
Në Shkodrën “alergjike” ndaj së majtës, fjala vizionar në politikë, është konsideruar gjithmonë si një kartë e pavlerë. Qyteti për dekada ka jetuar me frymën e njohjes së një flamuri të vetëm politik, pavarësisht personit që ishte pas këtij flamuri. Sot pas 30 vitesh, kur individë të mirëfilltë politikë, nga të dy krahët, kanë rezultuar dështim për të ardhmen e këtij qyteti, dikush ka hedhur një tezë mjaft interesante dhe pse jo të mirëpritur nga qytetarë mendjehapur e të pa ngjyrosur politikisht të qytetit.
“Nuk mund të jetë Shkodra ai qytet i cili ndalon zhvillimin e tij, sepse kandidati është i njërës palë apo i tjetrës. Kur dikush vjen me alternativë dhe ide të qarta, pse të mos bashkëpunohet mes faktorësh? Është koha që të ulemi të punojmë, të krijojmë ura komunikimi dhe bashkëpunimi në të mirë të Shkodrës”.
Benet Beci, kandidati i Partisë Socialiste për Shkodrën, ka ditë që po hedh këto teza që sipas tij, mund të funksionojnë më së miri në qytetin që urat i ka me shumicë. Një artikulim i cili në fillim ngjante si utopi, në qytetin aq të ngarkuar nga gjuha e ashpër politike, sidomos në këtë start fushate elektorale, por që realisht po zë rrënjë dhe gjen mbështetje, çdo ditë e më shumë.
Benet Beci vjen në Shkodër si propozim i Partisë Socialiste, por jo si një socialist. Në fakt nuk ishte aspak nevoja që qasjen e tij pranë së djathtës, ta nënvizonte Rama në një qytet ku të gjithë njohin të gjithë. Kandidati, me një karrierë të pasur e të suksesshme menaxheriale, vërtetë vjen si një person i panjohur nga shumë qytetarë, por është gjithashtu pinjoll i një familje nga ato që Shkodra i quan “derë e madhe”. Ka mbi shpinë një mbiemër me histori të largët dhe të afërt, që sugjestionon çdo person që i njeh sadopak historitë qytetëse të kryeqendrës së veriut.
Në daljet e para zyrtare, Beci ngjan krejt ndryshe nga paraardhësit e tij në parlament. Nuk është papagalli politik me të cilin “shurdhohemi” çdo ditë. Gjuha e tij është një përzierje mes asaj të një teknicieni i cili di mire se ku i dhemb një rajoni, dhe një personi praktik, i cili më shumë se të evidentojë problematika, vret mendjen se si duhen zgjidhur ato.
Ka avantazhin e njohjes së mirë të territorit, në të gjithë qarkun më të madh të veriut, shkak i projekteve të realizuara që nga Puka, Malësia e Madhe, Velipoja, e së fundmi në Shirokë.
Bash në moshën e pjekurisë profesionale, ky 56 – vjeçar me rrënjë të thella në Shkodër, ka vendosur të dorëhiqet nga një post “i rëndësisë së veçantë” siç është KESH, për të ndërmarrë një sfidë, që ndoshta do të jetë sfida e jetës. Dhënies jetë e zhvillim qytetit me të cilin ashtu si çdokush, qoftë i ikur herët apo qoftë i lindur gjetkë, ndjehet në borxh. Dhe borxhi një ditë kthehet. /Nga Sokol N. SOKOLI/