
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar të martën renditjen e listave të hapura për 12 qarqet e vendit, të cilat do të përdoren nga qytetarët për të votuar me 11 maj 2025.
Ndryshe nga vitet e kaluara, përbri kandidatëve nuk ka një numër rendor për të orientuar zgjedhësit apo edhe mundësuar kandidatët në listën e hapur, të bëjnë thirrje “votoni numrin përkatës” me të cilin identifikohen në listë. Për interesin e subjekteve politike, kjo është pozitive: Numri i subjektit politik, nuk do të ngatërrohet me atë të kandidatit të preferuar, duke parandaluar teorikisht të paktën, mijëra vota të pavlefshme ose të shënjuara gabim.
Në votimet e 11 majit, pas ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, në krah të kandidatit, majtas, ka vetëm një katror ku vendoset shenja “X” apo “+” tek i preferuari. Për qarkun Shkodër, janë të paktën 121 kandidatë preferiancialë për 11 subjekte. Orientimi i zgjedhësve nga kandidatët për të dhënë votën zgjedhësit për ta, vështirësohet.
Në zgjedhjet e vitit 2021, kishte një lehtësi në këtë drejtim. Zgjedhësi orientohej “voto numrin “X” për partinë politike” dhe “voto numrin “Y” për kandidatin e preferuar”. Kaq informacion i duhej zgjedhësit për ta orientuar, aq më shumë kur lista nuk ndahej në listë të fiksuar e listë të hapur.
Sivjet, zgjedhësi nuk ka një indicie për të shkuar tek i preferuari përveç emrit dhje mbiemrit. Nëse është i dyzuar deri në momentin e fundit dhe do ti shohë edhe njëherë të gjithë emrat, pa një numër rendor orientues në listat e subjekteve, vështirësia rritet por edhe koha për të kryer votimin bashkë me të.
Dhe “qershia mbi tortë” është zbatimi i çuditshëm i Kodit Zgjedhor nga KQZ. Në Nenin 67 të tij, pika 3, fjalia e dytë, është përcaktuar: Renditja e kandidatëve bëhet sipas rendit alfabetik të mbiemrit për secilin prej tyre. Ky rregull është disi i çuditshëm, të paktën për pjesën më të madhe të shqiptarëve, të cilët kudo dhe në çdo rrethanë, prezantohen emër dhe mbiemër. Vetëm “të famshmit” apo “të shëtiturit”, prezantohen mbiemri në fillim, më pas emri.
Në listat tashmë zyrtare të 12 qarqeve, miratuar nga KQZ, ky rregull nuk është ruajtur. Teksa “mbiemri” është përcaktues në rreshtimin në listë, ai duhet të jetë i pari. Pra, në formën FISTEKU Filan dhe jo Filan FISTEKU. Madje, për të lehtësuar votimin e zgjedhësve, do të duhej të shkruhej me kapitale pikërisht mbiemri. Në listat aktuale, të miratuara nga KQZ, në fillim të gjeneraliteteve, vendoset emri, pasuar nga mbiemri. Pra, edhe nëse e emrin Zheleznov dhe mbiemri Abedini, automatikisht je i pari në listë me gjeneralitete “Zheleznov Adbedini”. Një tjetër, që e ka emrin Abedin Zhelja, rreshtohet i fundit për shkak të mbiemrit. Kështu, ka një favorizim të çuditshëm, për shkak të mos respektimit të pikës 3, fjalia e dytë e Nenit 67 të Kodit Zgjedhor.
Për të ndihmuar zgjedhësit, në mungesë të numrave identifikues për kandidatët, në zbatim edhe të nenit më sipër, do të duhej që fillimisht tek gjeneralitetet, të vendosej mbiemri, mundësisht me gërma kapitale, pasuar nga emri me vetëm gërmë nistore kapitale. Për të ndihmuar zgjedhësit por edhe në zbatim të Kodit Zgjedhor, lista duhej të ishte si më poshtë (marrë për ilustrim). Në pamundësi ndryshimi të Kodit Zgjedhor, mbase KQZ është në kohë të ndryshojë listat e votimit. Sigurisht, është thjesht një teknikalitet, për të cilin me shumë gjasa, para zgjedhjeve mbase nuk do shqetësohet askush. Pas tyre, sidomos humbësi, mund ta përdorë për argument shtesë. /ShkodraWeb/