Kuvendi i Shqipërisë u mblodh sot sërish dhe rrëzoi një tjetër dekret të Presidentit të vendit. Hartoi një rezolutë, ku edhe dekretin për emërimin e një antari të Gjykatës Kushtetuese të kreut të vendit, e konsideroi nul. Ekzaktësisht si atë të anulimit të votimeve të 30 qershorit, i cili udhërrefeu KQZ-në për ti shkuar deri në fund farsës që të gjithë e dimë dhe që jo pak po e vuajnë mbi kurriz. Është dekreti i dytë që Kuvendi i rrëzon kreut të shtetit, në dy kompetenca, ku as Kushtetuta dhe as ndonjë ligj specifik nuk i jep kompetencë asnjë institucioni tjetër përveç Presidentit të Republikës.
Për të kuptuar kaq, nuk ka nevojë aspak të jesh jurist apo konstitucionalit. Në asnjë germë të Kushtetutës e ligjeve në fuqi nuk thuhet se dekreti (edhe i jashtëligjshëm po të doni!) i Presidentit për dekretim apo çdekretim zgjedhjesh shpallet nul nga Kuvendi. Në asnjë rresht Kushtetuta apo ndonjë ligj organik nuk përmend që një dekret i Presidentit të vendit pët emërimin e një antari të Gjykatës Kushtetuese, mund të rrëzohet nga Kuvendi. Raporti i dekreteve që janë ekskluzivitet i kreut të shtetit me Kuvendin, kur ky i fundit ka të drejtë ti shqyrtojë e rrëzojë (nëse nuk i pranon), përcaktohen qartë nga e varfra Kushtetuta jonë. Mjafton të dish shqip për të kuptuar se duke lexuar Kushtetutën se vetëm Gjykata Kushtetuese i shqyrton e rrëzon dekretet e Presidentit për dy çeshtjet e mësipërme. Në fakt, një përgjigje indirekte Kuvendit, ia dhanë sot 5 antarët (më në fund!) që u atashuan si pjesë e Gjykatës Kushtetuese, duke mos marrë aspak në konsideratë rezolutën e sotme të parlamentit.
E varfra Kushtetuta jonë, e cila edhe një javë feston ekzaktësisht 21 vite të miratimit me referendum popullor, është kthyer në një leckë për të fshirë nga balta opingat e 122 deputetëve, nga Veriu në Jug.
Para 21 viteve, kjo Kushtetutë lindi për të jetuar gjatë, e pandryshuar dhe për të qenë guri i themelit i “këtu fillon e ardhmja”, siç shkruhej në kopertinën e botimit të saj të parë.
E varfra Kushtetutë, përmblodhi në rreshtat e saj përvojën e shteteve të ndryshme, në kapitujt e saj, me synimin e krijimit të një “check and balance” në mes institucioneve. Gjyqësori, ekzekutivi dhe legjislativi, duhej të ishin të harmonizuar në zbatim të parimit.
Sot, pas 21 viteve, kur e varfra Kushtetuta jonë është marrë nëpër këmbë (jo nëpër duar!) të paktën 10 herë, nuk ka asnjë funksion. Kufiri ndarës në mes pushtetit ekzekutiv dhe legjislativ, është zhdukur. Kryeministri komandon në çdo hapësirë të këtij trupi amorf të krijuar që i ngjan përditë e më shumë amebës, njëqelizorit më të vogël që ekziston mbi glob. Pushteti gjyqësor, po kthehet gradualisht në zgjatim të pushtetit kryeministror, përmes një procesi si vetting-u, i cili përditë e më shumë po fut ujë edhe me standard dyfish përveç të tjerave. Dega tjetër e këtij pushteti, Prokuroria e Republikës, do të ishte mirë të bëhej edhe zyrtarisht apo de jure pjesë e ekzekutivit. Prej dy vitesh, vetëm kjo ka mbetur të zyrtarizohet.
I vetmi që po përpiqet të rezistojë, është Ilir Meta, politikan race dhe për momentin, President i Republikës. Por edhe ky i varfri, nuk duket se ka shumë në dorë. Sa herë nxjerr ndonjë dekret që ia dhjet mazhorancës, kjo e fundit mbledh 122 burrat e gratë e mbetura në Kuvend dhe ia rrëzon. Madje, ia quan nul, sikur nuk ekzistojnë. Vertetë që me operacione stomaku Meta ka humbur mjaft peshë, por që konsiderohet sikur nuk ekziston, është vërtetë e rëndë. Pa folur këtu për Fletoren Zyrtare që trajtohet si gazeta “Zëri i Popullit” para 1990-ës, kur një nga sekretarët e KQ të PPSH-së e monitoronin rreptësisht çfarë publikon.
E varfra Kushtetutë besoj se ka nevojë edhe për një ndryshim, mbase i fundit. Numrat janë, në mos 122 burra e gra, 94 bëhen edhe në ditën më të keqe. Të mblidhen dhe të vendosin shkrirjen e të gjitha institucioneve të tjera. Të ketë vetëm një Kuvend, i cili sa për sy e faqe të të huajve, të zgjedhë një qeveri. Kaq! Funksionet e tjera, ti kryejë vetë Kuvendi. Komisionet e tij shumë mirë mund të zëvendësojnë të gjitha, po të gjitha institucionet e pavarura e kushtetuese aktuale. Madje, të unifikohet posti i Presidentit me atë të Kryeministrit ose Kryetarit të Kuvendit. E sigurtë është se do të kursehen shumë para, shumë rroga që jepen sot në emër të shtetit ligjor, demokratik.
Sepse në fakt, edhe pse nuk e pranojmë, po shkojmë me shpejtësi në këtë drejtim. Madje duke shkelur ditën për diell edhe Kushtetutën. A nuk do ishte m mirë ta ndryshonim këtë të varfrën, të paktën të mos e shkelim më…?! /Nga Blerti DELIJA/