OPINION – “Fundi i marrëzisë” pas 10 viteve rikthehet si “Fillimi i lumturisë”, pak ditë pas zhdukjes së “boss”-it të lojrave të fatit

Sapo erdhi në pushtet në vitin 2013, Edi Rama nisi atë që njihej si operacioni “Fundi i marrëzisë”. U shenjestruan lojrat e fatit dhe bastet sportive, të cilat u panë si e keqja e madhe e ekonomive familjare, duke sjellë thellim të varfërisë. “Fundi i marrëzisë” ishte operacioni policor që shënoi një nga sukseset më të mëdha për ish- ministrin e brendshëm Saimir Tahiri, sot i burgosur për shpërdorim detyre.

Pa u mbushur 10 vite nga “Fundi i marrëzisë”, pritet të fillojë një tjetër operacion, “Fillimi i lumturisë” për lojrat e fatit dhe bastet sportive. Në pritjen e kampiones së Europës Luiza Gega, kryetari i KOKSH- it Fidel Ylli, ia kërkoi përballë kryeministrit Rama rikthimin e lojrave të fatit dhe basteve sportive. Tashmë, Rama ka njoftuar fillimin e konsultimeve për të parë mundësinë e rikthimit në vitin 2013.


Ashtu siç i kufizoi, qeveria dhe mazhoranca aktuale kanë të gjithë mekanizmat e nevojshëm për të rikthyer lojrat e fatit dhe bastet sportive në Shqipëri. Por më përpara, lind detyrimi të raportohet se sa miliardë janë arkëtuar më pak në buxhetin e shtetit nga mbyllja e lojrave të fatit dhe basteve sportive? Po ashtu, detyrimi tjetër edhe më i madh, ndërsa të gjithë e dimë se lojrat e fatit dhe bastet sportive kanë lulëzuar online dhe jo vetëm, ku kanë përfunduar fitimet kolosale nga ky biznes?

Në aspektin financiar të ekonomive familjare, si mund të justifikohet rikthimi online apo edhe fizik i lojrave të fatit e basteve sportive? Janë pasuruar familjet shqiptare nga 2013, kanë më shumë të ardhura e para që mund të fillojnë ti shpenzojnë në këtë biznes? Si mund të justifikohet nga qeveria pas gati 10 viteve një prapa- kthehu e plotë, me dëme për ekonominë e vendit?

Prej datës 9 gusht, po flitet shumë për zhdukjen e Ervis Martinaj. Ai njihej nga të gjithë si “mbreti” i lojrave të fatit dhe basteve sportive, të cilat i kishte thuajse monopol. Madje, pavarësisht se zyrtarisht ishin të mbyllura, Martinaj përflitet për një kapital financiar të fituar në rendin e 600 milion eurove. A ka apo a mund të ketë ndonjë lidhje mes rikthimit të këtij biznesi dhe zhdukjes së “mbretit” të tij Ervis Martinaj? Mbase edhe për këtë pyetje qeveria ka detyrimin të japë një përgjigje publike. /Nga Blerti DELIJA/