Elda dhe Ema Krasniqi janë nxënëset shqiptare të cilat janë dëbuar në mes të këtij muaji nga Gjermania për në Kosovë.
Dëbimi i tyre është shoqëruar me protesta të shumta nga shokët dhe shoqet e tyre të klasës.
Me zë të lartë, nxënësit dhe mësuesit e shkollës “Falkschule”, pasditen e së enjtes e kanë tërhequr vëmendjen e opinionit, para organeve komunale në rrugën “Kleyerstrasse” në Bockenheim.
Nxënësit e klasave të shtata e deri të dhjeta, kanë mbajtur pankarta në ajër, kanë fishkëllyer dhe brohoritur në kor:
“Jemi të zemëruar, pasi po na vidhet miqësia”.
Familja e vajzave të cilat vijonin mësimin në klasën e shtatë dhe të dhjetë është dëbuar nga policia për në Kosovë, natën e 14 marsit të këtij viti.
Pothuajse tre vite Elda dhe Ema e kanë vijuar mësimin në shkollën “Falkschule”, sipas drejtoreshës Andrea Pohl, ato kanë qenë tërësisht të integruara, duke pasqyruar qëndrim shembullor social, raporton albinfo.ch. Për të mos u ulur më së bashku në klasë me dy shoqet e saja Amina Sadikovic dhe Layla Ujkanovic, Elda i ka informuar përmes smartfonit.
Ato janë shprehur:
“Tani jemi para përfundimit të gjysmëmaturës, ndoshta Elda nuk do të mund ta përfundojë më. Jemi të shokuara e të pikëlluara”.
I gjithë stafi shkollor është tronditur nga dëbimi, shkruan “Frankfurter Rundschau”.
Drejtoresha është shprehur se:
“Për këtë veprim nuk ka pasur paralajmërim zyrtar. Këtë lajm e morëm vetëm nga nxënësit tanë”, ka vazhduar më tej drejtoresha. Në një e-mail të cilin e ka dërguar Elda, në adresë të gazetës në fjalë, thuhet se familja kosovare në Gjermani kishte ardhur në janar të vitit 2015, në kërkim të ndonjë vendi të punës. Babai i saj, Shefki Krasniqi në Gjermani kishte gjetur një punë, por nuk është pajisur me leje të punës.
Drejtoresha Pohl dhe mësuesit e shkollës, përmes një shkrimi i janë drejtuar Sylvia Ëeberit nga Departamenti i Arsimit, të cilën e kanë lutur për përkrahje në mënyrë që familja Krasniqi sërish të kthehet në Gjermani dhe vajzat të mund ta përfundojnë shkollimin.
Por, ligji e vlerëson Kosovën si shtet me origjinë të sigurt.
Jan Pasternack, referent i Departamentit të Arsimit dhe Integrimit ka deklaruar:
“Për rastin në fjalë morëm vesh të mërkurën nga drejtoria shkollore dhe nuk mund të prononcohemi më konkretisht. Fillimisht duhet ta shqyrtojmë situatën e më pas mund të bisedojmë lidhur me mundësitë”.
Megjithatë, këshilltarja Weber, në një të ardhme të afërt do të takohet me stafin shkollor në lidhje me rastin:
“Në emër të familjes së saj, Elda i ka falënderuar përmes e-mailit nxënësit dhe mësuesit e “Falkschule”.
Për ta është një fat i madh që kanë hasur në përkrahje aq të madhe. Ajo dhe motra dhe prindërit e tyre janë duke shpresuar se së shpejti do të mund të kthehen në Gjermani.
Një nxënëse gjermane e cila foli para protestuesve gjatë të enjtes, ka nënvizuar:
“Shumica më pyetën nëse ky veprim do të ndryshojë rrjedhën. Por, nëse nuk lufton, atëherë ke humbur”./joq/