Nga Senad NIKSHIQI
Prej katër muajsh Kastriot Musa qëndron në burgun e Shën Kollit në pritje të një vendimi për të. Ai u arrestua në operacionin “Balerina” në kuadër të “Forca e Ligjit” duke u akuzuar për shfrytëzim prostitucioni dhe si një grup i strukturuar kriminal. Kastriot Musa u arrestua bashkë me kushëririn e tij Frederik Tota dhe pesë vajza të tjera, të gjithë të akuzuar si pjesë e një rrjeti prostitucioni.
Pas katër muajsh nga burgu i Shën Kollit Kastriot Musa deklaron se prokuroria nuk ka asnjë provë për të dhe kushëririn e tij Frederik Tota. Shkodrani i akuzuar thotë se është i pafajshëm ndërsa ndaj tij po zhvillohet një proces gjyqësor i paragjykuar. Musa shprehet në një bisedë telefonike se nuk është marrë kurrë me prostitucion dhe se nuk ka asnjë lidhje për çfarë akuzohet as ai dhe as kushëriri i tij.
Për herë të parë pas katër muajsh përmes këtij komunikimi Kastriot Musa deklaron se nuk kërkon mëshirë por do vetëm drejtësi dhe asgjë tjetër. Sipas tij kjo nuk është drejtësi sepse po mbahet në burg me pa të drejtë në një kohë kur sipas tij prokuroria e Shkodrës nuk ka asnjë provë por vetëm shpifje ndaj tij.
Kastriot Musa gjithashtu shprehet se deri tani nuk është zhvilluar asnjë seancë e rregullt gjyqësore ndërsa seancat ndaj tyre vijojnë të zhvillohen me dyer të mbyllura. Kastriot Musa kërkon nga drejtësia që të lihen familjarët e tij të marrin pjesë në gjyqe dhe po ashtu të lejohen edhe mediat, pra të bëhet një gjyq publik për të mësuar të vërtetën që pretendon i akuzuari.
Musa shprehet se nga vajzat e arrestuara për prosticion është edhe bashkëshortja e tij, një punonjëse ndërsa tre të tjerat nuk i njeh dhe deklaron se kanë qenë thjeshtë kliente në lokalin të cilin ia kishte marrë me qera kushëririt Frederik Tota për të jetuar e punuar si gjithë të tjerët. Po ashtu shton se emri i tij nuk është i përmendur askund në dosje dhe se nuk akuzohet nga askush për prostitucion.
Kastriot Musa ka një thirrje për Presidentin Meta, kryeministrin Rama, ministrin e drejtësisë, avokatin e popullit, Komitetin Shqiptar të Helsinkit, mediat dhe këdo tjetër që ta shohin këtë çështje dhe ndaj tij të ketë vetëm drejtësi dhe asgjë më shumë.