
Protesta e konsideruar për Zvërnecin apo “Revolucioni Flamingo” (shpendët e famshëm, tashmë thuajse të harruar edhe si slogan!) natyrshëm pritej të evoluonte, të zhvillohej me kalimin e ditëve. Edhe pse sot është vetëm dita e 15- të e saj, ajo nuk duket e strukturuar shumë ideologjikisht apo me parime. Vazhdon të mbetet konglomerat fluksesh nga më të ndryshmet, kombëtare e lokale. Madje, edhe kreativiteti i parrullave, nuk po sjell shumë risi interesante. As instalacione të tipit “Këpucët e atyre që kanë ikur nga Shqipëria”, por që dukshëm janë fringo të reja nga dyqani, nuk ngjall shumë emocion. Gati- gati, protesta po futet në monotoni, edhe në atë çfarë artikulohet me mikrofon të amplifikuar apo megafon. I vetmi rregull është garantimi i fonisë dhe “përzgjedhja” e atyre që flasin. E njëjta gjë edhe në studiot televizive, ku kjo temë vijon të ngjallë audiencë, mesa duket. Risia e madhe, e cila në fakt mund dhe duhet të komentohet, është transmetimi “live” nga Tirana i kësaj proteste nga agjencia prestixhoze e lajmeve, Reuters. Por me gjasë, mund të jetë një temë tjetër në ditët në vijim.
Për tu kthyer tek evoluimi, më i dukshmi është ai i qasjes ndaj “binomit të së keqes” së këtij vendi, dyshja Rama- Berisha. Të dy bashkë, deri tani, nga 35 vite tranzicion, e kanë qeverisur Shqipërinë 26 vite. Nëse do të komentohet edhe komponenti negativ përveç arritjeve që natyrshëm ky vend ka shënjuar edhe për meritë të tyre, jo pa të drejtë mund të quhen përgjegjës. Me veprime dhe mosveprime përgjatë qeverisjeve respektime, me apo pa dashje, me skenar apo spontane.
“Frymëzimi” fillestar, duke tentuar “zgjimin” e të pakënaqurve nga 35 vite tranzicion, ishte pikërisht asociimi i Ramës dhe Berishës si bashkëpërgjegjës. Parrulla “Rama në burg, Berisha në burg”, ishte ajo që ushtonte thuajse pandërprerë, në protestat e Tiranës por edhe ato të qyteteve të tjera. Izolimi i parë i togfjalëshit të dytë të kësaj shprehje, u konstatua në ditën e parë ndër tre që u bënë në Shkodër. Thirrjet “Rama në burg, Berisha në burg” dëgjoheshin jo aq shpesh, ndërsa e vetmja pankartë në tubimin para bashkisë, u bë tub për tu mbajtur në dorë e pahapur.
Edhe në protestën e Tiranës, thuajse e njëjta gjë, por disa ditë pas Shkodrës që mesa duket shërbeu si shkëndijë. Berisha, pak orë para se ti njoftohej heqja e “non grata” nga SHBA, pozicionoi haptas PD- në në mbështetje të protestave. Mesa duket, kjo ishte edhe nxitja që binomi Rama- Berisha, barasvleftësisht fajtorë sipas protestuesve, të thërritet më rrallë siç edhe të jetë parrullë e shkruar më pak. Berisha, e përsëriti edhe pasi iu hoq “non grata” se e mbështet protestën por nuk del në shesh për të mos e politizuar.
Në fakt, që në ditën e parë, protesta është e politizuar. Duke nisur nga ata që janë shfaqur në krye e në mbështetje, si nga partitë e reja, por edhe e ashtëquajtura “shoqëri civile”, shenjestrojnë klasën e vjetër politike, duke kërkuar eliminimin e saj. Por tashmë, gradualisht protesta po kanalizohet si protestë opozitare, marre duke bërë të vetat edhe kauzat e PD- së, opozitës më të rëndësishme të vendit. Që nga koha e Lulzim Bashës e deri më sot, të gjitha tezat apo artikulimet e protestave, janë të njëjta, veçse të shprehura disi më ndryshe.
Tashmë shenjestra e vetme është Edi Rama, kryeministri i vendit, i cili për rreth 13 vjet qeveris këtë vend dhe pretendon jo vetëm të shkojë në fund mandatit, por të marrë edhe një tjetër në 2029. Rama ka mbetur vetëm si e “keqja e këtij vendi”. Çfarë ndikimi do të ketë në këtë protestë, mbase bashkë me ardhjen e ambasadorit të ri të SHBA në Tirane, mbetet të shihet. Por qartazi, tashmë është një protestë opozitare, jo thjesht dhe vetëm popullore, edhe pse brenda saj ka edhe njerëz që besoj vertetë se është kundër establishmentit aktual politik. Pikërisht këta të fundit, mbase pa dashje dhe në vullnet të mirë për ndryshime, kryesisht ekonomike, po ndikojnë që skenaristët, oreganizatorët dhe realizuesit në terren të kësaj proteste, sot dhe nesë, të marrin më shumë përfitime/bonuse. Jo detyrimisht financiare, edhe pse është e qartë se ka një fuqi ekonomike jo të papërfillshme pas saj. Interesant është fakti i ngritjes së përditshme në protestë të qytetarëve të Tiranës, të cilët natyrisht janë pjesëmarrësit më të shumtë në numër. Problemet ishin të njejtat edhe para 15 ditëve, pse u “snsibilizuan” pikërisht në këtë moment?! Edhe kjo, temë tjetër, në ditët në vijim! /Nga Sokol N. SOKOLI/




