Katër vajza u nisë nga Shkodra të festonin ditëlindjen e njërës prej tyre. Zgjodhën Korçën për të kaluar disa orë, pikërisht me 13 shtator, ditën e lindjes e cila u bë fatkeqësisht edhe e fundit në këtë botë për njërën prej tyre.
Këto dy rreshta do të mjaftonin për të treguar tragjedinë e pashoqe, pa rrëfyer akoma se edhe një vajzë tjetër u largua përgjithmonë bashkë me shoqen e saj e dy të tjera, po përpiqen me ndihmën e mjekëve, të mos i ndjekin pas. Lusinda, Xheneta, Denisa dhe Nervida, as nuk e mendonin se do të ishte e fundit ditë, të katërta së bashku!
E kjo tragjedi, për faj të atyre që nëpër botë quhen prej vitesh “piratë të rrugëve”. Ditën e djeshme, një i tillë, aspak moshë e re por 58 vjeçar, nën efektin e pijes, ishte shkaktari i një ngjarje më shumë se të rëndë.
E gjitha në fundjavë, kur Policia e Shtetit ka njoftuar shtim të kontrolleve në të gjitha akset e vendit. Por për çudi, njëri nga më të rëndësishmit, si ai ku përfshihet tuneli i Krrabës, mesa duket ishte lënë në harresë. Një harresë që i kushtoi jetën 2 vajzave dhe po rreyikon jetën e dy të tjerave tën kujdesin e mjekëve.
Dhimbja e familjeve, të afërmeve, shoqeve e shokëve, të njohurve, i kalon kufijtë e njerëzores. Sepse janë jetë të grabitura nga një 58 vjeçar totalisht i papërgjegjshëm, nga një shtet që nuk është aty ku duhet të jetë.
Po, mos u çudisni! Edhe shteti ka përgjegjësinë e tij në këtë mynxyrë që ka përfshirë të paktën tre familje shkodrane. Prej kohësh vazhdojmë të numërojmë jetë të humbura, prej kohësh drejtojmë gishtin e përgjegjësisë por jemi më të ndjeshëm, kur mësojmë për ngjarje tragjike si ajo e të dielës.
Fati ka dashur që pasojat e ngjarjes të mos jenë edhe më katastrofike. Dora e Zotit ka vepruar që jo të katër vajzat të ktheheshin në arkëmort pranë familjeve të tyre. Sepse “pirati i rrugës”, një 58 vjeçar i papërgjeshëm, cënonte sigurinë e çdo kujt që lëvizte në atë rrugë, jo vetëm të makinës së katër vajzave shkodrane.
E ndërsa një nga vajzat ka arritur të tregojë drejtimin e çuditshëm të mjetit nga 58- vjeçari që nuk mbante dot korsinë, asnjë polic rrugor nuk e ka vënë re sjelljen e çuditshme, zig- zagët e mjetit që rezultuan fatale për 2 vajza.
Nuk do të ishte aspak çudi, që ministri Lleshaj të mos priste largimin e paralajmëruar nga vetë ai nga qeveria. Nuk do të ishte e tepërt as që drejtori i përgjithsëm i Policisë Ardi Veliu të bënte gati valixhet. Nuk do të ishte e paimagjinueshme që edhe patrulla që duhej të mbikqyrte qarkullimin rrugor në këtë aks, të ishte me pranga në duar.
Por kjo mund të ndodhë në një vend të civilizuar dhe ne harrojmë se jetojmë në Shqipëri. Një vend ku jeta e njeriut, është ndër gjërat më të lira dhe ku humbjet e jetës janë fatkeqësisht vetëm statistika.
Nga sot, dy vajza të reja, i mungojnë Shkodrës. Lajm i trishtë për këdo që jeton në këtë qytet por ata që thjeshtë kanë dëgjuar për ngjarjen e rëndë. Ikën në lule të rinisë, në momentin kur mbase ishin më të lumtura se kurrë për ditëlindjen e shoqes së tyre. Ditëlindje që ishte e fundit, duke bashkuar dy datat më të rëndësishme të jetës së një njeriu në një të vetme. Është një dhimbje e pafund që do ti ndjekë gjithë jetën familjet e vajzave… Të kujtojnë ardhjen që sjell lumturi për çdo familje apo ikjen e parakohëshme për vajzën e tyre me 13 shtator të çdo viti… /Nga Blerti DELIJA/