
“Bledi ka lindur në Tiranë në vitin 1970 në një familje me traditë të gjatë atdhedashëse dhe përparimtare…”, është ajo që mbetet në mendje kur lexon jetëshkrimin në faqen e tij në internet të sapo të emëruarit si ministër i brendshëm nga kryeministri Rama. 50 vjeçari Bledi Çuçi, djali i Triumfit, do të ulet në karrigen e lënë bosh nga gjenerali pa spaleta Sandër Lleshaj.
Që në fillim, duhet pranuar se këtë herë, Rama ia ka dalë: Nuk ka bërë zgjedhjen më të keqe të mundshme! Pavarësisht se nga 2007- a është antar i Asamblesë Kombëtare të PS-së, Çuçi nuk ka qenë shumë në reflektorët e mediave. Përveç se bashkëshorti i njërës nga gratë e kryeministrit aktual, Çuçi ka patur imazhin e një teknicieni.
Eksperienca e tij e gjatë me organizata të shoqërisë civile por edhe në instanca shtetërore, nuk i kanë dhënë asnjëherë imazhin e plotë të një personazhi politik brenda PS-së. Ndoshta ka qenë edhe zgjedhja e tij, por disa spote të ditëve të fundit për bujqësinë, ku Çuçi shfaqej personalisht, ishin hapi drejt katapultimit në karrigen e vështirë të ministrit të brendshëm.
Nuk është zgjedhja më e keqe e mundshme e Ramës për disa arsye. Nga 2013- a e këtej, Çuçi ka patur gjithmonë imazhin e një njeriu, e një ministri, as mish e as peshk. Është kujdesur të qëndrojë gjithmonë brenda konturit që i kanë caktuar, pa shkelur asnjëherë vizën e rrethit që i ishte vizatuar. Nuk është paraqitur shpesh si mbrojtës i flaktë i politikave qeveritare, edhe pse për shumë arsye, mund të konsiderohet pjesë e familjes.
Nuk është zgjedhja më e keqe e mundshme e Ramës, ndoshta edhe për shkak të refuzimit, që katër muaj para zgjedhjeve, mund ti ketë ardhur kryeministrit nga emra më politikë se Çuçi. Por Bledi duhet vlerësuar për guximin jo të vogël, për të cilin mbase do të pendohet, nëse nuk e ka marrë postin e ri thjesht si një mundësi për të vijuar karrierën politike edhe pas 25 prillit, duke kënaqur dëshirën e shefit- kryeministër.
Duke njohur staturën e Çuçit, realisht ministër i brendshëm mund të konsiderohet Ardi Veliu. Gjithmonë nëse Rama do ti qendrojë idesë se as “500 mijë vetë në shesh nuk e bindin ta shkarkojë” drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Me shumë mundësi, firmat si ministër do ti hedh Çuçi, ndërsa orientimet do ti japë Veliu.
Juristi Bledi Çuçi, djali i Triumfit (emra që zakonisht vendoseshin nën ndikimin e fortë të politikës brenda e jashtë vendit, para 1990- ës), nis një etapë aspak të lehtë të karrirës së tij politike. Ajo që mbase ia vlen të theksohet është se nëse Lleshajt iu desh një jetë njeriu të pafajshëm për të kuptuar se ka ardhur koha “të hapë krahun”, Çuçit do ti duhet shumë më pak se kaq. Të paktën teorikisht. Dhe Rama me siguri q di këtë fakt! /Shënim i ShkodraWeb Media/