OPINION – Degradimi i një shoqërie në grahmat e fundit të tjetërsimit të pakthyeshëm…

Prej disa orësh në rrjete sociale, media tradicionale e protale po qarkullojnë disa video. Deri tani, janë tre video dhe sipas gjasave, do të publikohen edhe të tjera. Është shumë e vështirë të gjendet një përcaktor i saktë për atë që këto video përcjellin. Ndoshta fjala më e përshtatshme është degradim, degradim i shoqërisë shqiptare, në atë që duhet të jetë pjesa më e brishtë, më e butë e saj.


Nuk ka as më të voglin dyshim se këto video, janë vetëm maja e ajsbergut e asaj që po konsumohet në palët e padukshme të shoqërisë tonë, larg syve dhe veshëve tanë, por me ndikim sidomos në të ardhmen e të gjithëve. Janë qindra shoqata që sot e gjithë ditën, marrin miliona euro fonde në emër të mbrojtjes së grave e vajzave nga “dora” e burrave. Janë qindra persona që marrin pagesa të majme në formën e rrogave e dietave, shpenzimeve operative e shpërblimeve. Ndërkohë, në një pjesë gati- gati të padukshme, skenarët e sotëm por më shumë ata të nesërm, janë tronditës. Reagimi i tyre: Zero!

Marrje në pyetje të nivelit që do të turpëronte për efikasitetin edhe agjensitë shtetërore ligjzbatuese, krijim kushtesh të cilave nuk mund ti rezistojë as profesionisti i përgatitur nga CIA dhe mbi të gjitha, “metodat” për nxjerrjen e “fakteve”, tregojnë degradimin e plotë të një shtrese të caktuar të shoqërisë tonë.

Mbi të gjitha, spikat guximi! Seancat e “marrjes në pyetje” janë disa, madje në mjedise të ndryshme. Të gjitha të regjistruara rigorozisht me celular dhe më pas, të shpërndara në rrjetet sociale. Përdorimi i “dorës” mbi një vajzë për të nxitur “rrëfimin” e saj, fatkeqësisht, është “qershia mbi tortë” që dragualisht, direkt apo indirekt, e kemi shijuar apondo ta shijojmë të gjithë. Dhe më e rënda, “unë nuk kam më punë me atë burrë që më ka tradhëtuar, por dua të di çfarë ka ndodhur”.

Sot, të gjithë ne kujtojmë se çështje të ditës janë Covid-19, kodi zgjedhor, hyrja në fuqi e ndryshimeve kushtetuese në këtë vend, kur do të bëhen zgjdhjet politike apo vendore, a do të hapen shkollat apo jo, a do të nisë Superliga me 12 shtator, me tifozë apo pa tifozë, e meritoi apo jo Bajern të shpallej kampion i Europës, integrimi europian etj., etj., etj.

Mbështet ShkodraWeb Media

Këto video të publikuara dhe që mbase do të ketë edhe të tjera dhe jo vetëm nga Shkodra, nuk janë më këmbanë alarmi. Çfarë ka qenë për tu dëgjuar, është dëgjuar tashmë. Përballë kemi prova, fakte shumë të rënda të asaj çfarë ka kapur për gryke këtë shoqëri dhe nuk do ta lëshojë. Edhe këto rreshta janë pa vlerë. Sepse janë mijëra në mos miliona mesazhe, paralajmërime në vite nga koka e penda shumë më të fuqishme e të specializuara.

Sot, mund t’i “shijojmë” djallëzisht për të mbajtur mend batuta apo emra personazhesh që kanë nisur të folklorizohen në rrjete sociale brenda pak orëve. Çdo ditë e më shumë bindemi se strukturat e specializuara të shtetit, në të gjitha nivelet, merren me çështje “makro”, të mëdha, të rëndësishme ndërsa drejtimin sidomos për të nesërmen kësaj shoqërie, po i’a japin këto çështjet “mikro”. Vetëm kur shpërfaqen në rrjete sociale, atëherë strukturat e këtij shteti kujtohen dhe publikojnë komunikata për aksione “të rëndësishme”. E në fakt, nuk është vetëm përgjegjësi e tyre ajo që ndodh. Sepse dy, tri a më shumë vajza e gra që direkt ose indirekt përfshihen në këtë ngjarje aspak të zakontë, janë viktima! Të mosfunksionimit të sistemit, në të gjitha hallkat e tij dhe ku përgjegjës jemi po të gjithë, me mosveprime apo veprime, ndoshta edhe në momentin jo të duhur!

Personalisht më mbetet të mendje ftohtësia, këmbëngulja në “zbardhjen e ngjarjes” që është fiksuar edhe në video. Mbase prej aty, mund të fillojë e përpjekja për ti ndaluar ngjarje të tilla. Edhe pse personalisht, më duket shumë vonë, në mos e pamundur. Kam frikë se tanimë, thjeshtë dhe mund të konstatojmë. Fatkeqësisht…! /Nga Blerti DELIJA/

ShkodraWeb Media 2017 – 2020 © TË GJITHA MATERIALET NË KËTË FAQE MUND TË PËRDOREN LIRISHT NGA INDIVIDË E MEDIA, DUKE CITUAR NGA JANË MARRË. FALEMINDERIT!

ShkodraWeb Channel
ShkodraWeb Marketing