
Fjala “tutet” për Berishën në një garë brenda PD- së, duket e paimagjinueshme në pamje të parë. Të paktën nga fitorja e parë në 1991 përballë Azem Hajdarit, deri në vitin 2013 kur u largua nga drejtimi i PD- së me dorëheqje pas humbjes së zgjedhjeve politike të atij viti përballë dyshes Rama- Meta, Berisha nuk e ka patur asnjëherë të vështirë fitoren në garën për kreun e partisë, i të cilës, konsiderohet lider historik.
Nga viti 2009, në kohën kur ishte edhe kryeministër, Sali Berisha nuk është përballur asnjëherë me një garë të vertetë në PD. Jo se më herët, për hir të realitetit ka patur të tillë reale 100%, por gjithmonë ka qenë i sigurtë se fiton edhe në fakt ka fituar. Nga ajo kohë, kanë kaluar 17 vite, edhe në konceptim fizik të kalimit të moshës.
Se cili është modeli i zgjedhjeve në PD nga 2013 deri në 2026, e ka thënë publikisht vetë numri 2 i saj, Flamur Noka, i cili ka deklaruar se “për të nxjerrë fitues Lulzim Bashën, janë mbushur kutitë”. Pra, të paktën pas zgjedhjeve të 2013, ku i ndjeri Sokol Olldashi humbi përballë të preferuarit të Berishës, Lulzim Basha, zgjedhjet brenda PD- së, janë vënë vertetë në dyshim nga vetë drejtues të lartë të saj.
Me 23 maj, demokratët do të duhet të votojnë sërish për kryetarin e tyre. Berisha, sigurisht ka shpallur kandidaturën për të qenë në krye edhe për 4 vite të tjera. Në sfond, ka shprehur dëshirën për të kandiduar edhe Ervin Salianji, deri para pak muajsh, i konsideruar nga Berisha dhe lidershipi i PD- së si “i burgosur politik i regjimit të Ramës”, madje edhe “hero i fjalës së lirë dhe opozitës”, si denoncues i aferave kriminale të kësaj mazhorance.
Vetë Berisha por edhe lidershipi tjetër i kësaj force politike, po bëjnë të gjitha përpjekjet që Salianji të mos bëhet pjesë e kësaj gare. Sipas tyre, ai është “vetëpërjashtuar sepse ka bashkëpunuar me krimin”. Akuza i faturohet lidhur me takimet që ish- deputeti demokrat ka bërë me strukturat demokrate në disa qytete të vendit. Të njohura publikisht tashmë idetë e mendimet e tij, Salianji po kërkon të energjizojë PD- në, ta bëjë atë fituese, duke patur hap të parë llogaridhënien e lidershipit aktual dhe më pas, zëvendësimin përmes zgjedhjeve.
Me gjasë, Berisha dhe lidershipi i PD- së, e konsiderojnë në avantazh Salianjin pikërisht për shkak të këtyre takimeve. Salianji e ka përsëritur edhe sot dëshirën për të kandiduar përballë berishës, duke shkruajtur: “Unë kërkoj vetëm një gjë: rregulla dhe votë, këtë kërkojnë demokratët, shoqëria dhe partnerët! Pjesa tjetër është propagandë për të mbuluar frikën.”, duke ju referuar pohimeve të Berishës se “ai është vetëpërjashtuar”.
Berisha pohon se Salianji është vetëpërjashtuar pasi ka shkelur Statutin e PD- së, ndërsa Salianji i kujton mosrespektimin eksplicit të një neni të Statutit për largimin nga drejtimi i kësaj partie me dorëheqje pas humbjes së zgjedhjeve politike të 2025, madje duke mos kandiduar as në zgjedhjet e 23 maj. Berisha nga ana tjetër, zgjedhjet e fundit i quan farsë por njëkohësisht, i ka njohur e pranuar ato, jo vetëm duke hyrë në parlament. PD po bashkëpunon me PS të paktën në dy reforma, atë administrative- territoriale dhe zgjedhore.
Nëse Berisha dhe PD do të vazhdojnë ta konsiderojnë Salianjin të vetëpërjashtuar, edhe pse Statuti nuk e ka këtë përcaktim dhe duhet të jenë forumet që marrin një vendim të tillë, ish- deputetit demokrat, në shembullin pikërisht të drejtuesve të kësaj force politike, i lind e drejta legjitime që edhe zgjedhjet e 23 maj 2026, ti quajë farsë brenda këtij subjekti politik.
Lideri historik dhe aktual i PD- së, ka mundësinë që me 23 maj 2026, të japë dy prova shumë të rëndësishme. E para, që nuk i ka ikur kontrolli apo karizma që e ka karakterizuar brenda PD- së që nga 1991 dhe e dyta, ti japë të gjitha bonuset organizative- kontrolluese të mundshme të procesit të zgjedhjeve një rivali, që të paktën pas 2009- ës, duket se është i vërtetë: Ervin Salianji!
Me plotësimin e këtyre dy kushteve, fitorja e mundshme e Berishës, do ti jepte një dimension shumë të fortë, të pakontestueshëm atij dhe lidershipit 4- vjeçar. Nga ana tjetër, do të shuante që në zanafillë çdo iniciativë të ngjashme të çdokujt brenda PD- së në të ardhmen. Gjithmonë, nëse Berisha nuk i tutet një gare të vertetë pas rreth 17 viteve nga ajo e fundit dhe kur ishte në pozitën e kryeministrit të vendit, teksa qeveriste Shqipërinë me PD- në, e më pas, edhe me LSI- në e Metës. Nëse nuk ndodh kështu, do të lërë të “pakuruar” një ulçera brenda PD- së, e cila veçse do të riaktivizohet herëpashere, mund të kthehet edhe në sëmundje të pashërueshme. /Nga Sokol N. SOKOLI/




