Tano Banushi do të largohej nga kjo botë si sot 31 vjet më parë. Ishte 7 gusht 1993, prej 3 vitesh zyrtarisht Shqipëria kishte ndryshuar sistemin, duke kaluar nga komunizmi monopartiak në pluri- partitizëm. Ndërkohë, Tano nga vitin 1986 ishte në pension, pasi e mbajtën në Teatrin “Migjeni” si aktor edhe për 4 vite për atë që përfaqësonte në humorin shqiptar. Siç ka ndodhur e shpresojmë të ndodhë në vijimësi, me emra të mirënjohur të skenës. Të paktën, duke i angazhuar, rikthyer herë pas herë në skenë jo vetëm sepse e meritojnë por është artdashësi shkodran e shqiptar që i preferon dhe i duartrokit.
Nga ata që sot janë gjallë, brenda e jashtë kufijve të Shqipërisë, çdokush është shumë i vogël të gjykojë Tano Banushin. Janë disa (fatmirësisht jo shumë) budallenj që “zbulojnë” se Tanoja paska qenë antëar i PPSH- së. Ka budallenj të tjerë, më budallenj se të parët, të cilët aludojnë se Tano paska qenë edhe “sigurims” dhe paska bërë tortura çnjerëzore. Kjo, thjesht se një person tjetër, i njohur edhe në Shkodër, me mbiemrin Banushi, paska qenë pjesë e strukturave gjakatare të diktaturës 45- vjeçare në Shqipëri.
Të kesh qenë anëtar i PPSH- së, jo apriori do të thotë se ke qenë pjesë e sistemit që persekutoi, brenda e jashtë burgjeve e kampeve të punës dhe internimit, shqiptarët dhe jo vetëm. A e dini se, disa vjet para krijimit të Estradës Profesioniste të Shkodrës, pas një debati me sekretarin e parë, për dënim e çuan me punë si elektriçist në fabrikën e fermentimit të duhanit dhe e përjashtuan nga partia. Tano organizoi grupin artistik të Sstradës së Fermentim- Duanit, me të cilin organizoi edhe një turne në fshatrat e Postribës dhe të Buzë Ujit. Për këtë, nuk kaloi shumë dhe e thirrën në Tiranë, ku i kthyen teserën e partisë. Në korrik 1958, kur u krijua Estrada në Shkodër, Tano Banushi ishte aktor profesionist themelues, ku aktroi 28 vite duke spikatur si pakkush.
LEXONI EDHE: NGA ARDIAN NDRECA – E vërteta se “Tano Banushi ishte sigurims dhe kishte bërë tortura e krime të tmerrshme”
A e dini sa anëtarë të PPSH- së ka patur Teatri “Migjeni” dhe madje, edhe atëherë kur të gjithë po e linin këtë tesër, shumë e kishin për krenari akoma të ishin kandidat e anëtarë partie, edhe në filli të viteve 1990. A e dini se në jo pak raste, u kërkohej aktorëve por edhe personaliteteve të tjera të antarësoheshin në këtë parti? A njihni ndonjë nga ky kalibër individësh që ka refuzuar? Edhe mund të ketë, por janë më pak se gishtat e dorës. Sigurisht, për ti shpëtuar persekucionit të pashmangshëm fillimisht por edhe për të vijuar artin e tyre, në jo pak raste kanë marrë teserën e komunistit. Ndërkohë, të tjerë, edhe pa teserë, kanë “marrë në qafë” me dhjetra e me qindra, si kalecë apo agjentë sigurimi “700- lekësh”.
E për të ardhur tek epilogu, 7 gusht 1993, kur Tano Mbylli sytë si Artist i Popullit. Iu mohua gjëja më elementare, të përcillej në banesën e fundit nga Teatri “Migjeni”, ku jo vetëm kali 28 vite jetë por duke krijuar një profil artisti që edhe për shumë e shumë dekada, ndoshta nuk do ti vijë Shkodrës e Shqipërisë. Dera e Teatrit “Migjeni”, nuk u hap për Tano Banushin, edhe pse kortezhi guxoi të shkonte në drejtim të tij para se të varrosej, duke iu sjellë rrotull. Ishte viti 1993, por mesa dukej koncepti i “lustës së klasave” vijonte akoma, ashtu si në 45 vitet e diktaturës. Ndoshta Tano Banushi do të ishte ndër viktimat më të shquara, të fundit, të kësaj marrëzie që shkatërroi e vazhdon të shkatërrojë shqiptarët.
Në 25 vjetorin e ndarjes nga jeta të kolosit të artit shqiptar Tano Banushi, Rita Gjeka Kacarosi, aktore dhe në cilësinë drejtores së Teatrit “Migjeni”, do të shprehej:
“Unë nuk kam lujt kurrë me Tanon, por megjithatë kam 25 vjet që më bren një gje shumë e rëndë dhe me thënë të drejtën na takon ne ndoshta sot me kërku falje në një farë mënyre se 25 vjet më parë Tanoja nuk është leju me hy në teatër për me ba homazhe për të. Makina mortore është sjellë rreth e qark Teatrit edhe mandej ka shku. Unë kam 25 vjet që më vjen marre për këtë gja. Unë e kisha një dëshirë që sivjet të bëja diçka se është edhe 60 vjetori i estradës edhe është nevoja me kërku falje për këtë gjë”, shprehej Rita Gjeka Kacarosi.
Në janar të vitit 2020, familja Banushi bëri edhe një gjestj tjetër, në vazhdën e kontributit për artin e kulturën. I dhuroi Teatrit “Migjeni” arkivën e pasur të Tano Banushit, me materiale të shumta fotografike e filmike, relikte e dorëshkrime të artistit të madh. Sepse Tano Banushi, dhe të tjerë mjeshtra shkodranë, nuk i përkasin vetëm familjeve të tyre. Ata i përkasin Shkodrës e Shqipërisë! /Nga Blerti DELIJA/