Në të ashtëquajturat zgjedhje të para që u bënë në këtë vend pas Luftës së Dytë Botërore, me 2 dhjetor 1945, sistemi për përzgjedhur deputetët, ishte i dy kutive dhe “kokrrave” me ngjyra të ndryshme. Kutia ku do të hidheshin votat (kokrrat) e opozitës, ishte bërë e tillë nga komunistët, që në fund të saj, kishte një shtresë prej metali, në të cilin pasi të binin “votat” prej kokrrash, të shkaktonin tingull. Ky tingull, sipas “provave” të bëra, dëgjohej nga anëtarët e komisionit dhe kështu, ata kishin mundësinë e plotë, për të zbuluar se cilët votonin kundër komunistëve dhe cilët pro tyre, duke evidentuar me emra kundërshtarët politikë të Partisë Komuniste dhe të pushtetit të Enver Hoxhës.
Ky fakt më erdhi në mendje teksa po rikthehet e rikthehet “beteja” e shifrave për takim- mitingjet e organizuara nga të gjithë krahët që me 14 maj 2023, kërkojnë votën e shqiptarëve për 61 kryebashkiakë dhe këshillat bashkiakë respektivë. Sigurisht, është shumë e rëndësishme “të tregohet forcë” edhe përmes daljeve publike të kandidatëve e subjekteve politike. Sidomos, me synim ndikimin tek pjesa e pavendosur apo “gri”, e cila të paktën sipas emrave në listat e zgjedhësve, është mbi 50%.
Të paktën dy partitë e mëdha, këto 32 vite, kanë dhënë prova mjaftueshëm se grumbullojnë mijëra mbështetës. Por jo gjithmonë, ata që kanë patur shifrat më të larta në fushatav elektorale, kanë marrë edhe më shumë “kokrra” në kuti. Arsyet janë të shumta, duke nisur nga tjetërsimi i vullnetit të votuesve, shitblerja e votës apo edhe xhonglimet e vetë votuesve. Aq më shumë, kur në dhomën e votimit, teorikisht të paktën, nuk mund ti shohë askush për kë kanë votuar.
Populizmi si teori, pjesëmarrja masive në takim- mitingje, është fenomen i sistemeve totalitare- diktatoriale, nga ekstremi i majtë- komunizmi, deri tek ekstremi i djathtë- fashizmi. Historia e Europës por edhe e Shqipërisë, është akoma e freskët, e mbushur me episode histerie kolektive për diktatorë që dërguan popujt e tyre nga uria e skajshme deri në vdekje për teori që mbase nuk i besonin as vetë.
Nuk ka dhe nuk duhet të ketë asnjë vend demokratik që i gjithë populli apo edhe 50%+1 e tij, të mbështesë në sheshe apo në kuti votimi një individ apo subjekt politik të vetëm. Europa e ka vertetuar shumë herë këtë fakt, teksa përqendrimi i pushtetit në një dorë të vetme ka prodhuar diktatura me fasadë demokracie.
Sigurisht, edhe “beteja” e shifrave është një gjetje në funksion të qëllimit. Së pari, tentohet të krijohet psikoza se kush është më “i fuqishëm”. Së dyti, tentohet të krijohet alibia për justifikimin e humbjes apo glorifikimin e fitores të palëve në garë. Së treti, fshihet puna që po bëhet në prapaskenë për blerjen e “kokrrave”, duke devijuar vëmendjen e votuesve tek diçka më pak e rëndësishme.
Duke iu rikthyer “kokrrave” të votimit, që mund të konsiderohen edhe manipulimi i parë masiv i zgjedhjeve në këtë vend përmes një fasade demokratike, shqetësimi nuk duhet të jenë shifrat e takim- mitingjeve që i paraprijnë 14 majit 2023. Gangrena që shoqëron këtë vend që në hapat e parë të sistemit që konsiderohet demokratik, tjetërsimi i vullnetit të shqiptarëve, bazuar në blerjen e varfërisë së ulur këmbëkryq ndër shqiptarët. E kur flasim për blerje, sidomos në komunitete lokale, të vogla dhe me nivel të theksuar varfërie, tentojnë të blejnë të gjithë. “Thasët me miell” janë proverbiale por edhe të turpshëm në këtë vend. Të paktën 32 vitet e fundit, shpesh herë e kanë nxjerrë në skenë këtë fenomen. /Nga Blerti DELIJA/