U ktheva ditët e para të vitit 2020 nga Mirdita me një optimizëm të pashoq pas një nate që besoj do mbetet gjatë në memorien e shqiptarëve, sepse një murla Alpin zhubraviti vendin thuajse anekënd e kulla 200-vjeçare që gjyshi i la babës, dukej sikur do na zinte brenda, mendim që vjen edhe për shkak të padhembshurisë së Natyrës që ka treguar së fundmi ndaj kësaj toke me emrin e një shpendi.
Oxhaku, një grusht arra dhe një gotë verë përpara që sosej e mbushej sërish plot ma shndërruan atë mbrëmje krah babës, nanës e vllaut, në një arenë kuvendi madhështor që mposhte çdo frikë ndaj egërsisë së Natyrës e ngrinte lart çdo shpresë të së nesërmes me diell e paqësore ndaj nesh, që fatin e kemi lidhur me rastësinë e jo vendosmërinë për ta shndërruar në anën e nështrimin tonë.
Dhe kështu ndodhi, pasi mëngjesi erdhi me diellin që ishte ulur këmbëkryq në majën e Trangës e po ashtu përqafonte një kryq tek Lteri i Sh’Mrisë në majë të Gallit, ndërsa me dy prindërit në krah ‘fluturuam’ me ‘Land Rover’- in drejt Tiranës për të shënjuar në Kalendar detyrimet ndaj një dite të re.
Dy ditë më parë (3 Janar), SHBA shtiu një nga figurat më të rëndësishme të regjimit në Iran, e krisma e saj kishte zënë faqet e para të gazetave, kronikat e para të lajmeve, temat e para të emisioneve televizive, bisedat e para të njerëzve ne kafene, punë, urban, rrjeteve sociale… dhe ndalemi pak këtu; edhe në profilet e patriotëve të mi nga Mirdita më dilnin lloj-lloj reagimesh, diku analiza, diku komente, diku meme e barcaleta, diku tallje e ironi. Sulejmani edhe në Mirditë u ul këmbëkryq njësoi sikur aty do të bëhej gjyqi për të përcaktuar nëse vr.asja e tij ishte e drejtë apo jo.
Fatkeqësisht një tjetër krismë doli nga një “tank silensioz” që kushtoi jetën e një personi, në zemër të qytetit Verior, shumë pranë simbolit të 12 Bajrakëve që shteti i ka simbolizuar me 12 rrubineta uji që herë pshurrin ndonjë curril e gati përherë nuk pshurrin fare, dhe e bëra këtë krahasim për të sjell në vëmendje ligjet me të cilat udhëhiqej Veriu, KANUNIN; këtë Bibël të zgjebosur nga halabakët që drejtuan dhe drejtojnë shtetin, halabakë që përcaktuan edhe se si mund ta jetësojmë përmes memorialeve të tilla kujtesën për “Kushtetutën” e parë të historisë.
Përveç hidhërimit të thellë e ngushëllimit të ndjerë për familjarët që humbasin të dashurit e zemrës në akte të tilla si ajo krismë anti-kanunore e anti-njerëzore, dhe trishtimit të papërshkrueshëm për ngurtësinë, djallëzinë, ç’njerëzoren e doracëve të tillë nga ana tjetër si ai që shkrep e fshihet pas sofistikimit kr.iminal të veprës, asnjë fjalë tjetër nuk më vjen të them se ç’dreqin qé, nga dreqin erdh’???!!! Se s’është puna ime. Por është puna ime që ç’ke me të, të them madje me të madhe se ku halabakët drejtojnë institucionet që nga rendi, siguria, shkolla, pushteti vendor e qëndror… ngjarje të tilla janë të kuptueshme si drita e diellit pse ndodhin. Ndodhin sepse askush nuk del garant për të mbrojtur jetën e askujt jo më liritë dhe të drejtat që parashikon Karta e të Drejtave të Njeriut.
Jam rritur në atë qytet dhe dy ditë më parë rastisa aty sërish, një rikthim i shpejtë, ndërsa heshtja dhe përulja ndaj dhimbjes e keqardhjes sundonte kudo, e njerëzit belbëzonin përdhimbshëm pa mundur të nxirrnin qoftë edhe një shkëndijë të vetme që të më bënte edhe mua shpresëhumburin tashmë, të shpresoja për atë optimizmin që më dha ajo mbrëmje e fillim-Janarit pranë oxhakut.
Po ata që ç’s’thanë për Sulejmanin? A kanë një mesazh për asgjë tjetër veçse për ata të rinjë, adoleshentë dhe fëmijë që temë kryesore mes tyre kanë jo Sulejmanin, se as duan t’ia dinë për të më besoni, por për atë që trazoi rrjedhën e përjetimeve të tyre një ditë të bukur me diell? Po ju pyes drejtpërsëdrejti ju intelektualë të Mirditës, mësues, profesorë, drejtues të arsimit dhe pushtetit vendor, qytetarë aktiv që prej jush ka që flasin edhe për ngjyrën e brekëve të ministreve, deputeteve; për një lule në një shkëmb n’pikë të dimrit shkruani poezi, ese, tregime, mor po romane bëni, a keni guxim për të folur për atë që flasin fëmijët dhe adoleshentët e qytetit tuaj, e për të gjetur mënyrën që të mos e bëjnë gjithashtu duke i drejtuar andej nga dija, libri, arti, sporti, kultuara????? Për t’i shpëtuar ata nga shembulli i vesit, a mund të thoni diçka???
Dhe në fund, dy fjalë për shtetin, kryetarin e tij që ka marrë tani edhe kryetarllikun e Europës, Kreun e Shtetit tjetër që ka mbetur kap e lësho dekrete, atë spitullaqin tjetër që u kthye i nxirë në mes të Janarit nga dielli në plazhet ekzotike, pastaj me radhë këta zarushët e tjerë që lëpihen, shtrojnë trotuare e bëjnë memoriale si ai në Rrëshen fjala bie për 12 Bajrakët, lyejnë fasada e shembin me dinamit pallate për të ndërtuar kulla. Jeni fundërrina, kazan, dreq e binj dreqërish, e më duhet të përmend Neritan Cekën që të jem korrrekt me Acromax, ju vraftë Zoti, ju plaçin sytë.
E latë këtë shoqëri t’i dekompozohen vlerat sepse shkatërruat arsimin, artin, kulturën, sportin, shkencën mor shkencën po ju them duke vendosur në krye të saj një matrapaz, po ju jeni në luftë me artistët more. Ç’të them më unë?! Plasa. /Nga Fatjon GJINAJ/