“Nuk ndërmjetësojmë në formimin e qeverisë së Kosovës”, diplomatët përgjigje- shuplakë për Albin Kurtin…

Diplomatët e Shteteve të Bashkuara, Mbretërisë së Bashkuar, Gjermanisë, Francës e Italisë, thanë të martën përmes një deklarate se nuk mbështesin asnjë kandidat ose parti politike në Kosovë në procesin e formimit të qeverisë së re.


Ata iu referuan një deklarate të përbashkët të bërë më 30 gusht të vitit të kaluar në të cilën thuhet se “ne përfaqësojmë shtetet që janë thellësisht të përkushtuara ndaj Kosovës demokratike dhe të pavarur. Çdo sugjerim se qeveritë tona përkrahin ndonjë parti apo kandidat të veçantë në zgjedhje është i pasaktë… përgjegjësia për të ardhmen e Kosovës, për udhëheqësit e Kosovës, dhe për vetë Kosovën, është vetëm e juaja, e popullit të Kosovës”.

“Ne nuk do të ndërmjetësojmë. Ne i inkurajojmë të gjithë aktorët politikë në Kosovë që të përqëndrohen në aspiratat e popullit të Kosovës”, thuhet në deklaratën e shpërndarë të martën.

Kjo pason njoftimin e një dite më parë të bërë nga lëvizja Vetëvendosje e cila paralajmëroi për sot një takim të ri me Lidhjen Demokratike të Kosovës në prani të diplomatëve perëndimorë.

Të hënën udhëheqësit e lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës i dhanë fund pa marrëveshje një takimi në kuadër të përpjekjeve për të siguruar një marrëveshje për formimin e qeverisë së re.

Lëvizja Vetëvendosje përkujton në shkrim se “kanë mbetur edhe tetë ditë deri në skadimin e afatit kushtetues për koalicionin qeverisës”.

Më 20 janar kryetari i kësaj lëvizjeje, Albin Kurti mori mandatin nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, për formimin e qeverisë dhe nga ajo ditë ka filluar afati prej 15 ditësh për një gjë të tillë.

Të dyja partitë politike po negociojnë me muaj, por pa ndonjë rezultat deri më tash. Ato vazhdojnë të jenë të ndara rreth postit të kryetarit të parlamentit të Kosovës, i cili tashmë mbahet nga lëvizja Vetëvendosje, ndonëse përgjatë gjithë negociatave që nga zgjedhjet e 6 tetorit është thënë se ky post i takon Lidhjes Demokratike.

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu, tha të hënën para takimit se kjo parti nuk heq dorë nga ky post.

“Ne po presim nga Vetëvendosja që të deklarohet për ofertën tonë, oferta jonë është me kryeparlamentarin dhe pesë ministri edhe me zotimin për president. Kjo është oferta që qëndron, ne presim përgjigje”, tha zoti Veliu.

Në mbrëmje në një postim në rrjetet sociale, Lidhja Demokratike shkroi se “në takimin e sotëm kemi shpalosur qëndrimet tona, tashmë të njohura dhe publike për opinionin. Konsiderojmë që këto qëndrime janë të balancuara për të dy palët dhe që i shërbejnë stabilitetit të qeverisjes së vendit”.

Lëvizja Vetëvendosje ka theksuar se çështja e postit të kryetarit të parlamentit tashmë është çështje e kryer. Kryetari i saj, Albin Kurti, tha të hënën gjatë ditës se të dyja partitë i kanë pozicionet e qarta në procesin e negociatave.

”I korrespondojnë propozimeve tona të shprehura nga Lidhja Demokratike e Kosovës me datën tetë janar ndërkaq nga lëvizja Vetëvendosje me datën nëntë janar në takimet që i patëm zhvilluar ato dy ditë kur kishte më shumë se një jave para se ne ta dorëzojmë propozimin për mua si mandatar, si kryeministër i ardhshëm tek presidenti i Republikës. Këto pozicione tona do të përpiqemi që t’i afrojmë në mënyrë që të kurorëzojmë një marrëveshje”, tha zoti Kurti.

Ai shprehu besimin se një marrëveshje do të mund të arrihet gjatë ditëve në vijim.

“Me besimin e mirë, me urimet dashamirëse, me vullnetin dhe përkushtimin që kam, duke qenë i përgjegjshëm ndaj qytetarëve, jo vetëm unë por të gjithë ne që po negociojmë, besoj që në këto ditë të mbetura do ta rrumbullaksojmë më në fund marrëveshjen dhe të shkojmë në Kuvend të Republikës e ta votojmë qeverinë e re në kuadër të afatit 15 ditësh”, tha zoti Kurti.

Nëse brenda tetë ditësh sa kanë mbetur deri në fund të afatit, nuk sigurohet një marrëveshje, atëherë presidenti i Kosovës i ofron kandidatit tjetër mundësinë që brenda dhjetë ditësh të formojë kabinetin dhe nëse as atëherë nuk ndodh, vendi shkon në zgjedhje të reja brenda 40 ditësh. /VOA/

Për t’u bërë pjesë e grupit ShkodraWeb Media mjafton të klikoni: Join Group" dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi ShkodraWeb Media ju mirëpret!