Nga 2009- a me vendim të Kuvendit të Shqipërisë, 8 dhjetori është shpallur si Dita Kombëtare e Rinisë. Pavarësisht se buron nga viti 1990, u desh të kalonin gati dy dekada që kjo ditë të futej në historinë e festave zyrtare të vendit. Është ditë pushimi, përfitimi i vetëm deri më tani jo vetëm i të rinjve që kanë fatin të kenë një punë por edhe i të tjerëve, burra e gra.
Sot, 32 vite nga 8 dhjetori i parë, ka pak për të festuar e shumë për të reflektuar. Revolucioni paqësor që nisi nga një grup studentësh e pedagogësh në Qytetin “Studenti”, prodhoi një sistem që për ironi të fatit, tenton të nxjerrë jashtë ri, pikërisht të rinjtë. Pak për të mos thënë aspak, kjo moshë u përfshi në qeverisjen e vendit. Me pikatore ishin ata që më shumë për fasadë, u përfshinë nga baballarë apo gjyshër në “punët e shtetit”.
Edhe kur u përfshinë, u shfrytëzuan në mënyrën më të keqe të mundshme. Janë me dhjetra ata që e pësuan, duke zgjedhur si alternativë të parë emigracionin. Pjesa dërrmuese e atyre të 1990- ës, sot janë jashtë vendit. Sigurisht, kanë ndërtuar jetët e tyre, mbase janë më mirë se mund të ishin në vendlindje por nuk ikën me dëshirë. Patën largpamësinë apo fatin të kuptojnë herët se ky vend nuk do ti ishte “foleja” për të cilën ëndërruan e u përpoqën.
Mallkimi i këtij brezi të 1990- ës, duket se e ndjek pas rininë e këtij vendi. Teksa flasim për shpopullim, të rinjtë janë ata që braktisin përditë e më shumë këtë vend. Shpopullim jo vetëm në emër të kushteve më të mira ekonomike, të një jete që vendlindja nuk ua jep. Shpopullim edhe në emër të shkollimit në një vend të huaj, me shpresën që në vijimësi të sigurojnë punësimin e një jetë me më shumë shanse se Shqipëria.
Është e vështirë të vertetohet, por nga njëri 8 dhjetor në tjetrin, përherë e më shumë krijohet ideja se ka një skemë, një skenar për përjashtimin e të rinjve nga kontributet për këtë vend. Ata që në 1990- ën ishin 17- 20 vjeçarë, ata që kanë besuar se ky vend ka një mundësi të bëhet, akoma mendojnë largimin. Këtë herë jo për vete por për fëmijët që të mos vuajnë të njëjtin realitet si ata vetë.
Ëndrra e madhe e të rinjve të 1990- ës ishte “E duam Shqipërinë si e gjithë Europa”. Një Europë, e cila nga 1990- a ka bërë hapa gjigandë, teksa Shqipëria po vijon ta ndjekë me hapa breshke. Zhgënjimi më i madh që të rinjtë e të gjithë brezave këto 32 vite, e kanë perjetuar e fatkeqësisht, do të vijojnë ta përjetojnë, nuk dihet edhe për sa vite.
Në vende të ndryshme të botës, në 5 apo 7 kontinente, të rinjtë shqiptarë kanë spikatur, kanë treguar vlera. Po flas për shumicën, jo për pakicën, që përsëri për shkak të pamundësive që u ofron vendi, me para borxh dhe me rrezik jete, tentojnë Anglinë, Amerikën. Jo rrellë herë, duke rënë edhe në batakun e fenomeneve negative.
Sot, është e vështirë të gjesh fjalë urimi. As edhe të japësh arsye pse të rinjtë duhet të qendrojnë në këtë vend. As edhe për prindërit që mundohen ti mbajnë pas vetes me sloganin “guri i rëndë peshon në vend të vet”. Të gjithë, pa përjashtim, duhet të ulim kokën, të ndjehemi të turpëruar deri në faj. Jo aq shumë për të rinjtë nga 1990- a e këtej. Më shumë për ata të rinj që mbase nuk kanë ardhur akoma në këtë botë. Sepse do të përplasen me t[ njetin realitet të këtyre 32 viteve që kaluan. Kjo është fatkeqësia më e madhe! /Nga Blerti DELIJA/