Rreth një javë më parë, komisioneri i zgjedhjeve në Shqipëri Ilirjan Celibashi, i ktheu disa partive politike dokumentacionin për regjistrimin e listave të kandidatëve për zgjedhjet e 25 prillit. Në mes mangësive të tjera, subjektet politike, gjithnjë sipas Celibashit, duhet të kenë një numër kandidatësh jo më të lartë se numri i mandateve të deputetit që zgjedhj qarku, shtuar 2.
Sipas Celibashit, referenca është në Kodin Zgjedhor. Për ta bëtë më të kuptueshme, qarku i Shkodrës do të dërgojë në Kuvend 11 deputetë. Në listë, nuk duhet të jenë më shumë se 11+2= 13 emra kandidatësh. Kjo është logjika e përdorur nga Celibashi. Në fakt, Kodi zgjedhor ka një përcaktim më të ndryshëm. Në Neni 67, Lista e kandidatëve të partive dhe koalicioneve të partive (Ndryshuar me ligjin nr. 74/2012, datë 19.7.2012 dhe ndryshuar pika 3 dhe 6, me ligjin nr. 31/2015, datë 2.4.2015, ndryshuar pikat 5 dhe 6 me ligjin nr. 101/2020, datë 23.7.2020, ndryshuar pikat 1 deri në 5 me ligjin nr. 118/2020, datë 5.10.2020), përcaktohet në pikën 4 se:
“Emrat në listën shumemërore të subjektit zgjedhor paraqiten të renditura sipas rendit shifror, duke filluar nga numri një. Numri i kandidatëve në listën shumemërore nuk mund të jetë më i vogël se numri i mandateve që do të zgjidhen në zonën zgjedhore përkatëse, shtuar dy. Në çdo rast, numri i kandidatëve në listën shumemërore duhet të jetë i plotpjesëtueshëm me numrin tre. Për koalicionet përbri emrit të kandidatit shënohet cilës parti i përket kandidati.”.
Nuk ka nevojë jë jesh jurist për ta kuptuar. Kodi Zgjedhor përcakton minimumin ose “dyshemen” e kandidatëve në listat e qarqeve. Përcaktimi “jo më pak” në këtë nen, vendos kufirin e poshtëm ndërsa atë maksimal e lë të papërcaktuar. Që do të thotë, në qarkun e Shkodrës për shembull, nuk mund të ketë më pak se 13 kanditatë ndërsa numri i tyre mund të jetë 30, 50, 100… Problemi është teknik dhe lidhet me madhësinë e fletës së votimit: Sa më shumë emra, aq më e madhe do të jetë.
Kjo pikë e këtij neni, mund të krijojë ngërç ndërsa mund të kërkojë interpretim nga instancat e KQZ- së, Kolegji Zgjedhor por edhe Gjykata Kushtetuese. Nëse ky boshllëk nuk është lënë me qëllim në Kodin Zgjedhor, është tregues i ngutjes për miratimin e tij në mënyrë të njëanshme. /ShkodraWeb Media/