
Fushata elektorale ka kosto financiare. Madje, një kosto jo të papërfillshme. Në vende të ndryshme, si për shembull në SHBA, kandidatët për president, senatorë apo deputetë, organizojnë takime, mbrëmje apo edhe fushata për grumbullimin e fondeve. Presidenti aktual Donald Trump, edhe pse miliarder dhe pasanik i njohur, për dy fushatat e tij elektorale, kërkoi para nga publiku apo grupet e interesit. Në korrik të vitit 2024, Trump kishte mbledhur 327 milion dollarë për financimin e fushatës së tij, nga e cila me 20 janar të këtij viti, u fut edhe një herë si president në Shtëpinë e Bardhë. Në fushatën e dytë, që pa president me 20 janar 2021 Joe Biden, Trump dhe Partia Republikane mblodhën 1.1 miliardë dollarë fonde dhe shpenzuan 800. Konkretisht, Trump mblodhi 476 milion dollarë, ndërsa presidenti i zgjedhur Biden 531 milion dollarë.
Mesazhi është i qartë dhe i kuptueshëm: Zgjedhjet kanë kosto të lartë, operative por edhe mediatike. Për shembull, zgjedhjet në SHBA në vitin 2020, kushtuan 11 miliardë dollarë. Çdo gjë në fushatë, ka kosto. Politikanët profesionistë e dinë dhe janë të detyruar ta zbatojnë aksiomën e përbotshme. Përndryshe, nuk futen fare në garë, qofshin edhe “kokat” më të ndritura të shteteve apo kombeve. Madje, edhe emra të njohur ndërkombëtarisht, janë në telashe apo janë dënuar pikërisht për financime të paligjshme të fushatave. Rasti i Sarkozi, ndoshta është më i famshmi.
Po në Shqipëri, si dhe çfarë ndodh? Në Shqipëri, zyrtarisht nuk ka fushata për mbledhje fondesh për fushatë. Shteti ynë, meqë është “shumë i pasur”, u akordon fonde partive që garojnë në zgjedhje, sigurisht, sipas peshës së tyre elektorale. Për zgjedhjet e 11 maj 2025, KQZ shpërndau rreth 1.3 milion euro fonde, të ndara si më poshtë:
1. Partia Demokratike (PD) 44.818.545
2. Partia Republikane (PR) 2.689.112,70
3. Partia Lëvizja për Zhvillim Kombëtar (LZHK) 896.370,90
4. Partia Socialiste e Shqipërisë (PS) 65.291.390
5. Partia e Lirisë (PL) 9.140.730
6. Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet (P.D.I.U) 1.792.735
7. Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut (PBDNJ) 896.370,90
8. Partia Agrare Ambjentaliste (PAA) 896.370,90
9. Partia Lëvizja e Legalitetit (PLL) 896.370,90
10. Partia Socialdemokrate (PSD) 3.015.375
11. Partia Nisma Thurje (NISMA) 868.445
Pra, partitë politike, rrjedhimisht edhe kandidatët për deputetë, të paktën teorikisht, duhet të kenë fonde. Me një përllogaritje të thjeshtë matematikore, një nga 186 kandidatët për deputetë të PS- së, mund të marrin nga KQZ rreth 3.5 milion lekë të vjetra; një nga lista e PD- së rreth 2.4 milion lekë të vjetra e me radhë. Këtu nuk llogariten fondet e përvitshme që përfitojnë nga buxheti i shtetit partitë politike. Madje, për zgjedhjet e 11 maj 2025, qeveria miratoi edhe një fond shtesë rreth 1.5 milion euro për partitë politike, në total, rreth 2.8 milion euro. Ndërkohë, për vitin 2024, 11 parti politike morën po nga buxheti i shtetit, pra lekët e taksapaguesve shqiptarë, më shumë se 3.4 milion euro.
Pra, pak a shumë partitë shqiptare, për zgjedhje dhe për aktivitetin e tyre, kanë në dispozicion rreth 6.2 milion euro. Pyetja kryesore, është ku shkojnë këto para, kur kandidatë për deputetë, nga Vermoshi në Konispol, thonë se po shpenzojmë nga “paratë tona”, “po ua heqim familjeve”, “po paguajmë çdo gjë vetë”?! Madje- madje, shqetësohen kur hapësirat mediatike, të të gjitha llojeve, nuk u jepen falas, makar me koston e një filxhani kafeje që nuk kanë t’ja nxjerrin as atyre që takojnë. Dhe më interesantja akoma, është se, partitë që nuk kalojnë pragjet ligjore të numrit të votave, nuk i kthejnë paratë në buxhetin e shtetit, siç është detyrimi.
Tek shifrat e mësipërme, nuk llogariten paratë e “dhuruara” me letra, ato pa letra dhe të tjera në “natyrë”, si për shembull mijëra litra karburant, të cilat në fakt preferohen më shumë se “paratë e thata” në disa raste. Nëse paratë “ngelen në qendër”, nëse paratë nuk arijnë deri tek baza, tek kandidatët për deputetë, nuk është faji i fushatës së “kushtueshme”, as i qytetarëve që i dhanë por as i kandidatëve. Këta të fundit, para se të “qajnë” apo më keq, “të vënë kujën”, “të masin prapanicat” dhe të kujtohen: a kanë bërë ndonjëherë, ndonjë gjë falas për qytetarët, ata që mbushin buxhetin e shtetit nga ku burojnë të paktën për këtë vit, rreth 7 milion euro për partitë, siglat e të cilave përfaqësojnë? E këtu, nuk po flasim për shitblerje “vulgare” të votave, me para, origjina e të cilave nuk mësohet asnjëherë. Nëse ndonjëri, ka hyrë në fushatë “për të bërë lek”, kjo është çeshtje tjetër. Por mjaft me ankesa, të qara, lutje e përshpirtje, një pjesë tashmë po bëhen të përshtirë, para apo pas zgjedhjeve, edhe meme. /ShkodraWeb/