Një vit më parë, në këtë periudhë, Kina lëshonte mbi kokat e njerëzve 400 milion ton anhidrid karbonik. Në 2020-ën, pas fillimit të epidemisë së virusit kjo shifër është 200 milion ton. Në një vit Kina dërgon në atmosferë 10 miliardë ton gazra të dëmshëm. Në Itali, emetimi i gazit karbonik CO2, është reduktuar me më shumë se 139.960 ton. Në një vit Italia ngjit në qiell 338 milion ton nga ky gaz. Vitin e kaluar, nga në 2019-ën, njerëzimi dërgoi në drejtim të kokës së tij 36,8 miliardë ton gaz CO2. Që bota të ketë shpresë për të nesërmen, ky emetim duhet të reduktohet me 7.6% çdo vit deri në 2030-ën për të ulur ndotjen me 55%.
Kina dhe Italia deri tani, rezultojnë dy vendet më të dëmtuara nga virusi dhe vendi fqinj i yni, akoma po përballet me këto probleme. Por siç themi ne “çdo e keqe sjell me vete edhe një të mirë”.
Të paktën përkohërisht, oksigjeni që thithim në të gjithë globin, është më i pastër. Frenimi i pjesshëm i aktiviteteve të mëdha industriale, ndalja thuajse e plotë e mjeteve private të qarkullimit, mbyllja gati totale e transporteve publike, linjave ajrore ka bërë që treguesit e ndotjes së ajrit të kalojnë nga portokalli/e kuqe në blu. Ajo që vihet re këto ditë, është se ajrin nuk po e ndot as korona virusi sepse siç thonë specialistët, nuk përhapet prej tij.
Për ne shqiptarët por edhe popuj të tjerë, virusi ka edhe një efekt tjetër pozitiv. Familja, si njësi bazë e shoqërisë, është tjetërsuar dukshëm sidomos 30-40 vitet e fundit. Kjo edhe për shkak të ritmit frenetik të jetës, lëvizjeve demografike por edhe teknologjisë së shkurton distancat.
Ky virus inteligjent po na imponon një ndryshim të stilit të jetesës. Po kërkon nga ne të qëndrojmë sa më gjatë në shtëpi, duke rikthyer edhe njëherë lidhjen tradicionale në familjet njerëzore. Sot jemi “të dënuar” të kalojmë më shumë orë në shtëpi me njëri- tjetrin, të flasim e diskutojmë më shumë qoftë edhe për virusin. Dhe çfarë është më interesantja, teknologjia sërish po na shërben por të të komunikuar me njerëzit që i kemi larg fizikisht dhe për tu mbrojtur nga virusi duke evituar kontaktet e afërta me persona jashtë bërthamës familjare. A nuk është ajo që po përflitet prej vitesh, që çdo gjë do të drejtohet nga inteligjenca artificiale dhe çdo gjë do të jetë pas derës së shtëpisë tënde? A ngjan kjo me një “provë gjenerale” për këtë qëllim?
Kjo epidemi po i jep jo pak mësime njerëzimit. Më saktë, dikush në mesin tonë, përmes këtij virusi, kësaj situate të krijuar, po na jep mesazhe që nuk është e vështirë të dekriptohen. Planeti Tokë është keqpërdorur. Ky është mësimi i parë. Nëna Natyrë mund të tregohet aq e pamëshirshme, sa herë pas here mund të dërgojë viruse të tilla për të mbrojtur veten por edhe brezat që vijnë. Ky është mësimi i dytë. Shpikja e automobilit, mjetit vetëlëvizës, pra makinës, ka ndryshuar rrënjësisht botën. Po përdorimi i saj mund të reduktohet, siç po reduktohet këto ditë. Puna në distancë apo smartworking, mund të jetë një mënyrë e mirë për të zvolëguar përdorimin e makinave që emetojnë gaze të dëmshme për shëndetin tonë. Siç po bëhet sot, edhe pas ikjes së korona virusit, mijëra, miliona njerëz mund të bëjnë punën e tyre edhe nga shtëpia. Ndoshta duke dalë një apo dy herë në javë nga shtëpia por jo çdo ditë.
Afrika është kontinenti më i varfër, kontinenti ku mbajtja e higjienës por edhe mbushja e barkut me ujë e me bukë, është në kufijtë e të pamundurës për miliona njerëz. Por po ashtu, është kontinenti më pak i ndotur nga emetimet e CO2. Ai që dëshiron të kuptojë, ka mundësi të kuptojë…
Përtej masave drakoniane, të detyruara të qeverive në vendet e prekura, virusi do ta bëjë të veten. Shpresojmë me sa më pak njerëz, por mijëra jetë do ti marrë me vete. Edhe në emër të tyre, të neve që jemi sot e sidomos të atyre që do të vijnë nesër në këtë glob, duhet të nxjerrim mësim dhe të zbatojmë mesazhet e këtij virusi. Me rikthimin e normalitetit, sepse sigurisht ai do të rikthehet, ritmi i rikthimit të prodhimit industrial në botë, nuk duhet të jetë më ai i pari, rrugët tona nuk duhet të pushtohen nga miliona makina, qielli nuk duhet të mbushet me gjurmë avionësh që emetojnë gazra të dëmshëm. Sepse është e sigurte: Nëse do të ndodhë kështu, Nëna Natyrë apo dikush nga ne në emër të saj, do të na penalizojë sërish. E nëse sot virusi korona sot na duket shumë i ashpër, ai që do të vijë pas tij nëse ne vazhdojmë avazin tonë, me siguri që do të jetë disa herë më i ashpër. /Nga Blerti DELIJA/