Për herë të parë në 31 vite pluralizëm, një parti e madhe politike që ka qeverisur për 13 vite vendin dhe që është forca më e madhe e opozitës në vitet larg pushtetit, ka paralajmëruar 2 kongrese apo Kuvende Kombëtare brenda një jave. Me 11 dhjetor pritet të jetë ai i iniciuar me firma- formularët e siguruar nga ish- kryetari Berisha përmes “Foltores” së tij dhe me 18 dhjetor ai i mbledhur me vendim të Kryesisë së PD- së pas propozimit të kryetarit Basha.
Kuvendi Kombëtar i 11 dhjetorit është thirrur nga delegatët e tij, bazuar në një nen të statutit që ua jep këtë të drejtë. Edhe ai i 18 dhjetorit është thirrur në mbështetje të statutit, të të njëjtit statut. Ajo që i përbashkon të dy Kuvendet Kombëtare, është “lënda e parë”, delegatët e tij.
Berisha ka depozituar tashmë në zyrën e kryetarit të Këshillit Kombëtar, si i vetmi institucion legjitim që ai e konsideron, 4200 firma- formularë të po kaq delegatëve. Për hir të realitetit, deri në këto momente, përtej retorikave politike, asnjë firmëtar nuk ka deklaruar se nuk ka firmosur dhe asnjë prej tyre, deri tani të paktën, nuk është tërhequr nga firma e tij. Të paktën në Shkodër, emrat janë publikë dhe nuk ka asnjë përgenjeshtrim të kësaj natyre.
Kuvendi Kombëtar i PD- së ka rreth 7600 apo 7800 delegatë, numër që realisht nuk është shumë i qartë. Kjo edhe nga lëvizjet apo ikjet jashtë vendit të ndonjërit. Përtej kësaj, numri 4200 i atyre që kanë firmosur për Kuvendin Kombëtar të 11 dhjetorit, kalon gjysmën dukshëm. Nëse ata do të jetë të pranishëm në Pallatin e Kongreseve ditën e shpallur nga Berisha dhe nëse do të ketë vendimmarrje nga ana e tyre, a ka kuptim të vijohet me një Kuvend Kombëtar tjetër 7 ditë më pas?
Natyrisht, askush nuk i pengon delegatët që me vullnetin e tyre, të mblidhen në një Kuvend Kombëtar sa herë të thirren. Por me logjikë, nëse 4200 vetë mblidhen dhe marrin vendime me 11 dhjetor, vendime që mbase janë edhe kundër lidershipit aktual të PD- së, me çfarë logjike mblidhen apo duhet të mblidhen 7 ditë më pas, nëse i thërret i njëjti lidership? Teorikisht, nëse 4200 apo më shumë delegatë mblidhen me 11 dhjetor, Kuvendi Kombëtar i një jave më pas, ms humë gjasa nuk mund të mblidhet për mungesë kuorumi.
Është e qartë se palët po lëvizin në rrafshin statutor. Lëvizja e Bashës për Kuvend Kombëtar me 18 dhjetor, është proceduriale. Meqë u kërkua Kuvend Kombëtar, po e mbledh atë por jo me 11 dhjetor por një javë më pas. Nga ana tjetër, është një bast i tij për të testuar mbështetjen në antarësinë e Kuvendit Kombëtar, duke pritur që të ketë kuorum për mbledhje legjitime të tij me 18 dhjetor.
Numri tej mase i lartë i delegatëve, të cilët të gjithë së bashku mund ti përmbledhë vetëm ndonjë stadium në Shqipëri. lë shteg për dyshime apo aludime për të dy Kuvendet Kombëtare që priten. Në këtë pikë, merr rëndësi të veçantë lista publike e delegatëve që ishin të regjistruar rreth 3 muaj më parë në Kuvendin Kombëtar të PD- së. Po ashtu, delegatët e Kuvendit Kombëtar janë të tillë për shkak të pozicionit të tyre në strukturat e PD- së në bazë e në qendër. Në kushtet kur nuk ka apo nuk janë shpallur zgjedhje brenda PD- së, verifikimi i tyre nuk është shumë i vështirë.
Me shumë mundësi, deri me 11 dhjetor, do të ketë edhe lëvizje të tjera politike në PD. Nuk përjashtohet që njëri nga grupimet, të kërkojë edhe mbledhjen e Këshillit Kombëtar të PD- së. Nëse dikush ka besimin se gëzon shumicën në këtë trupë, më e larta në periudhën mes dy Kuvendeve Kombëtare, mund të arrihet edhe në vendimmarrje lidhur me dy datat, 11 dhe 18 dhjetor.
Por në të gjitha skemat e mundshme, sipas gjasave, përcaktimi i lidershipit të PD- së pas 11 apo 18 dhjetorit, do të vendoset nga një gjyqtar i ftohtë (teorikisht) në Gjykatën e Shkallës së Parë Tiranë e në vijim, në Apel. Tashmë është e qartë se nëse palët do të vazhdojnë të ecin drejt dy Kuvendeve Kombëtare, secila do të kërkojë certifikimin sipas ligjit të vendimeve eventuale të marra. Nga ana tjetër, është më afër se asnjëherë një çarje e brendshme e PD- së, jo vetëm në struktura e antarësi, por edhe brenda Grupit Parlamentar. Ky do të ishte dëmi më i madh jo vetëm për PD- në por edhe për Shqipërinë. Ndërtimi i një opozite reale, të fortë dhe kërcënuese për atë që është në pushtet, është një proces i vështirë që kërkon kohën e vet. Dhe nuk duhen pak vite… /Nga Blerti DELIJA/