Një histori e lexuar shumë vite më pare, mu rikthye para syve teksa lundroja online. Është një dialog i shkurtër në mes diktatorit të Bashkimit Sovjetik Josif Stalin dhe nënës së tij Keke Gelatzenë. Gruaja që i kishte bërë kokën, ishte mjaft e sëmurë dhe Stalini kishte shkuar ta vizitonte. Mund të jetë një nga vizitat e rradha, mbase për mungesë kohe apo edhe mungesë dëshire.
Kekeja: Çfarë pune bën tani, Josif?
Stalini: A të kujtohet Cari?
Kekeja : Po.
Stalini : E po, jam si Cari.
Kekeja : Më mirë të ishe bërë prift…
Kjo përgjigje e fundit e nënës së Stalinit, pasi endërronte dhe madje e kishte shtyrë për të hyrë në rrugën e Zotit, ndoshta duke e njohur që fëmijë për prirjet e tij jo njerëzore që shkaktuan diçka si 20 milion viktima në mes qytetarëve të Bashkimit Sovjetik, para, gjatë dhe pas L2B deri në 1953 kur Stalini ndërroi jetë apo…e mbytën.
A mund të përshtatej dialogu i mësipërm në kushtet e sotme të vendit tonë? A ka një personazh që, të paktën ka dëshirën për të monopolizuar çdo gjë, i sigurtë se nuk mund të bëhet Stalin asnjëherë? Provoni të imagjinoni një dialog, ndoshta duke ndryshuar gjininë e personazheve.
Kristaqi: Çfarë pune bën tani, Edvin?
Edi: Më quajnë Edi sot dhe jam…a të kujtohet Enveri?
Kristaqi: Po, sigurisht më kujtohet.
Edi: E po, jam thuasje si ai, uroj ta arrij shpejt…
Kristaqi: Më mirë të ishe bërë piktor…apo basketbollist.
Në fakt, si piktor suksesin më të madh me ekspozita brenda e jashtë shteti, e arriti kur u bë kryeministër. Madje, duke “pikturuar” me bojra uji mbi shkresa zyrtare, kur mërzitej në mbledhje qeverie, parlamenti apo partie.
Edhe si sportist, basketbollist, nuk ka lënë gjurmë të dukshme. Pavarësisht shtatlartësisë shumë të përshtatshme, Olsi që ishte edhe me i shkurtër nga ai, ka lënë më shumë gjurmë se ai tek Dinamo. Por kur hyri në Kryeministri, iu rikthye pasioni për basketbollin dhe instaloi një kosh në zyrë. Edhe pse problemet me kolonën e shqetësojnë vazhdimisht.
Edi Rama nisi “hyrjen në histori” me fasadat e Tiranës kur ishte ministër dhe vazhdoi me betonizimin e plotë e të pashmangshëm të kryeqytetit. E dini pse “spikati”, pse ra aq shumë në sy? Sepse mori një hale në kuptimin e plotë të fjalës- sidomos pas 1997-ës dhe me mbështetjen shumë të madhe të qeverisë mandatin e parë, nisi ndryshimin që pa më to voglin pozitiv, do të ishte pozitiv. Pa llogaritur që në shumëçka, ka qenë dhe është një kopjues i palodhur edhe pse me përshtatjet me Shqipërinë, nuk i ka ecur gjithmonë.
Ardhja në krye të qeverisë, përmes një skeme të mirëllogaritur duke shfrytëzuar Ilir Metën në 2013-ën, i realizoi endrrën e tij më të madhe në jetë: Pas Tiranës, “të kapë në dorë” gjithë Shqipërinë. Tani është punë ditësh që ta realizojë. Nuk e la Ilir Meta në katërshen e parë, po i merr vetë të gjitha në të dytën.
Për secilin, në një rreth të vogël që nis nga familja, lagjja, qyteti, rajoni, vendi, Europa e globi, do të ketë një vend kujtese. Sigurisht, do të jetë edhe një për Edi Ramën. Sigurisht, nuk do të kujtohej asnjëherë si piktor i madh. Nuk ka asnjë shans të sillet në mendjen e brezave që do të vijnë si talent basketbolli. Por sipas gjasave, nuk do të mbahet mend as si ndonjë politikan vizionar, nga i cili Shqipëria përfitoi diçka të vlefshme. Por sigurisht, do të mbahet mend gjatë si “babai” i Rilindjes, jo i asaj të vertetës. Edhe pse, këtë term por edhe strukturimin makro të idesë, e ka dhuratë nga një person që vazhdon ta mbajë afër dhe që është i vetmi që “mund ti japë urdhra”. /Nga Sokol N. SOKOLI/