
Ka dy ditë që aktualiteti shqiptar është mbarsur e po vijon të fryhet nga një incident në një realityshow të famshëm. Një shuplakë e fortë në transmetim “live”, nga një i eliminuar ndaj një finalisti, po merr konotacion të çuditshëm. Budallenjtë, jo vetëm në rrjete sociale, po i personifikojnë këto individë me Shqipërinë e Kosovën, madje- madje edhe si një mundësi që të ndikojë në marrëdhëniet mes dy shteteve shqiptare në Ballkan (?!). Shkurt, me pasoja më të rënda se një incident diplomatik, term që përdoret në diplomacinë botërore.
Po të mos kishte budallenj, si do ta mësonim se ekzistojnë edhe të mençur në këtë botë?!”, por ajo që është shqetësuese, është se “janë shtuar shumë këto kohët e fundit…budallenjtë”. “Skuadrat” janë rreshtuar, të gatshme deri në kacafytje fizike, këtej e andej kufirit që fatmirësisht nga 1999, na bashkon. Rrjetet sociale, ndihmojnë ndjeshëm “budallenjtë e lagjes” të kalojnë edhe kufinjtë shtetërorë.
Dy të rinjtë e përfshirë në incidentin në realityshow, që të dy, janë shembuj që nuk duhen ndjekur e as promovuar. Njëri bullizues ekzemplar i çdo frymori dhe çdo konkurrenti brenda asaj shtëpie që nuk njeh limite, tjetri dhunues, sipas disave që e kanë njohur më përpara, përsëritës, recitivist. Të analizosh shkak- pasojë, gabimisht mund të rreshtohesh në njërën apo tjetrën skuadër. Mënyra më e mirë, përjashtimi deri në izolim i të dyve. Aq më shumë, kur flet për artistë, këngëtarë apo diçka e ngjashme, pavarësisht famës e karrierës. Të famshëm duhet të jenë, përsa kohë u bënë pjesë e një produksioni me VIP-a.
Patenta e këtij realityshow, nuk është vetëm në Shqipëri. Thuajse në të gjithë botën, ajo është e pranishme. Kjo, për të mos fajësuar jo vetëm programin televiziv por as televizionin që e organizon prej vitesh. Ajo që mbase produksioni i këtij realityshow, është një analizë më e thellë, e detajuar, e shtrirë në kohë e konkurrentëve. Po ashtu, mund të frenohen fenomene si bullizmi, fjalori vulgar e i pakontrolluar, të cilët gjenerojnë dhunë verbale e fizike. Nëse mund të quhet i tillë, ky është mëkati i produksionit, edhe pse duhet pranuar se, nisur nga interesat e marketingut, pikërisht fenomenet e mësipërme garantojnë audiencë të qëndrueshme që sjell fitime kolosale. Mes këtyre, mbase duhet ndërtuar një ekulibër që mund të shmangë përsëritje të skenave të turpshme, sidomos në një lojë televizive.
Të përfshish dy shtete shqiptare, Shqipërinë e Kosovën, duke i identifikuar me dy “budallenj të lagjes” së këtij realityshow, është dashakeq dhe patjetër, mund të stimulohet nga ata që përpiqen të krijojnë çarje edhe aty ku nuk mund dhe nuk duhet të ketë. Fatmirësisht, shumica e shqiptarëve janë më të zgjuar se kaq… /Nga Blerti DELIJA/