
Ndërsa diskutohet mundësia e dorëheqjes së Bashës nga kreu i PD- së zyrtare, ka nisur të artikulohet edhe asocimi i largimit të tij me moskandidimin e Berishës si kryetar.
Diskutimi është në nivelin teorik por edhe praktik. Në nivelin teorik, nëse do të arrihej pa prapaskena të mundshme, nuk do të ishte keq largimi i personave që konsiderohen problemi për situatën në PD.
Pyetja e vetme, në nivelin teorik gjithmonë, është: A ka një figurë të gatshme PD- ja që të futet në konkurrim me këdo, me perjashtim të Bashës e Berishës dhe të fitonte me forcat e veta, duke garantuar edhe bashkimin?!
Deri tani, nuk është evidentuar një person i tillë. Arsyet janë të shumta, por ky është realiteti sot. Praktikisht, çfarë do të ndodhë nëse Basha dhe Berisha “kthjellohen” dhe nuk kandidojnë për kreun e PD?
Në kushtet kur nuk ka një figurë që mund të përbashkojë, Berisha por edhe Basha do të luajnë në prapaskenë. Do të evidentojnë dhe mbështesin me lidhjet e tyre në PD, nga një emër- kukull. Ata do të jenë fasadë- kandidatë, ndërsa faktikisht do të ketë një përballje Berisha- Basha.
E në këtë përballje, fituesi është i qartë: Do të fitojë kandidati i mbështetur nga Berisha përballë kandidatit të mbështetur Basha. Pra, do të ketë një kryetar të tipit Lulzim Basha bis, i cili në fakt do të komandohet nga Berisha. Në PD apo edhe në opozitë, sot askush nuk do ta donte këtë përsëritje eksperimenti kur rezultatet dihen.
Që kjo skemë e dështuar prej 9 vitesh në PD të mos përsëritet, ka vetëm një rrugë, qoftë me parti të bashkuar apo të ndarë nesër: Berisha, Basha apo kushdo tjetër që e ndjen veten të fortë, të futet në garën që do të hapet pas dorëheqjes së pritshme të kreut të PD- së zyrtare. Vetëm kështu mund të rinisë mëkëmbja e PD- së. Do zgjasë shumë apo pak rimëkëmbja, kjo është temë tjetër. /Nga Blerti DELIJA/




