OPINION – Farsa për zgjedhjen e presidentit- kukull të vendit e ka zanafillën në vitin 2008…

Zgjedhja e Presidentit të Shqipërisë, do të duhej të ishte një “ushtrim demokracie” nëse duam të flasim me gjuhën e matematikës për Kushtetutën e miratuar në vitin 1998. Ligji themeltar i shtetit, edhe pse u miratua në mënyrë të njëanshme, pa përfshirjen e opozitës së kohës, kishte largpamësinë të detyronte kompromis për emrin e kreut të shtetit, duke kërkuar 3/5 ose 84 vota deputetësh. Nëse kjo nuk arrihej, Kuvendi shpërndahej dhe parlamenti pasues e zgjidhte presidentin me 71 vota, po as aq duhen për të mbështetur një kryeministër e qeveri.

Aktualisht, pas ndryshimeve të vitit 2008, Kuvendi ka detyrim për shumicë të cilësuar për zgjedhjen e kreut të shtetit vetëm në tre votimet e para. Në dy të fundit, mjaftojnë 71 vota deputetësh. Tre raundet e para, janë thjesht farsë me Kuvendin, Kushtetutën e shqiptarët, për aq kohë sa edhe pa paraqitur kandidatë, votimi konsiderohet i konsumuar. Në mungesë totale konsensusi dhe në pamundësi zgjedhjesh të parakohëshme si kërcënim, tre raunde kalojnë si në asgjë.


Shkurt, ai që ka marrë votat për kryeministër, ka numrat e mundësitë të zgjedhë presidentin, i cili nuk është asgjë më shumë se noter i qeverisë së radhës. Me gjasë, kështu do të ndodhë edhe sivjet dhe me shumë mundësi, Edi Rama e ka përcaktuar emrin e presidentit të ri të vendit, burrë apo grua. E gjithë ajo që konsumohet në media e rrjete sociale, në krahun e mazhorancës dhe atë të opozitave (pese fatkeqësisht nuk është vetëm 1), është “mel” për qytetarët.

Në këtë mënyrë, rrëzohet që në zgjedhje parimi thelbësor kushtetuese “Presidenti i Republikës është Kryetar i Shtetit dhe përfaqëson unitetin e popullit.” (Neni 86, pika 1 e Kushtetutës). Të paktën ky nen, në vitin 2008 kur u bënë ndryshimet kushtetuete, duhej ridimensionuar. I zgjedhur me votat e vetëm një pale politike, qoftë ai edhe kandidati më i baraslarguar nga krahët politikë, paragjykohet që në nisje të mandatit.

Kushtetuta “e vjetër”, parashikonte edhe një rol të qytetarit në zgjedhjen e presidentit. Sigurisht indirekte, por pse jo me ndikim të shumëfishtë. Së pari, pas shpërndarjes së parlamentit në pamundësi të zgjedhjes së kreut të shtetit, “fjala” kalonte direkt tek sovrani popull. Ai kishte mundësi të konfirmonte shumicën parlamentare bazuar edhe në preferencën e saj për kreun e shtetit, siç edhe mund të premionte opozitën dhe kandidatin e saj, duke i dhënë mbase edhe mundësinë e ardhjes në qeverisje të vendit përmes këtij procesi.

Sipas gjasave, këtë “kalvar” kanë dashur të parandalojnë ideatorët e ndryshimeve kushtetuese të 2008- ës. Mbase duke menduar se pushtetit zgjat përjetësisht. Kryesisht, për të privuar qytetarët nga një “ushtrim demokracie” por edhe për ti shmangur vetes surpriza të pakëndshme, siç është rrëzimi nga pushteti për moszgjedhje të presidentit të vendit me shumicë të cilësuar.

Nga 2008- a, zgjedhja e një presidenti shqiptar është thjesht dhe vetëm një farsë. Një klasë politike e përgjegjshme, duhet të përfshijë qytetarët e vet në “ushtrime demokracie”, sidomos pas 45 viteve diktaturë e mbi 500 të tjera pushtime. Nëse nuk duan ta realizojnë këtë përmes parlamentit që shpërndahet, atëherë mund ta bëjnë përmes zgjedhjes direkte të kreut të shtetit nga qytetarët shqiptarë.

Por paralelisht me këtë ndryshim kushtetues, do të duhej që të ridimensionoheshin kompetencat e kreut të shtetit në një republikë, e cila sidomos nga 2008- a, më shumë se parlamentare është kryeministrore. A do ti interesonte një kryeministri të plotfuqishëm si sot të kishte një president më të fuqishëm se ai, i zgjedhur me votë direkte nga qytetarët?! /Nga Blerti DELIJA/