OPINION – E drejta për të themeluar parti dhe e drejta për ti paragjykuar partitë “last minute”…

Fatmirësisht, e drejta për themelimin e partive politike në vend, është e sanksionuar në Kushtetutë. Themi fatmirësisht, sepse deri në vitin 1990, thjeshtë një ide e tillë, dënohej me burg, internim deri edhe ekzekutim.


Ligji Nr. 8580 datë 17.02.2000, i ndryshuar të paktën katër herë (siç edhe shumë ligje të tjera, madje edhe vetë Kushtetuta e këtij vendi), përcakton me hollësi mënyrën e themelimit, funksionimit të partive politike. Tjetër gjë, sa ai zbatohet pas momentit kur një parti politike themelohet.

“Partitë politike janë bashkime vullnetare të shtetasve mbi bazën e ideve, të bindjeve e të pikëpamjeve ose të interesave të përbashkët politikë, të cilët synojnë të ndikojnë në jetën e vendit nëpërmjet pjesëmarrjes në zgjedhjet dhe përfaqësimit të popullit në organet e zgjedhura të pushtetit.”, thuhet në nenin e parë të ligjit të sipërcituar.

Pra, partitë krijohen për të ndikuar në jetën e vendit dhe kjo, përmes zgjedhjeve. Sigurisht, për të përfaqësuar popullin. (O popull, sa gjëra bëhen në emrin tënd!).  Realisht, këto 30 vite, ka parti, shumë pak parti, që kanë ndikuar në jetën e vendit tonë. Siç edhe këto tre dekada, ka patur edhe parti me “një furgon elektorat”, në funksion të një kryetari për të kërkuar e marrë një mandat deputeti, post ministri, pjesë “torte” qeverisëse e me rradhë.

Këto paragrafë, për të treguar se themelimi i partive politike, nuk mund dhe nuk duhet të pengohet. Për ndryshe, do të ktheheshim në një kohë, të cilën teorikisht e kemi lënë pas. Po teorikisht, themelimi i një partie, nuk mund të paragjykohet. Plotësohen kriteret ligjore dhe…e gëzofsh partinë! Ka ndodhur e do të ndodhë.

Mbështet ShkodraWeb Media

Këto vite tranzicioni që duken të pafund në këtë vend, kanë njohur parti pafund. Askush nuk mund të japë një numër të saktë, as Gjykata e Tiranës që mban regjistrin e tyre. Sepse janë krijuar, kanë pushuar së ekzistuari, janë bashkuar me të tjera, janë ndarë sërish, janë pezulluar, janë penalizuar nga KQZ-ja për moskthim fondesh etj. Një pjesë jo e vogël, janë krijuar dhe funksionuar (për aq sa kanë mundur) në bazë të parimit të njohur “për inat të vjehrrës, shkoj e flej me mullixhinë”. Rastësisht, fjala parti/partia është e gjinisë femërore.

Paragjykimi si proces logjik ose jo, ka lindur bashkë me njeriun. Çfarë mund ta pengojë apo stimulojë njeriun të paragjykojë, për shembull një parti politike që krijohet pas muaj para zgjedhjeve, nga individë që janë larguar, vetëlarguar, përjashtuar nga një parti tjetër politike? Arsyet janë nga më të shumtat, duke nisur nga koha, hapësira, konteksti e me rradhë.

Nëse nuk mund dhe nuk duhet të paragjykosh një patrti politike që themelohet kur janë rreth 80 syresh në qarkullim, ashtu nuk mund dhe nuk duhet të paragjykosh as atë që paragjykon themelimin e një partie politike. Në demokraci, bashkekzistenca e të kundërtave, në ide, në politikë, në jetën e përditshme, është themeli. E nëse vihet në dyshim themeli, ç’ mund të thuhet për muret mbi të?!

Në ekonominë e tregut, edhe për partitë politike, të reja, të vjetra, të lindura apo që duhet të themelohen, është qytetari ai që jep verdiktin. Me votën e tij, nëse lejohet të votojë lirshëm dhe të numërohet siç duhet. Me një marzh të vogël “gabimi”, që lidhet me shit- blerjet, trafikun e influencave, premtimet elektorale etj.

Duke u futuar tek “tifozllëku” politik rreth 7 muaj para datës së zgjedhjeve, paragjikimet bëhene dhe më të forta. “X” parti që themelohet, mund t’i heqë vota një tjetër partie ekzistuese. Është paragjykimi më normal i një antari/simpatizanti të një partie politike. Sepse siç e thamë më sipër, ndikimi i një partie në jetën e vendit, bëhet përmes zgjedhjeve për pushtetin, për të përfaqësuar popullin.

E drejta për të themeluar një parti por edhe e drejta për ta paragjykuar një apo disa parti të tipit “last minute”, janë të barasvlefshme për një individ. Këto dy të drejta, në dukje në antitezë, janë të “dënuara” të bashkëjetojnë. Sidomos për ata që nuk heqin dorë lehtë nga “tifozllëku” politiko- partiak, më i dukshëm në prag të fushatave zgjedhore. Si kjo në prag, e 25 prillit 2020! /Shënim i ShkodraWeb Media/

ShkodraWeb Channel