
Një debat interesant duket se është hap tashmë në Shkodër. Jo lidhur me zhvillimet në PD apo në politikën shqiptare në përgjithësi, debate shterpë, që na kanë velë dhe nuk kanë sjellë dati tash asgjë pozitive për qytetarët. Sapo ka nis dhe mendoj se duhet të vazhdojë, një debat për artin. Ka qenë Fatmir Bashli ai që me një postim në Facebook, të cilin e vlerëson si “statusi ma serioz qe kam shkruar tash 10 vjet”, që ka hapur diskutimin për artin në Shkodër por besoj se vlen edhe gjithë Shqipërinë.
Janë të shumtë ata që mendojnë se nga 1990 e këtej, arti në Shkodër ka patur një kurbë në rënie të vlerave të tij. Kjo, sepse efekti kohë patjetër që do të kishte ndikim. Emra të mëdhenj, gjigandë të skenës, në humor sidomos por edhe zhanre të tjera, nuk janë më mes nesh fizikisht. Të tjerë për shkaqe nga më të ndryshmet, janë jashtë vendit ku mbase punojnë për të jetuar ata dhe familja e tyre e vetëm në ndonjë zijafet apo festë, kanë mundësi të aktivizohen artistikisht. Ka të tjerë, të cilët për arsye moshe apo pensionimi janë terhequr e nuk janë më aktivë si dikur. Siç ka edhe raste të tjera ku shprehja “vera sa më e vjetër të jetë, aq më e mirë është” nuk është plotësisht e vertetë.
Por natyrisht ka edhe përjashtime pozitive nga rregulli. Një nga këta është Sandër Ruçi, Mjeshtër i Madh, i cili me forcat e mundësitë e veta, ka kontribuar prej vitesh, vazhdon e do të vazhdojë të kontribuojë për artin në Shkodër e më gjërë. Çdo vit, ai përgatit nga një premierë të cilën e shfaq në Teatrin “Migjeni”. Salla mbushet plot, përshtypjet për shfaqjet e tij janë nga më pozitivet dhe të gjithë presin natën e ndërrimit të viteve për ti shijuar. Një nga misionet e Sandër Ruçit, është edhe ai i hulumtimit e përkrahjes së emrave të rinj të këngës e humorit, duke iu dhënë mundësinë e debutimit dhe konsolidimit të tyre si artistë.
Fatmirësisht, prej më shumë se 25 vitesh, në Shkodër është edhe një agjensi spektaklesh me kontribut në këtë linjë. Agjensia e Spektakleve “Buna 1”, ka një vijueshmëri të lavdrueshme të aktivitetit të saj në artin shkodran e shqiptar. Ajo i ka kaluar prej vitesh kufijtë e Shkodrës e madje të Shqipërisë, duke lënë gjurmë të rëndësishme në promovimin e vlerave të trashëguara e atyre të reja. Janë mëse 150 shfaqje premierë që ajo ka realizuar dhe spektatori çdo herë e më shumë, e duartroket. E përmes kësaj agjensie, e cila ka bërë edhe audicione- konkurse për të rinj, sot arti në Shkodër ka edhe talente të humorit e jo vetëm.
Natyrisht, ka edhe të tjerë individë e kompani që janë aktivë, por unë u ndale në vetëm dy, duke gjykuar se kanë aktivitetin më të spikatur e më cilësor në këto vite të demokracisë. Diskutimi i hapur nga Fatmir Bashli, që në Shkodër por besoj edhe më përtej nuk ka nevojë për prezantim, është vijuar nga Klodiana Vata, këngëtare por edhe një aktore që në skenë ka marrë duatrokitjet e para, besoj se nuk ka të bëjë aq shumë me mungesën e eventeve artistike në Shkodër.
Në thelb, Fatmir Bashli flet për cilësinë e artit, humorit në veçanti. Ai ndalet tek ata që i quan “Mjeshtra të mëdhenj” por që sot nuk japin atë që pritet. Bashli krijon idenë se një pjesë e tyre, përveç se interpretojnë “humot të viteve 70”, duatrokiten për atë që kanë bërë në të shkuarën më shumë se për rolet që luajnë sot. Ndërsa Klodiana Vata, diskuton në një linjë disi më ndryshe. Me të drejtë, si një emër i ri, ajo kërkon mbështetje, inkurajim. Jo vetëm nga “Mjeshtrat e mëdhenj” me të cilët tashmë ka interpretuar, por edhe nga ata që shkruajnë humor apo kanë aftësi ta bëjnë e kuptojnë atë, qoftë edhe përmes rrjeteve sociale. Këtë mbështetje e kërkon edhe nga Fatmir Bashli. E për hir të realitetit, nuk duket se Bashli është kundër të rinjve, përkundrazi.
Personalisht por edhe shumë si unë, kanë nostalgji për humorin, skeçet dhe batutat e para vitit 1990. Por nga ana tjetër, përdorim shpesh edhe batuta të shfaqjeve pas këtij viti, por gjithmonë të nxjerra nga goja e aktorëve të kohës së komunizmit. Nga ana tjetër, ata që kanë lindur pas vitit 1990, sot 31 vjeçarë, kanë një perceptim tjetër për humroin, batutën, aktrimin. Shuma batuta të skeçeve të para 1990- ës, kuptohen mirë po të kesh jetuar realitetin e atyre viteve. Atëherë e qeshura te del nga zemra, e plotë dhe e hareshme. A mund ti kërkojmë një 20 vjeçari të sotëm të njëjtën qasje? Mendoj se jo. Bota në të cilën ka lindur, është rritur, shkolluar e edukuar, është e ndryshme nga ajo e kontekstit të kohës kur ato skeçe janë ndërtuar e interpretuar.
Sot, ka spektakle të përjavshme humori. Të paktën tre syresh janë në po kaq televizione. A mund të prodhohet kaq shumë dhe brenda një kohe kaq të shkurtër kaq shumë humor? A ka taq shumë tekstshkues që kanë kaq shumë prodhimtari dhe cilësore për humorin shqiptar? A janë që të gjithë aktorë ata që ngjiten në skenat e spektakleve televizive të humorit? Mendoj se këtu duhet të fillojë diskutimi e debati i vertetë. Por edhe në këtë rast, nukduhet harruar se ndryshe nga periudha e para 1990- ës, sot “rregullat e lojës” i vendos tregu. Pikrësiht këta aktorë, këta tekstshkrues janë më të paguarit. Janë dhjetra sponsor që hedhin paratë e tyre për reklamimin e produkteve dhe sherbimeve që ofrojnë. A janë bisnesmenët budallenj që ti hedhin në lum paratë e tyre?! Besoj se jo, dmth këto spektakle kanë audiencë, kanë shikueshmëri dhe rrjedhimisht mund të konsiderohen të suksesshme.
Para disa ditësh isha në premierën e “Koncert në kohë pandemie” në Teatrin “Migjeni”, promotor e prijës i padiskutueshëm i artit e vlerave të tij në Shkodër e Shqipëri. Perceptimi për artin, humorin, këngën, natyrisht është individual. Aq më shumë, kur prej gati 30 vitesh mungon kritika e artit dhe matësi i vetëm janë sallat, audiencat televizive e me radhë. Në këtë rikthim të Estradës pas shumë viteve, u kënaqa dhe duke gjykuar nga të qeshurat e duatrokitjet në sallë, edhe spektatorët e tjerë. Sigurisht, çdokush mund të ketë rezerva, kritika për artistë të veçantë apo ansamblin në përgjithësi. Personalisht, krijova bindjen se peshën e gjithë shfaqjes e mbanin të rinjtë, nga të cilët nuk po veçoj askënd, edhe pse kisha disa më të pëlqyeshëm se të tjerët. Por nga ana tjetër, sapo ndonjë nga “big”- ët lëshonte ndonjë batutë, edhe krejt të shkurtër, salla shpërthente në të qeshura e duatrokitje. Për të qenë i vertetë deri në fund, edhe për të rinjtë nuk mungoi në asnjë rast mbështetja përmes duatrokitjeve. Mesa duket, regjisori Ismet Drishti kishte arritur të gershetonte jo vetëm emrat e rinj me të vjetrit por edhe rolet e batutat e aktorëve. Tekstshkruesi, Armir Shkurti, nuk ishte shkodran.
Shpresoj e uroj që këto rreshta të jenë nxitje për të nisur një debat artistik- profesional, pse jo edhe në një këndvështrim kritik mbi artin, muzikën e humorin në Shkodër, për të sotmen e të nesermen e tij. Por sigurisht, janë specialistët, njohësit e artit dhe vlerave të tij që duhet të shprehen, pse jo ndoshta edhe në tryeza enkas për këtë temë. Besoj se do të jetë një sherbim i mirë për të gjithë, mjeshtrat e mëdhenj por edhe talentet e reja. Gjykoj se emrat e përvetshëm, pavarësisht përmasave, janë më pak të rëndësishëm se togfjalëshi “arti shkodran”. /Nga Blerti DELIJA/




