
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka sanksionuar se kryetari i Bashkisë Malësi e Madhe Tonin Marinaj, jo vetëm nuk ka qenë asnjëherë i dënuar por madje, as i proceduar penalisht. Ishte kjo përgjigja zyrtare pas verifikimeve të kryera nga Prokuroria e Përgjithshme pas një kërkese të bërë nga Grupi Parlamentar i PD- së në korrik 2024.
Kështu, Tonin Marinaj do të vazhdojë normalisht dhe qetësisht deri në fund mandatin e tij të tretë radhazi në krye të Bashkisë së Malësisë së Madhe e me gjasë, nëse nuk do ta pengonte ligji (që parashikon vetëm 3 mandate radhazi për të zgjedhurit vendorë), ai do të rizgjidhej sërish në këtë post.
Në fakt, për këtë çeshtje, Tonin Marinaj do të shprehej vetëm një herë, me 2 korrik 2024, në rrjetet e tij sociale, duke pritur me durim që institucionet të flasin për këtë çeshtje, duke qenë i bindur se ishte fundekrye shpifje. Tonin Marinaj shkrunte në rrjetet sociale, duke paraprirë edhe rezultatin që sot dha KQZ- ja.
“Sot, si shumica nga ju, edhe unë jam suprizuar nga një deklaratë nga zyrat e njërës prej PD- ve të shumta në qarkullim. Nuk u habita shumë për vazhdimin e valsit të turpit të shpifjeve as ndaj meje, as institucionit që synojnë të ndotin dhe as Malësisë së Madhe që, bashkëmalësorë të mi, po japin prova prej vitesh që nuk e duan. Ose që interesat e tyre, i vendosin para interesit të malësorëve e Malësisë sonë.
U habita nga “skenari” i dobët, i shkruar apo i frymëzuar nga ndonjë pasdritare, “skenar” që nxjerr zbuluar edhe qëllimin për të cilin u sajua. Vitin që vjen, ka zgjedhje dhe Malësia e Madhe dhe malësorët, do të votojnë për qeverinë e tyre, sigurisht për të rikonfirmuar këtë mazhorancë dhe kryeministrin Edi Rama. Kjo, bazuar në ato që janë bërë, bëhen e do të bëhen për trevën tonë, që nuk janë realizuar asnjëherë nga 1990 deri në 2015- ën.
Në nivel vendor të Malësisë së Madhe, armiku i njërës prej këtyre PD- ve, është Tonin Marinaj, i votbesuar tre herë radhazi nga malësorët me votë të palëkundur.
Të dashur malësorë,
Ju jam mirënjohës për mbështetjen e qëndrueshme këto vite, të cilën me mundësitë e aftësitë e mija, me mbështetjen e jashtëzakonshme të qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama, jam përpjekur dhe do të vazhdoj të përpiqem t’ua kthej me punë të mira, në shërbim të komunitetit dhe me përkushtimin tim maksimal.
Nuk do të kisha marrë mundimin t’ ju përgjigjesha nongratave që po përpiqen të krijojnë një “skenar” shpifjesh në Malësi të Madhe. Por e ndjej detyrim për të gjithë banorët e Malësisë së Madhe, votues ose jo të mijtë, detyrim për Partinë Socialiste, kryetarin dhe kryeministri Edi Rama, për bashkëpunëtorët e mi, për të afërmit, miqtë e të njohurit dhe sigurisht për familjen time të deklaroj:
Me neverinë dhe përbuzjen më të madhe hedh poshtë jo vetëm këtë “skenar” të turpshëm, të pabesueshëm e qesharak por çdo sulm e akuzë të fabrikuar ndaj personit tim, Bashkisë Malësi e Madhe dhe malësorëve të mi.
Jam i hapur përballë çdo institucioni si KQZ, prokuroria, KLSH-ja, SPAK-u apo çdo organizëm tjetër, vendas dhe i huaj që të shqyrtojë çdo informacion në drejtimin tim. Ofroj bashkëpunimin tim maksimal për t’i lehtësuar punën me një synim të vetëm: Të gjitha të vertetat të dalin në shesh dhe t’i mbyllet goja e shthurur e shpifjes çdo personi, qoftë ose jo anëtar apo drejtues i njërës prej PD- ve.
Në mbyllje, garantoj të gjithë shpikësit, shkruesit e materializuesit e këtij “skenari” të turpshëm, njëkohësisht siguroj të gjithë banorët e Malësisë së Madhe se vitin që vjen, të gjithë këtyre gojështhururve, do t’i japim përgjigjen e merituar, me votën tonë, si edhe herët e tjera. Me respektin dhe përkushtimin maksimal për ju, si deri më sot dhe gjtihmonë”, do të shprehej Marinaj.
Sot koha dhe verifikimi thuajse dyvjeçar nga Prokuroria e Përgjithshme, hodhën poshtë çdo aludim, çdo shpifje. Më së paku, nga ata që inicuan gjithë kotë “furtunë në gotë”, duhet të kërkojnë ndjesë publike. Minimalisht, duhet të tërheqin të gjitha akuzat shpifëse, edhe nëse janë thjeshtë viktima të dezinformimit. Sot Tonin Marinaj, siç ishte parashikuar, doli më i fortë dhe fitimtar përballë akuzave të pabaza dhe me sfond të pastër politik. Në fakt, as në këtë linjë nuk ia arritën qëllimit, teksa Malësia e Madhe në drejtimin e Tonin Marinaj, mori një rezultat spektakolar në zgjedhjet politike 2025.
Realisht, ndjesën më të madhe dhe publike jo vetëm për Tonin Marinaj por edhe familjen, farefisin, miqtë, shokët e të njohurit e tij, duhet ta bëjnë ata që e njohin, si bashkëmalësor të tyre, që në moshë të njomë e deri në mbërritjen në krye të Bashkisë Malësi e Madhe. Për interesa ngushtësisht partiake- politike apo individuale, u bënë pjesë e një kori, realisht të vogël e të dobët në numër e zë, që sot u shua krejtësisht. /Blerti N. DELIJA/




