OPINION – Gazetarëve u mësoi të ishin të drejtë dhe të ndershëm, një vit pa Fatos Baxhakun, njeriun “formidable”

Asgjë më shumë a më pak se ‘formidable’. E tillë ishte ajo lëkundje nën tingujt e këngës së kantautorit belg Stromae (Paul Van Haver): “Formidable”! Gjergj Xhuvani dhe Fatos Baxhaku, dy mendje të bukura, këndonin së bashku, ndoshta për herë të fundit.baxhaku


Një vit më parë, i pari që iku ishte Gjergji. Në një mënyrë tërësisht të pabesë, larg vendit të tij, larg miqve, në mes të punës, në Romë. Kur ende nuk ishte tharë loti dhe një habi e dhimbshme kishte pushtuar këdo, pavarësisht në e njihte apo jo atë, një lajm i trishtë do trondiste botën mediatike shqiptare. U shua Fatos Baxhaku.

Por ndryshe nga Gjergji, ai e dinte, e priste… Veçse, me atë natyrën e tij të qetë, të përmbajtur, që nuk donte të bezdiste askënd, e kishte ndarë këtë pritje, me fare pak njerëz. Dhe ikja e tij ishte po aq e rrufeshme dhe e dhimbshme sa ajo e Gjergj Xhuvanit. Dhe ishte ato ditë që në rrjetet sociale qarkullonte një video e të dy miqve, teksa këndonin “Formidable”.

Një moment unik i dy njerëzve të rrallë. Dhe kështu u mbush viti pa Gjergj Xhuvanin dhe Fatos Baxhakun. Një vit i vështirë, i pa të dytë, që duket se filloi me vdèkjén e tyre për të vijuar me tërmete pas tërmetesh, me të vdèkúr e me një pandemi, që duket sikur nuk do të na shqitet.

Për shkak të kësaj të fundit ka qenë e pamundur organizimi i një përkujtimoreje si çdo njëri prej tyre e meritonte. Pak ditë më parë, të afërmit e Baxhakut organizuan një përshpirtje vetëm me njerëzit e afërt, edhe pse janë të shumtë ata që do të donin të ishin aty, të flisnin qoftë edhe me heshtje apo me një qiri të ndezur për Baxhakun, këtë fisnik të gazetarisë shqiptare, fjalëpakë e punëshumë, që diti të ruajë integritetin e vet profesional, në këto kohëra të shëmtuara, kur profesioni dhe ideali kthehen në një plaçkë që shitet dhe blihet.

Mbështet ShkodraWeb Media

Unë nuk e njihja personalisht Baxhakun. Më kishte rënë rasti të komunikoja me të disa herë, të shkëmbeheshim në aktivitete të ndryshme. Nuk di të them se përse kemi folur, por e sigurt është, që kur kthej kokën pas, e di arsyen se përse jam bërë gazetar.

Sepse kam lexuar shkrimet e Fatos Baxhakut. Ato në “Gazetën Shqiptare” e më pas në revistën “Klan”, për të mbërritur në reportazhet e gazetës “Shqip”.

E pamundur të mos lexoje me kënaqësi çdo shkrim të tijin për shkak të gjuhës së pasur dhe të pastër, mënyrës së përshkrimit apo identifikimit të problemit, mënyra sesi trajtonte një çështje me karakter social apo si përshkruante një krahinë, një fshat, një rrugë…

Është e sigurt që ai pa e ditur u kthye në një shkollë gazetarie, jo vetëm për mua, por për të gjithë ata, që si unë nuk kishin zgjedhur si profesion të parë gazetarinë. Por, në njëfarë mënyre, ai na ndryshoi jetën të gjithëve, duke na treguar se si duhej shkruar, se si duhet të ishe i ndershëm në punën tënde dhe t’i shërbeje vetëm një misioni e qëllimi: Atij të informimit të publikut.

Me ikjen e Baxhakut, iku një nga punëtorët më të palodhur dhe më të ndershëm të gazetarisë shqiptare, një njeri kreativ, gjithnjë me ide të reja, jo vetëm në gazetari, por edhe lëmenj të tjerë të kulturës, antropologjisë e historisë.

Një njeri i mirë, ndoshta më i mirë se ç’duhej për këto kohë tallazesh, që edhe me ikjen na la një mësim të madh, atë të modestisë së jashtëzakonshme. Sot, një vit pas ikjes së tij, gati u harrua se përse ai iku, sëmundja e rëndë që i mori jetën… Por të gjithë e kujtojnë (ose ata që duan ta kujtojnë) që ai ishte ‘Formidable’! /Nga Alma MILE/

ShkodraWeb Media 2017 – 2020 © TË GJITHA MATERIALET NË KËTË FAQE MUND TË PËRDOREN LIRISHT NGA INDIVIDË E MEDIA, DUKE CITUAR NGA JANË MARRË. FALEMINDERIT!

ShkodraWeb Channel
ShkodraWeb Marketing