Plan djallëzor, lajthitje apo “humor i zi”? Në mes këtyre alternativave luhatet ajo që po konsumohet ditët e fundit në raportin e kryeministrit jo vetëm me mediat por edhe me qytetarët. E sot, “në valle” u fut edhe ministri i brendshëm, i cili iu drejtua një drejtori të njërës prej bashkive qëu morën me 30 qershor, pak a shumë siç u drejtohet shefi i qeverisë medieve e qytetarëve: Mos përhap panik!
Nxitimi për të fshirë nga faqja e dheut pallatet që qëndruan në këmbë të paktën pjesërisht, edhe pse mbase nuk janë të banueshme, mund të konsiderohet edhe si tentativë për të fshirë gjurmët e përgjegjësisë njerëzore për përmasat fatale të tërmetit. Sigurisht, një grumbull inertesh, i rrëzuar me eksploziv, vështirë të lërë pas gjurmë të besueshme në formën e provave për të identifikuar përgjegjës të mundshëm. Sigurisht, zyrtarisht po hiedhn në erë për të parandaluar përdorim nga qytetarët të apartamenteve ose për të mos lejuar shembjen nga një termet tjetër.
Por përsëri porosia kryesore mbetet: Mos përhapni panik! Nën ushtimën e eksplozivit, vetëm pak metra nga vendet ku humbën jetën 51 shqiptarë, një porosi e tillë mund të konsiderohet lajthitje. Duke njohur natyrën hokatare të kryeministrit, e kthyer në trend mbase edhe nga ministrit, në rastin më të mirë mund të konsiderohet “humor i zi”.
Njerëzve u ndalohet të kujtojnë momentet e vështira, ankthin e termetit të përjetuar nën rrënoja, me humbje të jetës së familjarëve apo edhe thjesht si dëshmitarët të kataklizmës. Duhet të mbyllin gojën, sidomos para medieve ose para “të mëdhenjve”. Sepse po përhapin panik!
Ndërkohë, shpërthimet me eksploziv të pallatave, nuk janë panik! Lajmet zyrtare nga qeveria e madhe apo “qeveritë e vogla” për pallate të dëmtuara, në rrezik shembje apo ku nuk duhet as të kalohet, nuk janë panik! Jo, sepse dalin me bekimin e kryeministrit!
Por mos harroni! Me dikë duhet “të kapet” që të ndjehet “i gjallë”, “i rëndësishëm”, “hokatar”, “i preferueshëm”, “dialogues batutaxhi”. Edhe pse në fakt, duhet të bëjë vetëm një punë, për të cilën paguhet: Kryeministrin! Që mund ta bëjë, veç të tjerave, edhe pa dalë fare në ERTV apo TV. Madje mund ta bëjë më mirë, më me efikasitet dhe me urimin nga pas: Hallall plako rrogën që të japim çdo muaj! /Shënim i ShkodraWeb/