
Pas deklaratës së ministrit për Diasporën, Pandeli Majko që Presidenti duhet të bënte thirrje për dialog dhe jo tubime siç është paralajmëruar tanimë për më 8 dhjetor, kreu i Shtetit i përgjigjet, duke theksuar se këto thirrje i ka bërë për dy vite rresht.
Sipas Metës, e vetmja zgjidhje është që shqiptarët të zhvillojnë referendume pasi ndryshe, dëshpërimi vetëm sa do të thellohet dhe shqiptarët do të largohen jashtë vendit.
“Dikush thoshte pse nuk bën Presidenti thirrje për dialog. Çfarë ka bërë Presidenti për dy vite? Vetëm thirrje për dialog, për përgjegjshmëri për të çelur negociatat. Përse e nxora dekretin për zgjedhjet lokale që palët të uleshin për dialog, që të bënim zgjedhje lokale si kudo në botë. Kush nuk erdhi këtu? Kush e minoi këtë gjë? E patë që u shtuan kushtet e Bundestagut. Tani, zgjidhja është referendumi. Nuk ka zgjidhje tjetër në Shqipëri. Mos mbani shpresa tek askush tjetër përveç referendumit. Çdo gjë tjetër është të humbni kohë dhe të shihni se si vendi bie në humnerën e dëshpërimit”, theksoi ai gjatë konferencës për shtyp.