Aktori i njohur, Viktor Zhusti, merr vesh lajmin e hidhur të ndarjes nga jeta të aktorit të madh, Xhevdet Ferri dhe nuk mban dot lotët. I shokuar nga ndarja e parakohshme e aktorit të madh, Zhusti shpërthen në fjalë dhimbjeje dhe në thirrje të trishta “O Zot, është e paimagjinueshme”.
“Është e paimagjinueshme. Është gjëja më shokuese dhe më tronditëse, që kam pasur në këtë periudhë. Kohët e fundit bëmë filmin “Delegacioni” me të, që pati sukses të jashtëzakonshëm. Xhevdeti ka qenë, o Zot, ka qenë studenti im. Ka qenë i shkëlqyer, nuk di ç’të them. Iu shpreh ngushëllime të gjithë atyre që e kanë njohur.
E kam takuar një vit më parë, kur ishim me xhirimet e filmit. Nuk e dija që ishte i sëmurë. O Zot, në atë kohë pati një incident dhe me një aktor tjetër, por e sollën në Tiranë me urgjencë dhe shpëtoi. Xhevdeti ishte shumë bashkëpunues, shumë i dashur dhe i sjellshëm.
LEXONI EDHE: Shuhet shumë para kohe Xhevdet Ferri, një nga aktorët më të mirë të Shqipërisë…
Çdo gjë mund të prisja sot, por vetëm këtë jo. Unë kam luajtur disa filma me Xhevdetin. E kuptoni sa e vështirë, pas një lajmi aq tronditës, të përqendrohem dhe të përmbledh kujtimet e mia me të. Sa e rëndë, sa e papritur dhe sa shokues ishte gjithë ky lajm. Me Xhevdetin kam një rrugë 50-vjeçare, ne ishim miq, aktorë, bashkëpunëtorë, studentë, pedagogë, e donim dhe e respektonim njëri-tjetrin … nuk e di”, tha Zhusti.
Kanë luajtur bashkë në një sërë filmash shqiptar që kanë mbetur në mendjen tonë, ndaj aktorja Rajmonda Bulku shprehet e pikëlluar për ndarjen nga jeta të aktorit Xhevdet Ferri. Aktorja thotë se e dinte prej kohësh që kolegu i saj ishte sëmurë, por shprehet se shpresonte deri në momentin e fundit. Ajo thotë se është e dhimbshme ndarja para kohe nga jeta e kolegëve, ndërsa shprehet se “u bënë pak si tepër”.
LEXONI EDHE : “O Zot, është e paimagjinueshme…”, kolegët të tronditur për largimin e parakohshëm të Xhevdet Ferrit…
“Jemi të shokuar nga lajmi. Jo se nuk prisnim të them të drejtën, por lajmi i fundit ka qenë i tmerrshëm. Do të doja që të mos flisja asnjëherë për këtë. Më vjen shumë keq, nuk e di pse mendoja se mund të ndodhte ndonjë mrekulli kur ai u bë gjysh dhe i thosha së shoqes se forca e dashurisë për këtë qenie të vockël që do të vijë në shtëpi, mund ta ndryshojë. Jetoi shumë pak si gjysh i lumtur. Mendoja se do të kalonte gjithçka, shpreson njeriu deri në momentin e fundit. Është një jetë e gjatë që kemi punuar dhe kemi qenë miq të mirë me të. Jemi pak të lodhur nga këto vdekjet e kolegëve tanë, miqve tanë, u bënë pak si tepër dhe është shumë e dhimbshme. Xhevdeti ishte një student i shkëlqyer, shumë i ditur, një familjar me gati gati nga ato dashuritë e frikshme. Më vjen keq që tani u iku shoku i tyre, babi, bashkëshorti. Ne ishim në skenë dhe ngelëm, ngrimë, regjisorja filloi të bërtiste duke thënë “çfarë”, i ndërpremë provat”, tha aktorja.