
Disa ditë më parë, kreu i Sindikatës së Policisë së Shtetit, Sadetin Fishta, deklaroi se punonjësit e policisë duhet të vendosin me urdhër sa më shumë gjoba për shoferët, përndryshe kërcënohen për transferime apo ulje në detyrë. Ditën e sotme, nga Policia e Shtetit ka ardhur përgenjeshtrimi zyrtar.
“Sqarojmë se deklarata publike e bërë nga kreu i Sindikatës së Punonjësve të Policisë, Sadetin Fishta se punonjësit e Policisë kanë urdhër të plotësojnë sa më shumë masa administrative pasi në rast se nuk plotësojnë numrin e kërkuar kërcënohen për transferime apo ulje në detyrë, është tërësisht e pavërtetë. Theksojmë për qytetarët dhe opinionin publik se nuk ka asnjë urdhër të tillë për të plotësuar një numër të caktuar masash administrative. Masat administrative, ashtu si fushatat sensibilizuese dhe masat këshilluese, janë mjete që përdoren ndaj shkelësve të rregullave të qarkullimit rrugor dhe kanë objektiva vetëm garantimin e sigurisë rrugore dhe parandalimin e aksidenteve.”, thuhet në deklaratën e Policisë së Shtetit.




