
120 mijë euro për të larë 10 makina të një ministrie për një vit! Kjo është kostoja e një tenderi të shpallur nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë. Mesatarisht, 1 mijë euro në muaj për një makinë vetëm për larje, do të konsiderohej kosto e lartë edhe për vende të zhvilluara, madje edhe në BE dhe SHBA.
Për të krijuar një ide, nëse do të arrihet pensioni minimal i premtuar 200 euro në muaj, 10 mijë euro kosto mujore, konvertohen në 50 pensione që do të kënaqnin po kaq të moshuar. Edhe frekuenca e larjes së parashikuar në makinave, është e çuditshme: një herë në dy ditë! Edhe nëse këto mjete do të udhëtonin në fshatrat më të humbur, nuk do të ishte e nevojshme të laheshin kaq shpesh. Aq më shumë, kur rugët e asfaltuara, sipas vetë ministres Balluku, janë shtuar ndjeshëm në 12 vite.
A është abuzim 120 mijë euro në vit për larjen e 10 makinave të vetëm një ministrie? Në fakt, këtë duhet ta pohojnë ose mohojnë institucionet. Megjithatë, me 120 mijë euro, mund të ngrihet nga e para një lavazh, ku mund të pastroheshin nga zhuli, jo vetëm 10 makinat e ministrisë së Ballakut por të gjitha ministrive. Me 1 milion lekë bruto në muaj, do të ishte i kënaqur të punonte si lavazhier çdo person, aq më shumë që, kur pastron makina VIP- ash, mund të lënë bakshish edhe dyfishin e vlerës së punës së kryer. Nëse një i vetëm nuk mund ti përballonte, mund të shtohej edhe një tjetër, me kosto vjetore totale bruto 24 mijë euro. Gjithmonë më lirë se “llogaria” e Ballukut, madje duke punësuar të paktën edhe dy individë.
A duhet të anulohet një tender i tillë? Sigurisht dhe me urgjencë! Qeveria, ministritë por edhe nivele më poshtë, kanë dhënë prova se zgjidhin qesen për investime me interes publik, siç është Kopshti i Edenit brenda Kryeministrisë. Të pastrosh makinat e ministrive nga zhuli i brendshëm dhe i jashtëm, siç i parashikon edhe tenderi, që pasagjerët e tyre të mos ndoten më shumë se janë ndotur, është një investim publik me vlerë që ia vlen. Mjafton një lavazh, në fakt më mirë me furçë se me solucion. Madje- madje, me shpalcë dhe duke e fërkuar fort dhe pandërprerje! /Shënim i ShkodraWeb/