ShkodraWeb Media

E Vërteta të bën të lirë!

OPINION/ A mund ta mbajë të gjithë peshën që Rama po tenton ti ngarkojë vetes pas “30 qershorit”…?

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po vazhdon punës sikur me 30 qershor janë zhvilluar zgjedhjet më të mira ndonjëherë në këtë vend, edhe pse termi që po përdoret gjerësisht këto ditë është “votime” dhe jo zgjedhje. U rrëzua me katër vota të antarëve të mbështetur nga mazhoranca propozimi i kryetarit Zguri, u rrëzua edhe kërkesa e “Bindjes” së Patozit dhe sipas gjasave, do të rrëzohen të gjitha në vijimësi. Gjithsesi, KQZ është vetëm një hallkë e këtij zinxhiri, sepse “vulën” mund ta vendosë vetëm Kolegji Zgjedhor. Me katër vota KQZ miraton vetëm tabelat përmbledhëse se mandatet nuk mundet në kushtet kur nuk janë pesë vota pro. Që të gjithë mandatet do të jenë produkt i një gjykate siç është Kolegji Zgjedhor pranë Gjykatës së Apelit në Tiranë. Edhe ky institucion, ka dhënë prova se zbaton orientimet që vijnë nga KQZ, nga sa aludohet, nën presionin e “vetting”- ut.

Loading...

Pasi hyri dhe doli “pa lagur” në votimin e 30 qershorit, Rama është i vendosur të mbajë premtimin: Të qeverisë përmes “ramava të vegjël” në 61 bashkitë e vendit. Pavarësisht se e gjithë Shqipëria rezulton ngjyrë mavi dhe jo vetëm tek kryebashkiakët por edhe këshillat, kryeministrit çdo gjë i duket normale. Kjo, edhe pas raportit paraprak të OSBE/ODIHR, për të cilin shefi i qeverisë nuk ka dhënë asnjë koment publik akoma.

Është e qartë si drita e diellit se kryeministri Ra vendosur të mbajë mbi supe edhe peshën e qeverisjes vendore. Përtej “gëzimit”që ai dhe të tjerët brenda mazhorancës do të kenë për “fitoren spektakolare” që është e sigurtë se nuk do të ndodhë më asnjëherë në këtë vend, Rama po tenton të marrë mbi shpinë një barrë vertetë supër të madhe, e cila mbase mund ta zërë edhe nën vete.

Sidomos për bashkitë e administruara nga opozita deri më sot, mungesën e investimeve nga buxheti i shtetit e ka justifikuar me paaftësinë e administratave lokale për hartimin e projekteve. Veç kësaj, e ka anatemuar edhe politikisht mungesën e bashkëpunimit, gjithmonë duke fajësuar administratën lokale. Madje, arriti deri atje sa ti thoshte Shkodrës të marrë shembull nga M.Madhe e Puka??!!

Të gjtha këto justifikime kryeministrit do ti bien automatikisht, nëse do të vazhdohet në certifikimin e “30 qershorit”. Për ta bërë më të kuptueshme, Rama nuk do të ketë më në dorë asnjë justifikim nëse do të mungojnë investimet në 61 bashki të vendit apo do të zvogëlohen tek të tjerat. Po ashtu, nuk është e vështirë të kuptohet se do ti duhet të përballet që nga koshat e plehrave të nëpër bashki, deri tek kanalizimet e ujrave të zeza dhe mungesa e ujit të pijshëm. Platforma e tij “e bashkëqeverisjes” do të bombardohet tani nga miliona mesazhe edhe nga ata që provonin të trokisnin në dyert e bashkive, të paktën ato që administron opozita. Kjo për arsyen e thjeshtë sepse për çdo nevojë, probem apo hall, kryebashkiaku “de facto” i 61 bashkive, do tëkonsiderohet (dhe jo pa të drejtë) Edi Rama.

Kështu, përveç telasheve me “qeverinë e madhe”, kryeministri do të duhet të ngarkohet edhe me telashet e shumta e të pashmangshme të 61 “qeverive të vogla” vendore. Padyshim, është një peshë e stërmadhe, një sfidë shumë e rëndë qoftë edhe për një individ dy metra dhe me probleme me kollonën.

Sot, Rama dhe të tjerët rreth e rrotull, mbase janë akoma të dehur nga “fitorja spektakolare”. Por shumë shpejt do tu duhet të ulen me këmbë në tokë. Edhe pse, kjo në plan të dytë, mund të ketë edhe një të mirë për ata socialistë apo “rilindas” në bashkitë ku qeveris e djathta: Hapen mijëra vende të reja pune! Sepse është e qartë, “fshesa” merret gjithmonë me vete kur hyn në shtëpinë e re! /Nga Sokol N. SOKOLI/

Loading...
Copyright ShkodraWeb Media © 2019 All rights reserved. | Politika e Privatësisë nga ShkodraWeb Media.