Me 1 shtator 2022 në ShkodraWeb.com dhe rrjetet tona sociale, publikuam një lajm për një takim të kryebashkiakut të Shkodrës Bardh Spahia me një grup nismëtarësh të vendosjes së memorialit të Lek Dukagjinit në një nga sheshet e qytetit më të madh të Veriut.
Në fakt, ishte një publikim në rrjete sociale i Pal Shkambit, me profesion avokat dhe pjesëmarrës në këtë takim. Shkrimi ishte një përmbledhje e asaj që ishte diskutuar në mes kryebashkiakut Spahia dhe nismëtarëve të vendosjes së memorialit të Lek Dukagjinit në Shkodër.
Nuk e kishim parashikuar, por ky lajm i thjeshtë në dukje, ka hapur një debat në rrjetet tona sociale, i cili vijon prej thuajse një jave. Debatet i konsiderojmë të mira gjithmonë, kur ato bazohen tek forca e fjalës së zgjedhur, pa frymë dashakeqësie, paragjykimi dhe aq më keq, që i fryhet ndasive të të gjitha llojeve.
Për fat të keq, komente të kësaj natyre nuk kanë munguar. Siç edhe i kemi dhënë hapësisrë për publikim, pa asnjë redaktim, edhe opinioneve individuale lidhur me këtë temë, e cila po vazhdon të marrë vëmendje e interes mjaft të gjërë.
Jemi në sistem demokratik dhe çdokush, çdo shoqatë, ka të drejtën e propozimeve të ndryshme me impakt në komunitet. Ka një procedurë ligjore që duhet ndjekur siç ka edhe institucione vendimmarrje për çdo propozim.
Edhe në rastin më të fundit, një grup nismëtarësh, individë apo shoqata, kanë ndërmarrë një iniciativë për vendosjen e memorialit të Lek Dukagjinit në qytetin e Shkodrës. Kjo iniciativë, nuk ka penguar e nuk mund të pengojë asnjë iniciativë tjetër të ngjashme për figura apo personazhe që mendohet se meritojnë një memorial apo përmendore në Shkodër.
Përtej debatit që mendojmë se është i shëndetshëm gjithmonë kur ruhet etika publike e komunikimit, vendimmarrja për këto propozime i takon Këshillit Bashkiak të Shkodrës, përfaqësues i qytetarëve të bashkisë, me pushtet të deleguar përmes votës. Ai do të shqyrtojë, miratojë ose jo propozimin, i cili më herët duhet të kalojë në të paktën një komision të Këshillit Bashkiak.
Komisioni i Vlerësimit të Figurave të Shuqara dhe Emertesave, nuk është i vetmi. Këshilli Bashkiak duhet të përzgjedhë sheshin për çdo përmendore, edhe për Lek Dukagjinin, nëse do të miratohet propozimi nga këshilltarët. Komisioni i Planifikimit dhe Zhvillimit te Territorit do të duhet të shqyrtojë para kalimit për vendimmarrje në Këshill.
Këto sqarime, për të treguar se ka disa filtra që duhet të kalojë një propozim për vendosje permendore apo memoriali. A jemi ne të kënaqur nga vendimarrjet që kulmojnë me Këshillin Bashkiak të Shkodrës? A mund të reflektojë ajo vullnetin e qytetarëve të Shkodrës?
Por në të gjitha rastet, ka një filtër tjetër për vendimet e qeverisjes vendore që është Prefekti i Qarkut e më pas, gjykatat e këtij vendi. Duke u rikthyer tek debati, mbase është mirë që niveli i tij të arrijë në studiot televizive me përfaqësues kompetentë të “pro” dhe “kundër”. Natyrisht, bazuar në argumente, mundësisht historike dhe të verifukueshme, pa emocione personale të asnjërit. /Nga Blerti DELIJA/