OPINION – A është lajm i mirë zyrtarizimi i kandidimit të Berishës për kryetar të PD- së…?!

Në takimin e Kavajës, i cili sipas gjasave është shtuar në listën e turit të “Foltores”, ish- kryeministri Sali Berisha ka zyrtarizuar kandidimin e tij për kryetar të PD- së. Në Kuvendin Kombëtar që pritet të thërrasë diku në mes 8 dhe 11 dhjetorit apo më pas me parimin “një antar, një votë”, Berisha ka njoftuar se do të jetë ndër kandidatët për postin që e la me dorëheqje në 2013- ën.

Sapo ka festuar 77- vjetorin, Berisha synon të rikthehet dhe nuk do të ishte rikthimi i parë. Për herë të fundit, ai u vu në krye të PD- së në 1997- ën, pasi u dorëhoq nga posti i presidentit pasi PS fitoi zgjedhjet e atij për tu rikthyer në pushtet për 8 vite. Edhe pse jo zyrtarisht nuk ishte kryetar, edhe në këtë periudhë 1992- 1997, realisht ai ishte kryetari i PD- së.


Nga viti 1997 kanë kaluar mëse 24 vite por ka ndryshuar konfigurimi politik e natyrisht, edhe marrëdhëniet me kancelaritë përendimore, sidomos ato më të rëndësishmet për të djeshmen, të sotmen e të ardhmen e këtij vendi.

Gjatë turit të “Foltores”, që mbase do të mbyllet këtë fundjavë në Lezhë, Berisha nuk e shprehu që në fillim dëshirën e rikthimit në krye të PD- së. Madje, qëllimi i tij nisi të kristalizohej rrugës, me shumë mundësi, pasi preku me dorë mbështetjen që gëzon në strukturat demokrate. E sot, deklaroi publikisht se do të jetë kandidat, duke hedhur dorashkën e sfidës për Bashën por edhe të gjithë ata që mbase do të guxojnë ti vihen përballë në këtë garë, nëse do të ndodhë.

Levizja e ish- kryeministrit vjen në të njëjtën ditë me njoftimin se një gjykatës në Paris, ka pranuar të shqyrtojë padinë e tij për sekretarin amerikan të Shtetit Blinken për çeshtjen e shpalljes “non grata”. Natyrisht, asnjë gjykatë në botë nuk mund t’ ia heqë “non grata”- an amerikane Berishës. Ai e di këtë shumë mirë, por e prezantoi pikërisht sot si një gjysmë- fitore.

A është lajm i mirë zyrtarizimi i kandidimit të Berishës për kryetar të PD- së? Fillimisht, duhet pranuar se është çeshtje e antarëve të PD- së, të cilët kanë të drejtë të zgjedhin kryetarin e tyre, nëse do u jepet kjo e drejtë. Themi kështu, se para rreth 3 muajve, ata votuan masivisht Lulzim Bashën si kryetar me parimin “një antar, një votë”.

Pak kush kishte dyshime se në thelb, “Foltorja” e Berishës ishte një nismë personale për të provuar e siguruar mbrojtje politike pas shpalljes “non grata” dhe përjashtimit nga Grupi Parlamentar me një vendim personal të kryetarit Basha. Kjo përtej kauzës së krijuar “Për një PD më të bashkuar, më të fortë, më të hapur”. Berisha e kishte të nevojshme të jepte një provë force në PD, ku edhe pas 8 viteve nga largimi nga posti i kryetarit, të tregonte se gëzonte kredite edhe më të larta se kryetari prej 8 vitesh në detyrë Lulzim Basha.

Me zyrtarizimin e kandidimit, Berisha personalizon plotësisht “Foltoren”. Kur ia ka dalë të mbledhë mbi 50% të firmave të delegatëve për të thirrur Kuvendin Kombëtar, Berisha iu rrëfeu ëndrrën: Dua të rikthehem kryetar. Sipas gjasave, shumë nga ata që e kanë mbështetur, edhe me firma për Kuvendin Kombëtar, nuk kanë patur të njëjtën ëndërr me Berishën.

Fryma e krijuar me “Foltoren” nga Berisha, për shumë demokrate shihej si mjeti për largimin e Bashës që i la për mandatin e tretë radhazi në opozitë por jo detyrimisht, rikthimi i ish- kryeministrit në krye të PD- së. Berisha shihej më shumë si “regjent” në një fazë disa mujore tranzicioni pas shkarkimit të mundshëm të Bashës dhe hapjes e përmbylljes së garës për pasuesin në krye të PD- së.

Dëshira e demokratëve është ardhja në pushtet sa më shpejt e PD- së, sidomos pas nisjes së mandatit të tretë radhazi në opozitë. Karriera politike e Berishës ka treguar se është një opozitar i lindur, me dhunti të shumta dhe aftësi për “gjetje” që të lënë edhe me gojë hapur. Sigurisht, përballë Bashës por edhe çdo kandidati të mundshëm, të shpallur apo jo, Berisha shfaqet i vështirë për tu mundur.

Nga ana tjetër, të gjithë e njohim dhe pranojmë ndikimin e kancelarive përendimore edhe në zgjedhjet politike në këtë vend. Madje, Berisha ishte i pari që e provoi me fitoren e 22 marsit 1992. Por ndryshe nga ajo kohë, sot Berisha është zyrtarisht “non grata” nga Shtetet e Bashkuara dhe një kandidat për kryeministër me këtë barrë, është shumë e vështirë të arrijë pushtetin. Të paktën, deri në një ndryshim të mundshëm të administratës në Shtëpinë e Bardhë, rrjedhimisht me tërheqje të statusit “non grata”.

Mbase “llogaria” është bërë në koençidencën e përfundimit të mandatit të kësaj administrateve amerikane në Shtëpinë e Bardhë me takimin e radhës- 2025, të zgjedhjeve politike të zakonshme në Shqipëri. Gjithmonë me shpresën që “non grata” për Berishën të tërhiqet. Për Shqipërinë, një kryeministër “non grata” nga SHBA- të, nuk do të ishte një nisje e mirë. Edhe pse Berisha ka bërë të ditur se edhe për kandidatin për kryeministër, do të ketë primare në PD dhe jo detyrimisht, kryetari do të ishte kryetar i qeverisë. Sigurisht, nëse Berisha do të vazhdojë të mbrojë e të materializojë pozicionet që ka shpërfaqur gjatë “Foltores”. Zgjedhja e “të keqes më të vogël” të momentit, jo gjithmonë ka rezultuar më e mira këto 30 vitet e fundit por edhe më herët. /Nga Blerti DELIJA/