Kishte pak orë që kishte hyrë 8 dhjetori. Prej disa vitesh, është Dita Kombëtare e Rinisë. Sigurisht në respekt të lëvizjes së iniciuar nga studentët në Qytetin “Studenti” por një ditë që kërkon të hedhë vëmendjen pikërisht tek të rinjtë.
Në orën 01.45 minuta, u shua jeta e një të riu. Një i ri, me emër e mbiemër por mund të ishte secili. Nuk ishte “larje hesapesh”, as ndonjë episod i çmendurisë “hëngshin kokat e tyre”. Një polic, tashmë i arrestuar, qëlloi drejt një 25 vjeçari…
Siç ndodh rëndom, për të nxirë imazhin e viktimës, u nxitua të cilësohej si “person me precedentë penalë” ndërsa polici, thjesht u shoqërua. Pas disa orëve, efektivi zyrtarisht u prangos dhe u vë nën akuzë për “vrasje në kushtet e kapërcimit të mbrojtjes së nevojshme”.
Klodiani kishte dalë në rrugë, në atë që konsiderohet ora policore, nga 22.00 deri më 06.00. Përtej çdo justifikimi, duket se ky ishte “mëkati” i vetëm i tij. Guxoi të dalë atëherë kur rrugët e vendit të tij, vendit tonë, duhet të jenë zotërim vetëm i policisë.
Çfarë e bën më të rëndë ngjarjen, është se 25- vjeçari nuk ka kërcënuar askënd. Sipas komunikatës së vetë policisë, ai nuk ka pranuar ti ndalet policisë. Pra nënkuptohet, se ai ka tentuar ti largohet policisë. Sipas gjasave, nga frika e ndonjë gjobe. Sepse deri tani, nuk saktësohet zyrtarisht nëse ka patur armë të ndonjë lloji në dorë ose në trup.
Pyetja që ngrihet është: Pse e ka parë të nevojshme të xjerrë pistoletën e të qëllojë polici drejt të riut? Në emër të ligjit apo në emër të gjobës që duhet vjelë nga ata që shkelin “orën policore”?! Sepse çdo ditë, vetë Policia e Shtetit publikon “suksesin” e radhës, me miliona lekë gjoba për xhepat e shqiptarëve. Si askund tjetër në Europë e botë në fakt.
Klodiani vraponte, vraponte me shpresën se nuk do të rëndonte më shumë situatën financiare të familjes edhe me ndonjë gjobë 100 mijë lekëshe. Shpresonte të mos binte në dorën e një polici, që sipas gjasave, kishte bërë gati edhe bllokun e gjobave. E në pamundësi për ta kapur 25 vjeçarin e ri, nxjerr pistoletën dhe…shuan në jetë. Një jetë totalishte e pafajshme!
Kanë kaluar disa orë nga ngjarja e rëndë. Më së paku, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, duhej të kishte kërkuar ndjesë publike. Nuk do të ishte aspak çudi, që pas këtij akti, të dorëzonte edhe dorëheqjen. Sepse po bëhen shumë ngjarje, shumë raste, ku vlera e jetës së një shqiptari, është zero. Por kësaj here, është kaluar çdo cak. Policia që patrullon natën për të ruajtur jetën e qytetarëve, merr jetën e një 25 vjeçari.
Nga nesër, makina e propagandës, do të bëjë punën e vet. A ju kujtohet Sulo, personazhi i famshëm i filmit “Lulëkuqet mbi mure”?! I njëjti skenar, aktorë e kohë të ndryshme. Polici me shumë mundësi do të dënohet por do të vazhdojë të jetojë. Klodiani iku nga kjo botë! Përgjithmonë….! /Nga Blerti DELIJA/