
Mesnata e kësaj të mërkurë, 12 mars 2025, shënon afatin e fundit për përcaktimin e listave të kandidatëve për deputetë që do të garojnë në zgjedhjet e 11 maj 2025. Për herë të parë, zgjedhës brenda dhe jashtë territorit të Shqipërisë, të cilët mund të votojnë tashmë, do të mësojnë 2 muaj përpara emrat e kandidatëve që mund ti përfaqësojnë në Kuvendin e Shqipërisë.
Për shumë kandidatë të përfolur apo në pritje, ankthi është në nivele të larta. Në fakt, ka dy lloje ankthi: për përfshirjen në listat sipas qarqeve dhe përfshirjen në listën e mbyllur të çdo partie. Si Berisha ashtu edhe Rama, janë përpjekur të përcaktojnë publikisht rregullat se si mund të hartohen listat. Edhe vetë primaret, të cilat i ka cilësuar të rëndësishme, nuk do të jenë vendimtare në përcaktimin e renditjes por vetën në përfshirjen në lista, ka thënë Berisha.
Rama ka shkuar edhe më përtej, duke deklaruar se ai vetë mund të mos jetë fare në listat e kandidatëve për deputetë të Partisë Socialiste, mesazh i fortë në konceptin si ai do të hartojë listat, ku qartas e ka nënvizuar se kush ka gëzuar një mandat deputeti, vështirë të jetë në listën e mbyllur apo të sigurtë.
Ndryshe nga vitet e tjera, fushata do të nisë 2 muaj para datës së zgjedhjeve, sidomos nga kandidatët që nuk do të jenë në listat e mbyllura. Përballja brenda listave të partive për “një votë më shumë”, do ti ngjajë asaj të filmit uestern “Për ndonjë dollar më shumë”. Do të jetë e egër dhe siç ka ndodhur edhe në zgjedhjet e 2021- it, numri i subjektit do të ngatërrohet me numrin e kandidatit preferencial, duke çuar shumë vota në koshin e plehrave.
Vota e diasporës, pritet të ketë ndikim në këto zgjedhje. Njëra parë, është tashmë publikisht e bindur, se do të ketë ndikim deri në ndryshimin e pushtetit. Pala tjetër, është më e matur, madje edhe në entuziazmin publik që shpreh të paktën përmes rrjeteve sociale apo mediave. Është hera e parë që votojnë dhe nuk është çudi që vota e diasporës të sjellë edhe surpriza…
Pas daljes së listave të kandidatëve para mesnatës së kësaj të mërkure, me siguri matematikore do të ketë qejf mbetje qoftë për lënien jashtë listave të mbyllura por edhe jashtë listave të qarqeve. Këto zgjedhje, ata që duan “të bëjnë dëm”, në njërin krah apo tjetrin, kanë më tepër kohë në dispozicion. Sepse fushata jo zyrtarisht nis mesnatën e 12 mars 2025. /Shënim i ShkodraWeb/