Nuk ka asnjë çudi që çdo gjë do të kthehet si më parë. Jo se e njoh apo besoj thjeshtë dhe vetëm që Ylli Ndroqi alias Xhemail Pasmaçiu, është i pastër qelibar. As thjeshtë nga fakti që përballë medias, sidomos asaj të fuqishme në rendin e Ora News, edhe “drejtësia e re” lakohet.
Ka kohë që në këtë vend po flitet për vetting. Vetting edhe në fushën e medieve. Media të krijuara nga hiçi, prona të milionerëve. Gazetarë që e nisën me një kioskë- media e sot ndërtojnë anëkënd Shqipërisë e marrin miliona euro benefite të dukshme e të padukshme nga qeveria e rradhës.
Këto kohë, për arsye që mund të jenë thjesht e vetëm “mungesë marrëveshje” për përfitime reciproke, Ora News nuk është shumë dashamirëse me qeverinë aktuale. Disa formate, duket se i shtojnë kruarjet e kokës edhe kryeministrit. Janë disa gazetarë, moderatorë, të cilët “guxojnë” më shumë.
Paralelisht, pronari i kësaj media Ndroqi apo Pasmaçiu qoftë, ka një çeshtje të hapur me Erion Veliaj, sot kryebashkiak i Tiranës e nën zë, i proklamuar si “pasardhësi” i Ramës në PS. Pronari Ndroqi e fton të përballen në gjykatë, por Covid- 19 mesa duket është në anën e Veliajt dhe të paktën për 15 ditë, nuk mund të hyjë në një sallë gjykate. Ndërkohë, sot ndodhi ajë që të gjithë e pamë.
Të gjitha mirëkuptohen në një aksion policie. Po FNSH-ja pse angazhohet në procesin e bllokimit të Ora News?! Personalisht, nuk e kuptoj. Aq më shumë, kur pronari Ndroqi ka mundësi të ankimojë bllokimin e pasurive nga SPAK në gjykatë.
“Njeriu është pus i thellë”. Personalisht por edhe shumë të tjerë si unë, nuk mund të vënë dorën në zjarr për Ndroqin alias Pasmaçiun. “Askush nuk është aq i pasur sa të blejë të kaluarën”. E nëse nga ata, është edhe pronari i Ora News, tërheqtë këmbën rrëshqanë edhe për shumë kolegë të tjerë.
Vetëm para pak javëve shqiptarër mësuan se duhet të paguajnë nga xhepat e tyre mbi 100 milion euro. Është historia “e vjetër” e Agon Channel dhe pronarit të tij italian Becchetti. Pak a shumë, nisi si kjo historia e sotme që u përpoqa të rrëfej më sipër. Kryeministri i këtij vendi e ka përëritur shpesh se “gabon, por nuk përsërit dy herë të njëjtin gabim”.
Besoj se shpejt do ta mësojmë nëse kryeministri ka thënë të vërtetën. Po ashtu, edhe faturën që do të duhet të paguajmë se shqiptarët, nëse Ndroqi do të ndjekë rrugën e Becchettit. Kjo mbase do të dojë më tepër kohë. /Nga Blerti DELIJA/
P.S. Edhe në rastin e Agon Channel, nëse iu kujtohet, në zanafillë ishte…Erion Veliaj.