29 Nëntori 1944 sërish në fokus! Ndryshe nga dita përpara, kjo datë ndan e përçan. Arsyeja është thjeshtë dhe vetëm ideologjike, në mungesë të një qendrimi publik- institucional, të paktën tash 32 vjet. Fatmirësisht, kjo datë nuk është unifikuar me 28- ën si ditë e shenjuar përgjatë shekujve të historisë, të paktën nga Gjergj Kastriot- Skenderbeu, Ismail Qemali e më vonë, tek Adem Jashari.
28 nëntori si datë e çlirimit të vendit në Luftën e Dytë Botërore, do të “bënte pis” këtë simbolikë të fortë të shqiptarëve. Tashmë fatkeqësisht, dilemat janë përqendruar te 29 nëntori, si një datë që duhet konsideruar çlirim apo nisje e një pushtimi me pasoja katastrofike për shqiptarët. Pasoja që vazhdojnë të ndjehen nga 1990- a e këtej, rrugëtare me të drejtën e fjalës e opinionit.
Sigurisht, duhet një pozicion institucional. Sepse çdokush është i lirë të festojë ose jo çdo datë, duke nisur nga ditëlindja e tij. Megjithatë, për data zyrtare, nga ato që përbëjnë festa kombëtare e mundësi krenarie kombëtare, duhet të flasë shteti, në kuptimin e gjërë e të plotë të fjalës. Duhet pozicionim, i fortë dhe vendosur, për të udhëhequr opinionin publik, edhe me forcën e ligjit.
29 nëntori u përcaktua ideologjikisht si ditë e çlirimit e po ideologjikisht, vazhdon të përceptohet si e tillë duke nisur nga Kushtetuta deri tek festat zyrtare të një shteti, i cili mburret me 110 vite pavarësi. Në rastin e kësaj date, duhet një “prerje me thikë”. 29 nëntori, për ngarkesën e rëndë deri në fatale që mban edhe si trashëgimi ogurzezë për shqiptarët, duhet të fshihet me forcë nga kalendari i përkujtimeve.
Është e kotë ti rikthehemi pasoja tragjike që solli në jetët e qindra mijëra shqiptarëve “epoka e ndritur e partisë” që nisi pikërisht nga 29 nëntor 1944. Plagët e hapura jo vetëm nuk kanë vënë cipë por vazhdojnë të gërvishten përditë dhe në sytë e të gjithëve nga rudimente të çuditshme të asaj kohe. Mes tyre, edhe veteranë 75- vjeçarë të LANÇ- it që bëhen pjesë e festimeve të 78 vjetorit të “çlirimit” të vendit nga nazi- fashistët.
Sigurisht, duhet një datë e rëndësishme që lidhet me mbylljen e Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri. Ndoshta duhet një emërtesë e ndryshme nga ajo e “çlirimit”. Nuk mendoj se është shumë e vështirë të gjendet apo sajohet. Edhe një datë, krejt e ndryshme nga 29 nëntori, e cila nga 1944 a e deri më sot, vetëm është bërë pis dhe ka nxitur përçarje e jo pak herë, urrejtje.
Një datë mund të jetë 17 nëntori 1944, ditë kur Tirana mbeti e lirë pas largimit të trupave gjermane. Hyrja në kryeqytetin e lirë të vendit, në disa shtete, është shënuar edhe si dita e lirimit të vendit. Sepse fjala “çlirim”, edhe si fjalë formim duhet vënë në dyshim. Liri, lirim kanë kuptim dhe me parashtesën “ç” kuptimi duhet të ndryshojë krejt. Por kjo është çeshtje gjuhëtarësh.
Shteti shqiptar, nuk duhet të udhëhiqet nga ideologjia por logjika. Logjika kërkon që të paktën të heshtet, të mbyllet goja publike për një periudhë 45- vjeçare. Të paktën deri sa historianët që do të vijnë, të kenë guximin të flasin profesionalisht, derisa një klasë politike e logjikshme të shpallë me rezolutë parlamenti diktator Enver Hoxhën. Nuk mund ta zhbëjmë këtë periudhë, është pjesë e historisë sonë tragjike. Por kemi detyrimin që në respekt të atyre që vdiqën, atyre pak të janë akoma gjallë, të mos nëpërkëmbim, qoftë edhe duke dhënë nga vetja. /Nga Blerti DELIJA/