
“Lufta” për pushtetin në Shqipëri, është zhvendosur prej muajsh e sidomos nga 11 janari 2025, jashtë vendit. Jo vetëm dy partitë e mëdha PS dhe PD por edhe të rejat, kanë nisur turet në diasporën shqiptare. Jo vetëm dy koordinatorët respektivë Taulant Balla dhe Jozefina Topalli, por edhe të tjerë përfaqësues politikë, “po marrin rrugët e botës”.
Partia Demokratike, sikur nuk po artikulon më kushtin e saj “në zgjedhje me qeveri teknike pa Ramën kryeministër”. Mbase mendon se përqendrimintek votuesit potenciale jashtë Shqipërisë, do ta afrojë më shumë me fitoren, teksa brenda vendit, duket se “loja e numrave” është kryer. Tashmë me Berishën të lirë, PD synon të arrijë rezultat më të mirë se Basha në 2021.
Partia Socialiste parandjen se me vetëm votat brenda vendit, mandati i 4- ët nuk është i sigurtë. Aq më shumë kur edhe sondazhet pranë saj, nuk e nxjerrin aq thellë fituese. Prej javësh tashmë, Rama po kërkon të punohet fort për votën e disaporës. Zyrtarë të niveleve të ndryshme, ashtu si edhe nga PD në fakt, kanë nisur rrugëtimin në vende të ndryshme.
Ndërsa zyrat elektorale në Shqipëri hapen muajin e fushatës elektorale, në disaporë janë hapur prej javësh. Detyra e tyre është të “orientojnë” se si bëhet regjistrimi për të votuar por në fakt, kanë të njëjtin funksion si ato që do të hapen më pas në Shqipëri. Po ashtu, kanë nisur të aktivizohen edhe “vullnetarë”, të cilët angazhohet maksimalisht, edhe pa e “çarë kokën” çfarë do të çojnë në familje në fund të muajit…
Për fushata elektorale, të gjitha partitë politike harxhojnë miliona, lekë apo euro e dollarë sipas “takatit”. Me votimin në diasporë, “harxhet” rriten. Në një farë mase, kush ka më shumë para dhe resurse njerëzore, do marrë më shumë “fryte” nga diaspora shqiptare.
Të gjitha partitë, të vjetra e të reja, janë të bindur se vota e diasporës do ndikojë në rezultatin e zgjedhjeve të 11 maj 2025. Nën këtë frymë, gati- gati po harrojnë shqiptarët e Shqipërisë për të marrë pas shqiptarët jashtë saj. Për dy partitë e mëdha, Jozefina Topalli dhe Taulant Balla kanë përgjegjësinë më të madhe për votën e diasporës. Nga puna e tyre, do të varet fati i Berishës dhe i Ramës. Të paktën kështu mendojnë një pjesë e shqiptarëve pë 11 maj 2025… /Shënim i ShkodraWeb/