OPINION/ Guximi “i tepruar” i një prifti dhe ato që mendojmë të githë por nuk e themi…

“Bashkitë dhe këshillat bashkiakë në Shqipëri në këto vite kanë qenë të gjitha të qeverisura në mënyrë autokrate, por formalisht ishin plurale. Tani e tutje, as formalisht. Brenda tyre dhe në të gjithë territorin janë moniste. Kjo nuk quhet më demokraci, as formalisht”. Janë fjalët e një ipeshkvi të Kishës Katolike të Shqipërisë dhe jot ë një politikani. Edhe pse kam qenë e jam i bindur se çdo klerik në vetvete, është një politikan jo i shfaqur plotësisht si i tillë. Aq më shumë, Dom Gjergj Meta, sipas meje, nuk është një prift i zakonshëm. Nuk e kam ndjekur asnjëherë duke meshuar por edhe kam dëgjuar në një “leksion” publik në Shkodër. Natyrisht, edhe në studio televizive.

Në fakt, Dom Gjergji nuk ka thënë asgjë më shumë se ajo që të gjithë ne e mendojmë por nuk e nxjerrim nga goja, nuk e artikulojmë. Pa u zgjatur shumë, kjo e tridhjetë viteve të fundit, ka qenë në rastin më të mirë një “demokraci e rrejshme”. Sigurisht, kleriku i lartë e ka thënë më bukur, më përmbledhtas dhe më me shumë tingëllim dhe gjuhësor.

Termi “autokrat” përmbledh në masë të gjërë të gjithë ata që kanë qenë në krye të bashkive e komunave. Nëse ka patur diçka që edhe publikisht kam mbështetur Ramën, ka qenë shkuarja deri në fund e reformës administrative- territoriale. Edhe pse në fakt, do të kisha preferuar që për shumë arsye, numri i bashkive të ishte deri në 100 në të gjithë vendin. Ideja e largimit të kryekomunarëve që me një grusht vota, ishin kthyer në “të përjetshëm” apo “bajraktarë”, me të vertetë ishte shumë joshëse në drejtim të lëvizjes drejt standarteve demokratike.

Por pas “30 qershorit”, Edi Rama po riinstalon pa u mbushur mirë 4 vite, të njëjtin sistem që me të drejtë e ndryshoi në 2015-ën. A ka autokratë më të mëëdhenj se 61 kryebashkiakë që kanë pas vetes edhe këshillat bashkiakë që të gjithë të një krahu politik, më saktë të një force politike: PS-së së kryeministrit Rama! “Vetë fol, vetë vulos” janë që të gjthë. Tashmë as diskutime ndryshe nuk do të dëgjojmë më, jo më vota kundër! Dikush merakoset apo frikësohet duke kujtuar komunizmin. Jo, nuk është rrezik komunizmi. Është autokraci, pushtet i një individi. Që për hir të realitetit, nuk do të jetë thjesht kryebashkiaku i dalë nga “30 qerhsori” por direkt Edi Rama. Pjesëmarrja dhe fjala e tij programatike në konstituimin e Këshillit Bashkiak Tiranë, është shembulli më i qartë dhe mesazhi për të gjithë kryebashkiakët e tjerë.

“Formalisht ishin plurale”, thotë Dom Gjergji. E vertetë, madje edhe në Shkodër ku për 30 vite ka qeverisur e djathta e më specifikisht PD-ja. Ata që jetojnë këtu apo i kanë ndjekur mbledhjet e Këshillit Bashkiak, e dinë se në shumë raste PD nuk ka mundur të kalojë vendimet pa konsensus me PS-në, ose në rastin më të mirë, me aleatët e djathtë. Mbase vertetë PS ka kaluar njl numër minimal nismash në Këshill, por shpesh herë vemendja mediatike dhe publike ndaj fjalimeve të tyre ka qenë më e madhe se e përfaqësuesve të së djathtës. Edhe një detaj tjetër më pak i rëndësishëm. A do të guxojnë më këshilltarët bashkiakë të mos vijnë në orarin e caktuar për mbledhjet e Këshillit Bashkiak apo të thirren edhe me celular nga kolegët e kryetari? As që bëhet fjalë, sepse tani futet “në lojë” disiplina partiake.

“Populli demokrat” apo i djathtë, nuk pati mundësi të bëhej pjesë e “30 qershorit”. Natyrisht, jo për fajin e tij por sot jemi para faktit të kryer që kjo pjesë e qytetarëve është realisht e papërfaqësuar, madje deri në atë masë, sa nuk ka asnjë që të flasë në emrin e tyre. Ideja e përfaqësimit të të gjithë popullit nga një parti e vetme, është e tejkaluar dhe i përket një sistemi tjetër me të cilin u ndamë në 1990. Realisht, Dom Gjergji ka të drejtë, janë këshilla bashkike “moniste” dhe finalja: Kjo nuk është demokraci, as formalisht!

ShkodraWeb Channel

Tashmë që ka kaluar deri diku euforia e marrjes së “bastionit” por edhe aty ku nuk ishte bastion, e të gjithë pushtetit vendor të vetëm, nga vetëm një parti politike, nuk u pëlqen as socialistëve vetë. E natyrisht, Dom Gjergji flet edhe në emër të tyre. Kishën e tij, fatmirësisht, e frekuentojnë të majtë e të djathtë e ndërkohë, filozofia “Krishti ‘komunisti’ i parë i njerëzimit”, është një motiv më shumë për tu bashkuar të gjithë nën kupolë. Autokracia është e dëmshme edhe për mbështetësit e saj në hapat e parë të instalimit. Shembujt janë evidentë edhe në ditët tona në Hungari apo Turqi por  edhe më herët po të doni. Kujtoni pak edhe 45 vitet e Shqipërisë tonë nga 1945-a. Pushteti i një personi të vetëm solli pasoja katastrofike, një pjesë të të cilave vazhdojmë ti vuajmë edhe sot. E mos harroni që në burgje qendruan bashkë në një qeli zogistë, ballistë, të deklasuar (siç quheshin asokohe) me ish- antarë të Byrosë Politike, të Komitetit Qendror, komunistë që edhe kishin luftuar për “pushtetin”.

Të gjitha këto, Dom Gjergj Meta nuk i ka sjellë thjeshtë në mendje siç bëjmë shumica jonë. Por edhe i ka nxjerrë nga goja, edhe i ka shkruajtur për ti lexuar të gjithë. Mos harroni edhe diçka. Dom Gjergji por edhe klerikët, në aktivitetin e tyre kanë edhe rolin e “bariut”, drejtuesit të “grigjës” drejt të mirës, pozitives. Sepse kam përshtypjen se Dom Gjergji nuk ka ndërmend ti futet politikës. Edhe pse në fakt, nuk do të kishte asgjë të keqe. Shembujt e shkëlqyer i ka tek paraardhësit e tij në Kishën Katolike të Shqipërisë. Por gjithsesi, Dom Gjergji është prift. Prift  i guximshëm! /Nga Blerti DELIJA/

ShkodraWeb Channel

Open

Close