Qerim Ismailaj, kryetar i Bashkisë së Mallakastrës dalë nga “30 qershori”, ka publikuar pak minuta më parë disa bordero të fundit të vitit 1999 dhe fillimit të vitit 2000. E gjithë kjo sforco e një “qytetari të parë”, për t’iu përgjigjur një pyetjeje të Partisë Demokratike: Çfarë të kujton data 25 shkurt 2000?
Zotëria, duket qartë se jo vetëm nuk ka eksperiencë në fushën ku është hedhur apo e kanë hedhur por nuk ka as këshilltarë të zgjuar. Ashtu siç nuk kanë patur para tij as tre të tjerë kryebashkiakë, dy tashmë të larguar dhe në telashe me drejtësinë (Shkodër, Vorë) dhe një tjetër në pritje të përgjigjeve (shumë të vonuara) të Prokurorisë (Vau Dejësi).
Partia Demokratike e ka deklaruar prej kohësh që po studion të kaluarën e kryebashkiakëve socialistë të “30 qershorit”. Janë publikuar katër deri tani, por sipas gjasave do të ketë edhe të tjerë. Për shumë arsye, por një është më e thjeshta: Politika i zgjedh për ti katapultuar, ata që i ka të lehtë ti komandojë. Aq më tepër, kur kandidimi në kushtet e “30 qershorit”, është emërim i hipotekuar. Pra, kryebashkiak 100% i sigurtë.
Prezumimi, deri në një vendim të formës së prerë të gjykatave shqiptare e madje evropiane (GJDNJ), për Ismailajn, Pjetrin, Kajmaku- Toton e Ismailajn, është se ata janë të pastër para ligjit. Edhe pse ndonjëri prej tyre, po i fshihet drejtësisë si djalli- temjanit.
Ajo që duket i ka munguar “katër musketierëve”, përveç këshillimit të duhur, është durimi. Për vetë pozicionet e rëndësishme si administratorë vendorë “të zgjedhur” apo votuar nga qytetarët, duhet të kenë durimin dhe besimin tek institucionet e drejtësisë, në këtë rast, Prokuroria. Për të gjithë do të mjaftonin pak rreshta. “Përsa e njoh unë veten, për të ndershëm e njoh”, siç deklaronte edhe Jovan Bregu. “Të lëmë institucionet të veprojnë dhe nëse vërtetohen akuzat e PD-së, largohem”, mund të shtonte Jovan Bregu në rrethana të ngjashme.
Problemi është se besimi tek partia vazhdon të jetë më i madh se tek drejtësia. Përpara se të mendosh të dalësh faqebardhë, edhe pse duke lënë ndoshta karriken, duhet menduar për ti shpëtuar fytyrën politikisht partisë që të propozoi në krye të herës. Të paktën, për momentin.
Dy rreshta edhe për borderotë që kryebashkiaku Ismailaj ka publikuar. Çfarë tregojnë ato fotokopje? PD nuk e ka akuzuar se nuk ka punuar mësues, as që nuk ka marrë rrogë për punën e bërë, as që nuk ka firmosur në bordero. Çfarë është më e rëndësishmja, nuk ia ka përmendur “burgosje”, “dënim me burg” që me borderotë e firmosura, mund të tregohet deri diku, se ka qenë i lirë në detyrë si mësues. PD i kërkon Prokurorisë të verifikojë nëse subjekti është arrestuar/ndaluar dhe këtë fakt, nuk e ka deklaruar para kandidimit në formularin e depozituar në KQZ. Mbase dikush duhet t’ia shpjegojë, nëse nuk ka dëshirë të vazhdojë të bjerë në “grackën” politike të PD- së! Të paktën “jam i pastër, akullore”, nuk po dëgjojmë më këto ditë të acarta. /Nga Sokol N. SOKOLI/