Mjetet shpërthyese të sekuestruara në protestën që banorët e Unazës së Re mbajtën para Parlamentit më 22 nëntor, mund të shkatërrojnë materiale të forta. Policia e Shtetit ka kryer një eksperiment me shashkat dhe kapsollët e sekuestruar në protestë, sipas të cilit janë regjistruar rezultate shokuese. Zëvendësministrja e Brendshme, Romina Kuko, njofton se tashmë ka dalë urdhri i ministrisë për ndalimin e importit, magazinimit dhe tregtimit të çdo lënde shpërthyese e piroteknike. Në rast të përdorimit të tyre, ka ndëshkime.
Një kapsollë e hedhur nga protestuesit gjatë tubimit të banorëve të zonës së “Astirit” kundër projektit të Unazës së Madhe, shkaktoi plagosjen e një efektiveje të Policisë, e cila humbi dy gishtënj të duarve nga shpërthimi.
“Provat eksperimentale kanë vërtetuar se mjetet e sekuestruara janë në gjendje të shkatërrojnë jo vetëm materiale apo inde të buta, por edhe materiale të forta si eshtrat apo edhe metalet”, thotë zv.ministrja duke prezantuar rezultatet e eksperimentit.
Kështu, ministria ka kërkuar ndaj të gjitha subjekteve tregtare që të ndërpresin importin, magazinimin dhe tregtimin e të gjitha lëndëve plasëse, mjeteve shpërthyese dhe piroteknike me efekt të tillë, të cilat i drejtohen tregut të gjerë.
“Nxisim të ndërpritet menjëherë tregtimi dhe të dorëzojnë produktin me këtë përmbajtje, duke lajmëruar sa më parë Komisariatin pranë. Kushdo që do të kapet me këtë produkt apo do të disponojë individualisht të tilla lëndë do të ndalohet e ndëshkohet.
Në prag të festave të fundvitit, Ministria e Brendshme u bën thirrje prindërve, familjarëve dhe kujdestarëve që të mos inkurajojnë dhe të mos lejojnë përdorimin e mjeteve të sipërpërmendura nga fëmijët apo të rriturit.
Gjithashtu, Ministria e Brendshme fton të gjithë qytetarët që të raportojnë në të gjitha rrugët e mundshme rastet e tregtimit apo përdorimit të lëndëve plasëse, atyre shpërthyese dhe mjeteve piroteknike.
Ministria e Brendshme u kërkon gjithë subjekteve politike që të marrin masa për të mbajtur kontroll dhe përgjegjësi të plotë gjatë organizimit të veprimtarive, me qëllim ndalimin kategorikisht të përdorimit të mjeteve të sipërpërmendura gjatë tyre”, thuhet në një njoftim të Ministrisë së Brendshme.
Në ditët në vijim, qeveria shqiptare do të rishikojë kriteret dhe standardet e licencimit të subjekteve që importojnë, magazinojnë apo tregtojnë lëndë të rrezikshme. Policia e Shtetit dhe agjencitë e tjera shtetërore do të intensifikojnë kontrollet dhe do të marrin masat e nevojshme për të eliminuar rrezikun për sigurinë publike që buron nga përdorimi i mjeteve të rrezikshme.