Nuk ka kohë për pushim, Vllaznia nis përgatitjet për Teutën, synohet rezultat pozitiv edhe në Durrës…

Vllaznia kryeson me meritë renditjen e kampionatit të Kategorisë Superiore pas tre javësh dhe kuptohet që tashmë i gjithë opinioni sportiv shkodran dhe ai shqiptar po binden për një skuadër ndryshe këtë sezon. Kuqeblutë kanë treguar vlera në të tre këto përballje dhe për më tepër në këtë të fundit ndaj Tiranës, bindën të gjithë se do të jenë kompetitivë këtë sezon.


Në Shkodër kanë filluar të mendojnë dhe të ëndërrojnë për titullin kampion, por tek skuadra duan të qëndrojnë me këmbë në tokë. Drejtuesit e klubit kanë bërë thirrje për qetësi sepse është vetëm flllimi i kampionatit dhe ka ende shumë ndeshje për t’u luajtur. E gjithë vëmendja duhet të jetë e përqendruar tek sfida e së mërkurës me Teutën në Durrës.

Për këtë arsye, nga sot ekipi ka nisur përgatitjet për këtë ndeshje dhe me interes ka qenë për të parë gjendjen e portierit Zogoviç dhe sulmuesit Dilaver të cilët luajtën ndaj Tiranës në gjendje jo të mirë shëndetësore , megjithatë sakrifikuan për ta ndihmuar atë.

Për momentin, duket se situata e tyre po përmirësohet dhe ata do të jenë në fushë edhe të mërkurën, megjithatë stafi po merr masat nëse është e nevojshme edhe për t’i zëvendësuar. Përballë Teutës kuptohet që do të jetë një sfidë shumë e vështirë.

Trajneri i durrsakëve Edi Martini e ka bërë të qartë se objektivi i skuadrës së tij do të jetë vetëm fitorja, megjithatë edhe te Vllaznia janë të vendosur për të mos dalë pa pikë.

ShkodraWeb Channel

Kampionati sa vjen duke u vështirësuar dhe të dielën siç dihet vjen në Shkodër Kukësi. Kjo do të thotë se nuk ka kohë për frymëmarrje dhe përqendrimi duhet të jetë maksimal.

Në kampin shkodran të gjithë janë të vetëdijshëm dhe mbajtja e vendit të parë në renditje është shumë e vështirë, por jo e pamundur.

Mbështet ShkodraWeb Media

ShkodraWeb Channel