Edi Rama, kryeministri i këtij vendi, ka njoftuar një dalje për mediat. Nga ajo që ka përcjellë në “logun” e tij të preferuar, rrjetet sociale, shefi i qeverisë ka njoftuar konferencë për shtyp lidhur me ekzekutimin e 25 vjeçarit Klodian Rasha nga Policia e Shtetit.
Po! I riu nuk është ekzekutuar si i pafajshëm nga një polic, me emër e mbiemër, mbase edhe ai me halle e telashe si të gjithë shqiptarët. Ndoshta edhe ai, nën trysninë sociale që po përjetojmë të gjithë këto kohë të vështira. Polici që ka tërhequr këmbëzën, është shumë më pak fajtor se ai që ia la në dorë, se ai që e instruktoi si duhet të veprojë, se ai që nxorri një urdhër apo VKM që nxit negativisht.
Personalisht, mendoj se Sandër Lleshaj është tashmë i shkakruar si ministër i brendshëm. Dyshimi i vetëm është nëse Lleshaj do të shkarkohet sot, kur shoqëria shqiptare është e tejngarkuar nga akti i rëndë i Policisë së Shtetit apo në një moment tjetër. Sepse kryeministri e ka thënë por edhe e ka treguar me vepra se nuk dorëzohet! Sepse tashmë “misionari” është shndërruar në “dashnor të pushtetit”.
Duke mos qenë një vend normal, na pëlqen të kujtojmë se në një vend normal, fillimisht Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit dhe pas tij Ministri i Brendshëm, duhej të kishin dhënë dorëheqje. Ndërsa përgjegjësinë ligjore shpresojmë ta mbajë ai që tërhoqi këmbëzën, përgjegjësinë morale por edhe politike, duhet ta mbajnë Veliu e Lleshaj.
Ka pak gjasa që sot kryeministri i këtij vendi të shkarkojë ndokënd. Në fakt, fotot që vijnë nga Nju Jorku, ku Rama shfaqet duke bërë shopping nën vëzhgimin e truprojave, tregojnë shumëçka. Sandër Lleshaj, ka qenë guri i fortë në murin e qeverisë Rama. Këtij të fundit, i ka bërë një mori shërbimesh, që nga dita e parë që erdhi në detyrë e deri mbrëmjen e kaluar.
Policia shqiptare është transformuar në një detashment ushtarak. Mënyra e organizimit, veprimit por edhe egërsia ndaj bashkëqytetarëve, është lehtësisht e verifikueshme edhe pa qenë eksperkt. Ngjan makabre, por edhe ekzekutimi i 25 vjeçarit Klodian Rasha, është vijimësi e kësaj qasje të Policisë së Shtetit.
Kjo strukturë, urgjentisht duhet reformuar. Detashmenti ushtarak duhet të shuhet për tu kthyer në misionin e saj parësor, mbrojtjen e jetës, pronës private, asaj shtetërore dhe të çdo vlere tjetër njerëzore. Qytetari takspagues, nuk duhet të ketë frikë policin por anasjelltas. Sepse polici paguhet me paratë e bashkëqytetarëve të tij dhe duhet të ketë busull vetëm ligjin.
A i intereson kryeministrit Rama transformimi i shpejtë i Policisë së Shtetit? Dyshoj që jo. Sidomos në prag të zgjedhjeve, veçanërisht në prag të një vale protestash që me shumë mundësi, nuk do të ndalen lehtë. Veliu dhe Lleshaj, si drejtues politikë të “armës” së tij që garanton shtypjen (po, po, shtypjen!) e çdo proteste e lëvizje, i interesojnë akoma kryeministrit. Edhe pse përflitet se marrëdhëniet mes Ramës nga njëra anë e Lleshajt, nuk janë në nivelet më të mira.
Janë dhjetra, ndoshta edhe qindra tonelata gaz lotsjellës e spray që presin të përdoren. Nga shqiptarët kundër shqiptarëve. Pa dhimbje, pa asnjë brerje ndërgjegje. E kjo nuk është e lehtë të bëhet. Jo çdokush e bën. Prandaj në krye duhen individë së Veliu e Lleshaj. Ky i fundit, një ushtarak në krye të Ministrisë së Brendshme e titullar direkt i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.
Largimi apo shkarkimi i Veliut e Lleshajt, nuk e kthen në jetë Klodianin. Nuk fashitet dhimbja e familjarëve. Nuk besoj të mbyllë menjëherë protestën e nisur. Përkundrazi, pas tyre do të kërkohet edhe largimi i kryeministrit, edhe pse e pamundur praktikisht kaq pak muaj para zgjedhjeve politike.
Sigurisht, do të ishte një shenjë e fortë e përgjegjshmërisë së një shteti, i cili emrin e dytë e ka të kundërtën.
Pas vizitës së kryeministrit Rama në familjen e Klodianit (ku Veliu e Lleshaj nuk guxuan të drejtohen), pritshmëritë janë të larta për një vendimmarrje ekstreme të shefit të qeverisë, për veprime ekstreme të Policisë së Shtetit. Ja pse ka akoma një fije shprese se ky kryministër, mund të tregohet në lartësinë e duhur për të fashitur sado pak një plagë që i është hapur jo vetëm një familje, por të gjithë shoqërisë. Për të rikthyer besimin tek unifromat blu, si shërbëtorë dhe jo “hanxhar” mbi kokën e shqiptarëve të pakënaqur me qeverinë e tyre të radhës.
E në fund, edhe një rresht për Veliajt e mëdhenj e të vegjël që shqetësohen nga djegia e zbukurimeve të vendosura në kryeqytet. Natyrisht, amplifikohen për të sfumuar sado pak ngjarjene e rëndë. ‘do gjë do të rikthehet në normalitet. Jo për meritë të Veliajt apo Ramës, por nga paratë e vetë shqiptarëve. Dhe kjo është një kosto e natyrshme që duhet ta paguajmë të gjithë. Për sa kohë ky vend është akoma është në tranzicion. Të gjithanshëm! /Nga Blerti DELIJA/