ekzistencës së këtij shteti shqiptar, madje edhe gjatë errësirës komuniste, Luigj Gurakuqi nuk u kontestua. Ishte në një linjë me Gjergj Kastriotin, më pas me figura me peshë ndërkombëtare, si Nënë Tereza.
Në fakt, në jo pak raste në histori, Shkodra “i ka ngrënë bijtë e vet”, thuajse si kulçedër. Për Luigj Gurakuqin, shenjat e dhanë që në krye të herës. Ndërsa u vlerësua duke e vendosur shtatoren e tij në vendin ku ishte në diktaturë diktatori kaukazian Stalin, në sytë e institucioneve dhe të gjithëve ne, u zhduk nga faqja e dheut shtëpia e Luigj Gurakuqit. Më shumë se 10 vjet më parë, u premtua ringritja por deri më sot, vetëm në filmin “Çifti i lumtur” ata që nuk e arritën, mund ta shohin shtëpinë e Luigj Gurakuqit.
Mungesa e përkujtimit të Luigj Gurakuqit, nuk i zbeh aspak figurën dhe kontributin e tij për këtë vend. Disa kurora e tufa me lule me 2 mars të këtij viti pranë shtatores së tij, të vendosura nga një shoqatë e veteranëve të LANÇ (!?), është shumë- shumë pak, edhe pse këta meritojnë falenderime publike për kujtesën. Në Shkodër, universiteti i saj dhe i vetmi në hapësirën nga Tirana e lart, mban emrin e Luigj Gurakuqit. As ky institucion nuk u kujtua për një veprimtari të thjeshtë, me një apo dy fjalime. Në të njëjtën linjë u rreshtuan edhe prefektura, qarku, bashkia dhe bashkitë, ndonjë shkollë apo institucion.
E në fund, një pytje që me gjasë nuk do të marrë përgjigje, të paktën në këtë 100- vjetor të vrasjes së Luigj Gurakuqi: Pse kjo heshtje harruese e pakuptimtë për Luigj Gurakuqin në Shkodër?! /Nga Blerti DELIJA/