Qyteti im, Shkodra humbi dje një njeri të mirë, një mësues të ndershëm dhe një burrë e baba të përkushtuar. Nuk e pata fatin ta njoh personalisht Gazjonin përpara letrës që u përhap si era në internet të dielën, me shpresën për tu bërë bashkë shqiptaria e për t’ia shpëtuar jetën një njeriu të mirë e të drejtë. Por ai u nda në paqe nga kjo jetë, pa pritur ta provonte bujarinë tonë.
Gazjoni e humbi betejën me sëmundjen, pak nga pak çdo ditë, përpara syve të mjekëve që nuk mundën ta shpëtonin dot. E njoha Gazjonin nga lutjet e shumta dhe mijëra urime të njerëzve të qytetit tim. Nëse të gjithë bashkë do të kontribuonim secili nga 1 euro, ndoshta Gazjoni do ia dilte të kishte mundësinë të kurohej nga një sistem shëndetësor më i aftë se ky që ofron vendi ynë… E ndoshta sot do të mund të lexonim një letër falenderimi, të shkruar thjeshtë por me fjalë zemre të pastër. Ndoshta jo!
Nuk kam dashur të komentoj letrën publike të zonjës Vilma Nushi, shkruar pak ditë më parë nga shtrati i spitalit, tek po vuante të njëjtën sëmundje si Gazjoni. Por sot, në respekt të familjes së të ndjerit nuk mund të hesht.
Zonja Nushi, ju mund t’ia kishit kursyer shqiptarëve të thjeshtë atë letër përshëndetëse, mbushur me mllef e të pavërteta. Askush nuk ju fajëson për vdekjen e askujt. As nuk besoj se ju personalisht jeni shkaktare e problemeve të këtij vendi. Por nëse ju e patët fatin të hipni në një avion privat dhe të mjekoheni në spitalin më të mirë të Turqisë, Gazjonit nuk ju dha mundësia as të hipte me këmbët e veta në ambulancën e qytetit për të shkuar në një spital më të specializuar në Tiranë.
E dërguan pasi gjendja ishte pothuajse e parikuperueshme, nga ky sistemi i kalbur ku edhe ju keni kontribuar në degradim. Në një fjali të letrës tuaj shpreheni se “jeni e gëzuar për taksat që i keni paguar shtetit për të ndërtuar shkollat, spitalet e rrugët që ecim unë dhe ti”. Sa të pavërteta ka vetëm në këtë fjali… A jeni e sigurt zonjë që po kuroheni në të njëjtin spital ku qëndroi i intubuar për disa ditë Gazjoni? A jeni e sigurt se fëmijët i keni shkolluar në të njëjtën shkollë, ku vajzat e mësuesit të ndershëm nuk do të shohin më të atin që ti presë tek dera e shkollës në fund të mësimit? Mos ndoshta keni zgjedhur spitalet, shkollat dhe hotelet më të mira të botës për tu mjekuar, shkolluar e pushuar? Kjo është një e drejtë e juaj, por jo e të gjithëve bashkë!
Edhe Gazjoni punoi me ndershmëri dhe i pagoi të gjithë taksat me dëshirë, por shteti nuk i dha asgjë në këmbim. E nëse vetëm në këtë fjali të letrës tuaj ka kaq shumë bezdisje e të pavërteta, pjesa tjetër nuk më intereson dhe as më emocionon.
Të Allahut jemi e tek ai do të kthehemi!
Në këtë jetë nuk na mbajnë lutjet e njerëzve dhe aq më pak na largojnë nga kjo botë mallkimet. Por shpirti mbushet plot kur sheh se me gjeste të vogla mund të bësh çdo ditë vepra të mëdha, si Gazjoni, mësuesi i matematikës që sot e nderon dhe respekton një qytet i tërë. Të qoftë i lehtë dheu o njeri me vlera, që vetëm sëmundja të nxorri në sipërfaqen e zullumit që na ka mbuluar të gjithëve e po na merr shikimin e frymën ditë pas dite… /Nga Eli GOLEMI, publikuar në Facebook/